Tedi Blushi

Politikë

Raporti i DASH për klimën e biznesit në Shqipëri/ Tedi Blushi: Certifikim i shtetit që është kapur nga mafia! Vendi ynë mjedis armiqësor për të huajt

28 Shtator, 13:38| Përditesimi: 28 Shtator, 13:42

  • Share

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka reaguar pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH) ditën e djeshme duke u shprehur se raporti ka pasqyruar denoncimet e kahershme të Partisë së Lirisë për qeverinë.

Blushi tha se inkriminim i qeverisë ka ‘trembur’ investitorët e huaj me mjedisin armiqësor të krijuar, ka ulur fitimet në ekonomi dhe ka sjellë të mira vetëm për personat e afërt të kryeministrit Edi Rama, të cilët përfitojnë nga ndarja e parave të pista.

Reagimi i plotë i Tedi Blushit:

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri është një tjetër aktakuzë e drejtpërdrejtë për Narkoregjimin e Edi Ramës, që ekspozon me vërtetësi një realitet të dhimbshëm që shqiptarët prej 12 vitesh ndjejnë çdo ditë në lëkurën e tyre.

Ky raport nuk është thjesht një analizë teknike, por çertifikimi i regjimi të korruptuar, të inkriminuar dhe klientelist, që me bekimin e samitit të Arubës së karteleve të drogës e ka kthyer në sistem skemën mafioze të pastrimit të parave të trafikut ndërkombëtar, duke u shndërruar Shqipërinë në një mjedis armiqësor për vet shqiptarët, biznesin vendas dhe investitorët e huaj.

Raporti përshkruan të njëjtat të vërteta të denoncuara nga opozita dhe Partia e Lirisë, një Shqipëri të kapur nga mafia, krimi dhe korrupsioni, ku drejtësia, prokuroria dhe gjykatat janë të paralizuara, ku investitorëve të huaj u këshillohet të mos i besojnë sistemit tonë gjyqësor, por të kërkojnë drejtësi në arbitrazh ndërkombëtar, sepse këtu nuk gjejnë drejtësi, nuk gjejnë siguri ligjore, nuk gjejnë shtet ligjor.

Departamenti Amerikan i Shtetit konfirmon falimentimin e shtetit si garant të ligjit dhe institucionalizimin e krimit dhe korrupsionit, të shndërruar në armik ndaj çdo shqiptari që kërkon të ndërtojë jetën ndershmërisht në Atdheun e tij.

12 vite pas keqqeverisjes së Edi Ramës, të drejtat e pronës janë në kolaps, me tituj të mbivendosur, regjistrime të papërfunduara, një proces kompensimi të kalbur, të padrejtë, të manipuluar dhe të vlerësuar poshtë tregut real.

Prona është kthyer në një instrument për korrupsion, shantazh dhe përfitime për klientelën qeveritare.

Investimet strategjike janë shndërruar në tallje me interesin publik, një skemë e pastër grabitjeje, një mjet për të falur bregdetin dhe pasuritë kombëtare te oligarkët dhe klientët e pushtetit.

Ligji për investimet strategjike nuk ka sjellë zhvillim, nuk ka sjellë investitorë të mëdhenj, nuk ka sjellë mirëqenie, por vetëm favore për të afërmit e Ramës, për ata që ndajnë paratë, koncesionet, tokat, plazhet, resortet dhe pushtetin.

Shqipëria nuk është më vend për të bërë biznes, por është shndërruar në një zonë të errët ku ndahen interesat mafioze mes krimit dhe qeverisë.

Investitorët raportojnë shantazhe nga administrata publike, kërcënime nga media të kapura dhe presion nga grupe kriminale që veprojnë të lidhura direkt me qeverinë.

Paraja e pistë që vjen nga droga, kontrabanda dhe evazioni fiskal qarkullon lirshëm dhe dominon tregun, duke vrarë konkurrencën e ndershme dhe duke dëbuar çdo iniciativë legjitime.

Kjo është një ekonomi që nuk zhvillohet, por degradohet, sepse është ndërtuar mbi korrupsionin, krimin, gjobat arbitrare, shantazhin dhe frikën.

Kontratat PPP janë një tjetër formë grabitjeje e përdorur për të kaluar fondet publike në duart e pak njerëzve, pa analizë ekonomike, pa transparencë, pa garë dhe pa mbikëqyrje.

Në vend që të jenë mjete zhvillimi, ato janë kthyer në skema për të plaçkitur shqiptarët dhe për të pasuruar klientët politikë.

Emigrimi masiv i të rinjve dhe mungesa e fuqisë punëtore janë pasojë direkte e keqqeverisjes, e mungesës së shpresës, e një realiteti ku rinia nuk sheh më të ardhme në vendin e vet.

Sot Shqipëria është një vend boshatisur, ku sundojnë mafia e bandat elektorale të lidhura me pushtetin, dhe ku çdo qytetar dhe biznes që kërkon të jetojë ndershmërisht detyrohet të largohet.

Raporti i DASH e shkatërron përfundimisht propagandën e rreme të një qeverie që pretendon zhvillim, duke paraqitur në mediat e kapuara me paratë e inceneratorëve një realitet të rremë që bie poshtë çdo ditë nga faktet, nga raportet ndërkombëtare dhe nga zëri i qytetarëve.

Kjo është një qeveri që ka shkatërruar ekonominë, ka vrarë shpresën dhe ka larguar investimet sepse paratë e drogës kanë shkatërruar ekuilibrat e tregut, kanë rritur çmimet e banesave dhe po varfërojnë gjithmonë e më shumë familjet e reja.

Është qeveri e krimit, e klientëve, e mashtrimit dhe e pastrimit të parave, që të vetmen mbështetje zyrtare ka tanimë samitin e Arubës së karteleve të drogës.

Raporti i Departamentit të Drejtësisë për çështjen McGonigal, raporti i Departamentit të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, si dhe zbulimet e shërbimeve amerikane për dosjen ‘Aruba’ përbëjnë tre sinjale të qarta nga SHBA për qytetarët shqiptarë, nuk ka më kohë për të humbur me një Narkoqeveri që po e izolon vendin nga Perëndimi dhe që duhet të largohet sa më parë.

Ditën e djeshme u publikua raporti i DASH për klimën e biznesit në Shqipëri për vitin 2025. Në raport vlerësohet qëndrueshmëria makroekonomike në vend si dhe rritja me 4% nga viti 2024 e ekonomisë në sektorët e turizmit dhe pasurive të paluajtshme.

Gjithashtu DASH ka vlerësuar uljen e ndjeshme të inflacionit, kufizimin e korrupsionit pas ndërmarrjes së hapave ligjore, por pavarësisht kësaj investimet e huaja mbeten në ‘ngërç’ për shkak të pranisë së korrupsionit në sektorin publik.

K.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?