Politikë

Rama-emigrantëve në Greqi: Shfrytëzojeni këtë mundësi historike! Klithmat e bufit u shtrinë edhe jashtë kufijve, një nga salamandrat blu pretendonte për zarfe të kapur

5 Maj, 10:34| Përditesimi: 5 Maj, 14:37

  • Share

Kryeministri Edi Rama iu bën thirrje emigrantëve në Greqi që të shfrytëzojnë momentin historik për të votuar për zgjedhjet e 11 Majit.  Përmes një videoje  në rrjete sociale, Rama thotë se kompania postare i ka zgjidhur problemet që ka hasur, ndaj të paraqiten për të marrë zarfet zgjedhore me votat. 

“Desha të përcjell një thirrje, një lutje dhe mesazh për të gjithë ata që janë regjistruar si votues në Greqi që të marrin zarfet dhe të mos e lënë pa përdorur mundësinë historike për një takim me historinë. Mundësi historike për të qenë votues për herë të parë nga jashtë dhe takim me historinë për të kyçur përfundimisht Shqipërinë në shtëpinë e madhe të BE. Ka pasur problematika për fat të keq për në ditët e para me shpërndarjen, kompaninë por tanimë kompania ka vënë gjërat në vijë sipas informacionit që kam. Zarfet janë shpërndarë nëpër destinacione dhe keni të gjithë informacionet e nevojshme për të kuptuar se çfarë duhet të bëni dhe për të mos përtuar që t’i tërhiqni zarfet nga pikat e shpërndarjes së kompanisë. Dhe nga ana tjetër, në rast se i keni marrë zarfet, të veproni duke i kthyer ato drejt Shqipërisë me numrin 5.”, tha Rama. 

Më tej, Rama thotë se ky votim është historik edhe për të zgjidhur njëherë e mirë çështjen e pensioneve për emigrantët në Greqi, pasi me hyrjen në BE, do t’u njihen automatikisht. 

“Ky votim është me rëndësi të veçantë sidomos për të gjithë shqiptarët në Greqi që ende nuk kanë pasaportën dhe janë futur në ankthin e padrejtë të njohjes së pensionit. Njohja e pensionit bëhet me marrëveshje. Negociatat me qeverinë greke kanë nisur por nuk dimë fare sesa kohë mund të marrë vullneti është i plotë, i qeverisë greke është pozitiv por duke u nisur nga eksperienca e marrëveshje me Italinë që u deshën vite të tëra dhe më pas e solli fati që të më dilte një motër në Romë dhe u përshpejtuan gjërat. Që nga dakordësia me motrën deri te firma e fundit 1 vit e gjysmë apo dy vjet, mund të merret me mend sesa mund të zgjasë edhe marrëveshja me Greqinë. Është marrëveshja më e vështirë, numrat e mëdhenj e bëjnë të vështirë por Greqia nuk është Italia nga fuqia. Pa vënë në dyshim vullnetin e qeverisë greke, çështja është sesa mund të zgjasë kjo.”, shton Rama.

Ai u ndal edhe te akuzat e opozitës për “zarfe të kapura” teksa tha se klithmat e bufit të kënetës kishin shkuar edhe përtej kufijve. Sipas Ramës, drejtuesi politik i PS për diasporën sqaroi situatën, ndërsa apelon sërish për votën e emigrantëve, për të përshpejtuar rrugëtimin e vendit drejt BE, por edhe për të tharë kënetën, që sipas tij, është një fatkeqësi kombëtare dhe një plagë antievropiane.

“Ajo pasaportë evropianë që them unë dhe këta çyrykët e kënetës e përqeshin është rruga për të fituar të drejtën e qytetarisë së plotë si shqiptar në çdo metër katror të BE. Që dmth se ajo pasaportë ka të njëjtën vlerë si pasaporta bardhe e blu, dhe në momentin që e merrni njohja e pensionit janë njësoj si për bashkëqytetarët tuaj në Greqi me kombësi greke. 

Është gjynah që pasi keni bërë mundimin për t’u regjistuar të mos votoni. Ju lutem shumë të gjithëve dhe në mënyrë të veçantë atyre që janë regjistruar për të më mbështetur mua, PS e Shqipërinë drejt këtij takimi me historinë. Të mos lënë pa votuar. Besoj e keni parë klithmat e bufit të kënetës dhe qua qua qua e tyre u shtrinë edhe jashtë kufijve duke paralajmëruar vjedhjen e madhe. Një nga salamandrat blu kishte nxjerrë disa zarfe në rrugë dhe pretendonte se ishin zarfe të kapur nuk e di se si e nga kush, drejtuesi ynë politik për diasporën ka bërë sqarim të qartë për këtë se zarfe mund të mbledhësh edhe nga shtëpia jote dhe kur je skllav i bufit edhe shtëpinë tënde mund ta kthesh në llogore kënete dhe mund t’i fotografosh në rrogë dhe të thuash se këto po i bën narko regjimi. Por këto si han njeri. Ka mundësi që së bashku, edhe për këtë arsye, një rrugë e dy punë të shtyjmë Shqipërinë përpara dhe të përshpejtojmë tharjen e kësaj kënete që është fatkeqësi kombëtare dhe plagë anti-evropiane në mes të trupit të Shqipërisë. 5!”, përfundon Rama. 

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Zgjedhjet, a mendoni se partitë e reja do të marrin deputetë në Kuvend?