Reforma Zgjedhore, OSBE/ODIHR: Partitë të angazhohen për konsultime gjithëpërfshirëse! Basha: Palët të ndalin lojërat politike për interesa vetjake

24 Janar, 09:41| Përditesimi: 24 Janar, 21:10

  • Share

OSBE/ODIHR ka përgëzuar angazhimin e autoriteteve shqiptare për të rifilluar Reformën Zgjedhore të vendit para zgjedhjeve parlamentare 2025.

Në deklaratën e publikuar në rrjetin social X, drejtori i ODIHR Matteo Mecacci u kërkoi të gjitha partive politike të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në vijim.

"Ne përshëndesim vendimin e autoriteteve shqiptare për të rinovuar angazhimin e tyre ndaj këtyre reformave jetike deri tani përpara zgjedhjeve," tha drejtori i ODIHR Matteo Mecacci. "Ne u kërkojmë të gjitha partive të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në muajt në vazhdim, duke siguruar që reformat që rezultojnë të përmirësojnë procesin zgjedhor në dobi të të gjithë shqiptarëve."

Në deklaratë theksohet se është shumë e rëndësishme vendosja e objektivave me përparësi parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerjes së votave.

“Është me rëndësi vendimtare vendosja e objektivave praktike dhe realisht të arritshme që fokusohen në zbatimin e rekomandimeve të mëparshme të ODIHR-it dhe adresimin e mangësive të vërejtura gjatë zgjedhjeve të kaluara, në përputhje me standardet ndërkombëtare. Përparësitë kryesore përfshijnë parandalimin e keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerjen e votave, garantimin e fshehtësisë së votimit, ruajtjen e lirisë së medias dhe rritjen e efektivitetit të administratës zgjedhore”- thuhet në deklaratën e ODIHR.

Thirrja e OSBE/ODIHR për Reformën Zgjedhore, për Lulzim Bashën është një mesazh për të lënë lojërat politike e për të siguruar rregulla të barabarta lojë në zgjedhjet e ardhshme.

“I bëj thirrje të gjitha palëve të ndalin lojërat politike për interesa vetjake dhe të nisim punën gjithëpërfshirëse për t'u dhënë shqiptarëve një Reformë Zgjedhore në përputhje me pritshmëritë dhe aspiratat e tyre”- tha Basha.

Por Gazment Bardhi mendon ndryshe! Thirrja e OSBE/ODIHR për të, shkon drejtpërdrejtë te Lulzim Basha dhe socialistët, që të mos bëjnë, sipas tij, një proces farsë të Reformës Zgjedhore.

Në këtë kushte, Bardhi paralajmëron sërish bllokim të punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ndryshe nga Basha, që prioritet ka vendosur listat e hapura e Shqipëria një zonë zgjedhore, Bardhi thotë se Reforma duhet të nisë nga zhbërja e ndryshimeve kushtetuese që hoqën koalicionet.

Prezenca e OSBE në Tiranë është angazhuar për të asistuar një reformë gjithëpërfshirëse duke bërë thirrje për arritjen e marrëveshjeve mes palëve politike. Përfaqësuesja e OSBE/ODIHR Clarisse Pasztory zhvilloi takime me bashkëkryetarët e komisionit bipartizan për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeajn dhe Damian Gjinkurin të cilëve u bëri me dije se priste përshpejtimin e punës.

Më pas pati edhe një takim me Bardhin dhe përfaqësues të tjerë opozitarë. Por pavarësisht këtyre takimeve, deputetët e grupit Bardhi-Berisha bllokuan mbledhjen e Komisionit të Reformës Zgedhore që ishte planifikuar të mbahej në 19 janar. Bardhi tha se nuk përfaqësohen nga Alibeaj si bashkëkryetar dhe kërkoi zëvendësimin e tij. Ndërsa mbledhja e radhës së komisionit pritet të mbahet të premten (26 janar) në sallën Pjetër Arbnori.

Ora 11:12
‘Zgjedhorja’/ Basha thirrje ndaj deputetëve të Bardhit dhe Berishës: Ndalni lojërat politike për interesa vetjake, të nisim punën për reformën

1705680874_basha.jpeg

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas thirrjes së OSBE/ODIHR për partitë politike që këto të fundit ta angazhohen në konsultime gjithëpërfshirëse sa i takon Reformës Zgjedhore.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “X”, Basha u bën thirrje deputetëve të grupit Bardhi dhe Berisha të cilët bllokuan mbledhjen e 19 janarit që të ndalin lojërat politike dhe të nisin punën për Reformën Zgjedhore.

“Vlerësoj thirrjen dhe qëndrimin e OSBE/ODIHR për nevojën e menjëhershme të fillimit të punës për Reformën Zgjedhore. I bëj thirrje të gjitha palëve të ndalin lojërat politike për interesa vetjake dhe të nisim punën gjithpërfshirëse për t'u dhënë shqiptarëve një Reformë Zgjedhore në përputhje me pritshmëritë dhe aspiratat e tyre”- shprehet Basha.

B.V//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?