Nga aeroporti i Vlorës, ku u krye fluturimi i parë certifikues, kryeministri Edi Rama tha se projekti ishte tejet sfidues. Kreu i qeverisë tha se në “trupin” e aeroportit është krijuar një shqiponjë dykrenare, duke iu referuar punonjësve nga Shqipëria dhe Kosova, që sipas të cilit, do ta ngrenë edhe më lart emrin e tij.
“Projekti s’ka qenë aspak i lehtë dhe tejet sfidues. Mjafton të shohësh pak më larg se si i gjithë aeroporti është ngritur dy metra nga sipërfaqja e terrenit, pasi terreni është 2 metra nën nivelin e detit dhe çfarë pune e jashtëzakonshme është bërë në të gjithë pjesën e padukshme për të garantuar një platformë solide të kategoritë më të lartë ndërkombëtare.”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se kompania Air Kosova do të operojë në aeroportin e Kukësit. Kompania, tha kryeministri, është regjistruar në janar të këtij viti dhe po punon për të siguruar avionët. Një datë kur mund të nisin fluturimet e kompanisë në aeroportin në qytetin verior nuk zbuloi, pasi siç tha ai me batutë, ‘datat që jap unë fusin brenda syrin e keq’.
"Në janar është regjistruar zyrtarisht kompania, një kompani e re shqiptare që do të nisë së shpejti për të mos i ndalur më fluturimet në aeroportin e Kukësit. Air Kosova do të jetë kompania tjetër shqiptare dhe këta dy avionë do të jenë dy avionët e krenarisë tonë të përbashkët. Air Albania me bazën e vet në Kosovë dhe Air Kosova do të ketë bazën e vet në Kukës. Për ta konfirmuar këtë kam sjellë me vete edhe certifikatën që të mos thonë se është fotoshop. Regjistrimi i kompanisë që në janar 2025, po punon për të siguruar avionët dhe për të filluar operacionet në territor. Nuk po jap datë se kam mësuar tanimë se këto datat që jap unë fusin brenda syrin e keq.”, tha Rama.
Rama tha se ka pasur interes për Tiranën dhe Vlorën nga kompani që merren me logjistikën e transporteve. Sipas kreut të qeverisë, edhe me zhvillimin e Sazanit, territori do të jetë një "magnet" i fuqishëm për turistët e huaj.
"Kemi pasur shprehje interesi për Tiranën dhe Vlorën nga kompani që merren me logjistikën e transporteve postare dhe rrotull do të ketë zhvillime të tjera kryesisht të turizmit dhe logjistikës. Përballë do të kemi zhvillim të jashtëzakonshëm nga pikëpamja e imazhit dhe cilësisë. Ambicia është që ky zhvillim dhe transformim të mos jetë thjesht zhvillim më tepër në hartën tonë të industrinë të turizmit. Por të jetë zhvillim qëe të udhëheqësë si model dhe të ketë forcë të tillë që të vendoset në majë në nivelin e vetë të Mesdheut. Me zhvillimin e ishullit të Sazanit dhe territorit përballë të krijojë një magnet me fuqi të jashtëzakonshme për Vlorën dhe gjithë Shqipërinë dhe të na japë mjet të ri për të tërhequr turistët që konsumojnë shumë, ata që sjellin shumë të ardhura por që kur vijnë, vijnë edhe me sytë e hapur për të parë se çfarë mund të bëjnë tejtër në këtë vend.E ardhmja është premtuese për Vlorën.", tha Rama.
Kreu i qeverisë njoftoi gjithashtu se së shpejti 'Air Albania-s' do t'i shtohen edhe dy avionë të tjerë. Po punohet gjithashtu, tha kryeministri, për të krijuar një flotë të dedikuar të avionëve të biznesit.
"Air Albania pati fazë të vështirë tranzicioni dhe tanimë ka hyrë në rrugë të re. Së shpejti do të vijnë edhe dy avionë të tjerë dhe numri i avionëve do të shkojë në 5 dhe më pas siç ka qenë plani, që po jetësohet, do të jemi 7 avionë. Po ashtu Air Albania është duke punuar për krijimin e një flote të dedikuar të avionëve të biznesit që është vlerë e madhe e shtuar për industrinë e turizmit dhe aviacionit. Edhe Tirana është gati për të pritur edhe avionët përtej oqeanit.", tha Rama.
Komente
