Shqipëria këtë vit ka pritur turistë nga e gjithë bota, ndërsa shumë media prestigjioze ndërkombëtare e kanë sugjeruar atë për t’u vizituar. Së fundmi, një raport i Eurocontrol Flights tregon se Shqipëria zë vendin e parë për rritjen e fluksit të fluturimeve në Europën Juglindore. Raporti i referohet fluturimeve për javën 9-15 gusht. Krahasuar me vitin 2019, Shqipëria ka njohur një rritje prej 80% të fluksit të fluturimeve për periudhën 9-15 gusht.
Ka qenë kryeministri Edi Rama që ka ndarë këto shifra duke thënë se ky është një vit fantastik i shfaqjes së Shqipërisë turistike në sytë e të gjithë botës. Madje Rama thotë se këto shifra janë arritur pa u hapur ende edhe aeroporti ndërkombëtar i Vlorës, që pritet të shtojë fluksin e fluturimeve.
“Ja dhe Shqipëria Turistike e para në Europë për rritjen e fluksit të fluturimeve, e pa hapur ende Aeroportin e ri Ndërkombëtar të Vlorës. Kthesa e madhe ka kohë që ka nisur, po ky është viti fantastik i shfaqjes së saj në sytë e të gjithëve, si fakt i pamohueshëm i përpjekjes së gjithanshme të gjithë këtyre viteve, duke u nisur nga vrima e fundit e kavallit”, shkruan Rama.
Në raportin e Eurocontrol Flights vihet re se Shqipëria ka lënë pas jo vetëm vende nga Bashkimit Europian, por edhe Kroacinë, Greqinë, ndër vendet me truizmin më të zhvilluar në Ballkan.