Sali Berisha sot në konferencë

Politikë

Veliaj ankimoi shkarkimin në Kushtetuese, Berisha: Nuk pranoi marrëveshje me Ramën, Begaj do e dekretojë datën e zgjedhjeve

29 Shtator, 13:00| Përditesimi: 29 Shtator, 14:03

  • Share

Sali Berisha thotë se Edi Rama dështoi me përpjekjet për të bindur Erion Veliajn që të mos e dërgojë shkarkimin në Gjykatën Kushtetuese. Në daljen e sotme për mediat, kreu i PD-së pretendoi sërish se Vangjush Dako u rikthye në qeli për këtë arsye, por se Veliaj nuk e pranoi një marrëveshje të tillë.

Berisha “parashikoi” se presidenti Bajram Begaj, të cilit iu referua si “kukulla” e Ramës, do të dekretojë datën e zgjedhjeve, përkundër ankimimit të Veliajt. Pyetjes nëse me këtë vendim, opozita po fiton kohë për kandidatin kundër Ogerta Manastirliut të socialistëve, Berisha u “mburr” duke thënë se ata kanë jo vetëm një emër, por disa emra që sipas tij janë të pakrahasueshëm me të.  

“Edi Rama, pasi i futi Gjushin në qeli, pasi bëri çdo lloj përpjekje për të bërë pazar me Erion Veliajn, që të pranojë shkarkimin dhe të mos i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duket se dështoi në këtë përpjekje. Duket se Erion Veliaj nuk e pranoi marrëveshjen, gjersa ai u ka kërkuar avoketërve të tij të depozitojnë ankesën në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është përgjigja e parë. Pavarësisht nga kjo, sot është ditë e hënë, prisni nga ora 1 kukulla e Edi Ramës në presidencë do firmosë, mos pastë lënë edhe ai autopenin aty, për datën e zgjedhjeve. Tani, meqenëse shtron një problem, të garantoj se opozita sot, në këtë moment që flasim, ka jo një, por ka disa kandidate dhe kandidatë të pakrahasueshëm me Korbën e Korrupsionit. Të pakrahasueshëm. Ju ftoj zotëri të rikujtosh vetëm një moment, tronditjen e tmerrshme të Ogertës kur mësoi se emërohet kandidate për kryetare bashkie.”, tha Berisha.

Sulmoi sërish Manastirliun, duke përmendur periudhën e pandemisë së Covid-19, dhe duke thënë se Rama “lau duart” me të duke e vendosur kandidate për bashkinë e Tiranës.

“Merre shihe pak atë pamje. Merre shihe. Nuk ka pamje që flet vetë më shumë se ajo. Ajo e kuptoi se Edi Rama lau duart me të. Se Edi Rama e dorëzoi atë në fatin e kujt? Në fatin e Erion Veliajt. Nuk kam këtu momentin... a mundet t’i thuash tjetrit ti që të caktojë kryetar bashkie i Tiranës, është posti i dytë pas kryeministrit për një forcë politike, të caktojë pra për kryetar të bashkisë në Tiranë dhe ajo të mos mund të përmbajë tmerrin, ankthin. Ajo në atë moment shihte përpara vetëm një fytyrë, fytyrën e Erion Veliajt.”, tha Berisha.

U ndal gjithashtu edhe te raporti i DASH për klimën e biznesit në Shqipëri, duke thënë se tregoi fytyrën e vërtetë të narkoshtetit dhe narkoekonomisë. Sipas Berishës, në Shqipëri, prej 10 vitesh nuk ka investime të huaja, dhe se investitorët seriozë perëndimorë numërohen me gishtat e dorës pasi ata janë zëvendësuar nga narkotrafikantët. Kryedemokrati tha se Rama e ndërtoi narkoshtetin duke u mbështetur te ish ambasadori amerikan Donald Lu dhe George Soros.

“Departamenti i Shtetit në raportin e fundit flet hapur për një patern ekonomik që po zhvillohet dhe që në të vërtetë është paterni ekonomik i narkoshtetit dhe narkoekonomisë. Në Shqipëri nuk ka investime të huaja. Ka 10 vite që nuk numërohen as më gishta investitorët seriozë perëndimore sepse ata janë zëvendësuar nga narkotrafikantët dhe paratë e tyre. Sepse janë terroristët e karteleve të drogës ata që dominojnë tërësisht tregun shqiptar, ata që kanë shkatërruar tërësisht konkurrencën, ata të cilët janë më të preferuarit apo që i diktojnë Edi Ramës. Ndaj me të drejtë në raport flitet për një korrupsion të madh qeveritar, korrupsion të madh në gjyqësor.”, tha mes të tjerash ai.

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?