Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Gazment Bardhi e ka cilësuar, raportin e DASH për klimën e investimeve si një aktakuzë realiste mbi gjendjen ku ndodhet sot ekonomia shqiptare.
Sipas Bardhit, DASH konstaton se prania e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembërojnë konkurrencën në treg.
“Raportimi i investitorëve se mund të jenë objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale, është faktori kyç që mban larg investimet e huaja nga Shqipëria”, nënvizon Bardhi në postimin e tij.
Po ashtu Bardhi shton se për të ndryshuar gjendjen dhe për të çliruar ekonominë duhet të largohet Rama.
Postimi i plotë i Bardhit:
Raporti i vitit 2025 mbi klimën e investimeve në Shqipëri publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit është një aktakuzë realiste mbi gjendjen ku ndodhet sot ekonomia shqiptare. Ky raport provoi edhe njëherë denoncimet me fakte të opozitës shqiptare për kriminalizimin e ekonomisë gjatë qeverisjes së Edi Ramës.
Departamenti Amerikan i Shtetit konstaton se prania e madhe e të ardhurave të paligjshme nga trafikimi i drogës, kontrabanda, evazioni fiskal dhe korrupsioni shtrembërojnë konkurrencën në treg. Raportimi i investitorëve se mund të jenë objekt shantazhesh nga administrata publike, media dhe grupe kriminale, është faktori kyç që mban larg investimet e huaja nga Shqipëria.
Ligji për Investimet Strategjike, i miratuar në vitin 2015 me qëllim nxitjen e investimeve vendase dhe të huaja në sektorët strategjikë, nuk ka tërhequr shumë investime të huaja, pavarësisht zgjatjeve të shumta përtej afatit fillestar, dhe se shumica e mbi 60 projekteve të miratuara fokusohen në sektorin e turizmit dhe dominohen nga investitorë vendas.
Gjendja e trishtë e përshkruar në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit nuk ka ardhur nga hiçi. Ajo është krijuar nga Edi Rama, që investimet, lejet e licencat për biznes, në shkelje të konkurencës, i ndanë në takime private nëpër hotelet e botës apo nëpër takime sekrete me krimin e organizuar si ai në Aruba. Për të ndryshuar gjendjen, për të çliruar ekonominë nga korrupsioni e krimi i organizuar, duhet të largohet përgjegjësi i kësaj situate që është Edi Rama.
Komente
