Sociale

Lundrimi në internet/ Përndjekje, shantazh dhe kërcënime, fëmijët 6-10 vjeç për herë të parë 'viktima' të ngacmimeve

29 Korrik, 17:21| Përditesimi: 29 Korrik, 19:41

  • Share

Jo të gjitha lojërat në celular janë të përshtatshme për fëmijët, sidomos kur përdoren pa mbikëqyrje. Prindërit duhet të jenë të kujdesshëm, pasi shumë prej tyre, sidomos ato online, mund të krijojnë hapësira për abuzime apo ngacmime.

Në një raport të publikuar nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt në Shqipëri, iSIGURT.al, vërehet se për herë të parë ka raste të incidenteve online të fëmijëve të grupmoshës 6-10 vjeç. Gjatë vitit të kaluar, prindërit ose kujdestarët ligjore kanë raportuar 4 raste të tilla.

Incidentet lidhen kryesisht me lojërat e papërshtatshme për moshën, ku fëmijët kanë akses për të komunikuar me persona të panjohur.

Në total, janë raportuar 437 raste ngacmimesh, përndjekjeje, shantazhi online dhe kërcënimesh, të cilat pas ndërhyrjes nga Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt, “iSIGURT.al”, profilet e autorëve janë mbyllur.

Në krahasim me vitin 2023, këto problematika shënuan një rritje prej 67%. Kështu, nga totali prej 437 rastesh, 201 janë regjistruar në Qarkun e Tiranës, ku është përqendruar edhe pjesa më e madhe e popullsisë.

Vajzat vijojnë të jenë si viktimat, ashtu edhe raportueset më aktive të problematikave të hasura në internet, me 58% të rasteve, ndërsa djemtë përbëjnë 41%. Në 1% të rasteve të raportuara, gjinia nuk është bërë e ditur.

Grupmosha që has dhe raporton më shumë incidente është ajo 15-18 vjeç, me 43% të raportimeve, e ndjekur nga të rinjtë 19-24 vjeç. Përveç kërcënimeve, përndjekjes dhe shantazhi, problematika të tjera që janë hasur tek adoleshentët dhe të rinjtë janë bullizmi kibernetik dhe gjuha e urrejtjes.

Rrjeti social TikTok, tashmë i mbyllur në vendin tonë, mbetet platforma më e përfolur për incidentet me 209 raste të raportuara. Pas tij renditen Facebook dhe Instagram. Përfaqësues të qendrës Kombëtare për Internet të sigurt thonë për Report Tv se fokusi është tek bashkëpunimi me kompanitë për mbylljen dhe heqjen e materiale të papërshtatshme nga interneti. Rastet kur bëhet fjalë për vepër penale, referohen pranë autoriteteve ligjzbatuese.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Më i votuari i listës së hapur, a mendoni se mandati i takon Adriatik Lapajt?