Kryeministri Edi Rama deklaroi se më 11 Maj të gjithë duhet të mendojnë përtej të majtës e të djathtës dhe të votojnë për të integruar vendin në BE. Duke iu përgjigjur një komentuesi që i shkruante se pse duhet të votojnë 5, numrin që mban PS në fletën e votit, Rama u shpreh se ka një sërë arsyesh.
“Po mirë, voto 5 por përse”. Janë shumë arsye përse por po i marr disa me radhë. E para, për të mbyllur negociatat me Bashkimin Europian në 2027, mund t’i mbyllë vetëm Partia Socialiste me mua në krye, askush tjetër nuk i mbyll dot në 2027. Nëse nuk i mbyllim në 2027 negociatat, dera mund të mbyllet, dera e shtëpisë së familjes europiane dhe këtë po përpiqem të shpjegoj çdo ditë por nuk kam mundësi të kem përkrahje në shpjegim nga ata që normalisht duhet të bëjnë shpjegime kur dalin netëve nëpër ekrane sepse ata merren me gjëra të tjera; ata merren me fotografitë e mia nudo, ata merren me videot e mia me Lulin, me Vrenozin, me dreqin e me shejtanin që janë një pjesë shumë e vogël e komunikimit tim intensiv çdo ditë dhe që janë patjetër serioze, nuk janë për të qeshur ato, janë serioze. Janë gjëra serioze të thëna me humor por janë serioze, janë shumë serioze.
Tjetra, pse 5? 5 sepse prodhimi i përgjithshëm kombëtar i Shqipërisë kur ne morëm detyrën ka qenë më pak se 10 miliardë euro, në fund të vitit të shkuar kapi 25 miliardë dhe në Shqipërinë 2030 do jetë 33 miliardë, nëse ti do të votosh 5. Ti mund të mos e votosh por pikërisht sepse shumica do të votojnë 5. Të ardhurat për frymë kanë qenë 3000 e diçka euro, janë 10400 e ca euro, do shkojë 15000 euro, prandaj duhet të votosh 5. Duhet të votosh 5 sepse paga mesatare në sektorin publik do jetë 1200 euro, sot është 1000 euro.
Paga mesatare ose e përgjithshme, sektori publik dhe sektor privat do jetë 1000 euro, sot është 830 euro, ka qenë 320 kur ne kemi marrë detyrën. Duhet të votosh 5 sepse kemi për të çuar përpara dhe për të mbyllur korridoret, Korridorin Blu dhe Korridorin e 8-të janë në kantier, nuk i mbyll dot njeri tjetër. Kemi të gjitha projektet e hekurudhave që kemi nisur dhe do të nisim në vijim dhe që kanë prapa financime të Europës. Për çfarë tjetër? Nuk e di se ku banon se po të dija ku banon, do të thosha konkretisht edhe për vendin ku banon pse duhet të votosh 5, por përtej të gjitha këtyre, duhet të votosh 5 që të përmbyllim një mision historik të këtij populli; të bëhemi pjesë e pandarë e BE.", u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Rama: Autizëm politik, term i gabuar por kërkova ndjesë! Jam shënjestra kryesore e gjuhës së ashpër të kënetës! 11 Maji po afrohet, dihet kush është fituesi (VIDEO)
Xh.D/ReportTv.al
