Tirane- Ambasadat e huaja në vendin tonë dolën sot, secila me deklaratë, duke sqaruar se nuk kanë negociuar asnjë marrëveshje politike për Reformën Zgjedhore mes PD e PS.
Reagimi erdhi një ditë pasi Basha bëri këtë deklaratë jashtë kuvendit
"Në bashkëpunim me aleatët strategjik të Shqipërisë, Partia Demokratike si udhëheqëse e këtij procesi në kuptimin thelbësor të fjalës ia ka dalë që të bind palën tjetër për të nisur punën për Komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore. Detajet besoj do të bëhen shumë shpejt publike, por unë dua të falënderojë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian, Britaninë e Madhe që kanë ndihmuar jo thjesht opozitën, Partinë Demokratike në këtë drejtim, por edhe një interes publik të jashtëzakonshëm që është shkatërrimi i skenarëve për të zvarritur edhe një herë procesin e Reformës Zgjedhore" deklaroi dje Basha.
Pikërisht këtë qëndrim nga Kuvendi, në të cilin Lulzim Basha la të kuptuar se ka ndërmjetësim, ambasadat u kujdesën ta sqarojnë.
Në radhë njëra pas tjetër, ambasada e SHBA, ajo e Bashkimit Evropian dhe ambasada britanike, thanë se nuk kanë ndërmjetësuar dialog për Reformën Zgjedhore.
"Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi" thuhet në deklaratën e SHBA-së.
“Dëshirojmë të sqarojmë se BE-ja nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim, qëndrimi ynë mbetet i njëjtë: vazhdojmë të theksojmë nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR. Reforma zgjedhore kërkon dialog politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës të të gjitha palëve” nënvizon delegacioni i BE-së.
" Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe kontruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar" sqaron ambasada britanike.
Edhe vetë Lulzim Basha që la hapësira për keqkuptim, sqaroi sot herë ai e herë përmes zëdhënëses se bëhej fjalë për mbështetje nga faktori ndërkombëtar po i jep Reformës dhe jo ndërmjetësimit për pazar politik.
“Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri”
"Z. Lulzim Basha një ditë më parë ka falenderuar për bashkëpunimin partnerët ndërkombëtarë për rinisjen e punës së Reformës Zgjedhore"
Pas më shumë se dy vitesh ngërç, puna e komisionit të Reformës Zgjedhore ka rinisur. Komisioni i Reformës pritet të mblidhet këtë të premte, me dakordësinë e dy bashkë-kryetarëve Damian Gjiknuri dhe Ekelejd Alibeaj.
Këta të fundit zhvilluan këtë të martë (16 janar 2024) takime me përfaqësusit e OSBE-ODDIHR, ndërsa jashtë axhendës së takimeve, OSBE nuk ka lënë as Gazment Bardhin, që kundërshton përfaqësimin e opozitës me Alibeajn në tryezën për rishikimin e Kodit Zgjedhor.
Në prag të nisjes së punës së komisionit për reformën zgjedhore, prezenca e OSBE në vendin tonë pati takime të veçanta me dy bashkëkryetarët e Komisionit bipartizan, Damian Gjiknuri e Enkelejd Alibeaj
Në një reagim përmes një postimi në Facebook, Alibeaj ka zbardhur takimin me ambasadoren dhe delegacionin e OSBE, ku i sigurova se për PD, Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor
Reagimi
Sot pata kënaqësinë të mirëprisja në një takim Ambasadoren në Detyrë të Prezencës së OSBE/ODIHR në Shqipëri Znj. Clarisse Pasztory sëbashku me një delegacion, për të bashkëbiseduar mbi procesin e Reformës Zgjedhore, i cili mbetet jetik për demokracinë e vendit.
Në cilësinë e bashkë-kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore i shpreha konsideratën për mbështetjen permanente të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi procesin e Reformës Zgjedhore, në përputhje me frymën e parimeve kushtetuese, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
Po ashtu, i sigurova se për Partinë Demokratike të Shqipërisë, Reforma Zgjedhore përbën prioritetin kryesor i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent për shqiptarët, në mënyrë që t’i garantohet qytetarëve shqiptarë një proces zgjedhor i lirë dhe i drejtë, nëpërmjet listave të hapura, një zonë kombëtare zgjedhore, votim për qytetarët shqiptarë në diasporë dhe proces votimi dhe numërimi elektronik.
Gjithashtu e falenderova Znj. Pasztory për konsistencën në mbështetjen e vazhdueshme të Prezencës së OSBE në Shqipëri mbi Reformën Zgjedhore dhe për ofrimin e vyer të asistencës teknike në Komisionin e Posaçëm të Reformës Zgjedhore.
Përfaqësuesja e OSBE-ODIHR, Clarisse Pasztory është takuar sot me 2 bashkëkryetarët e komisionit bipartisan për Reformën Zgjedhore, Enkelejd Alibeajn dhe Damian Gjiknuri. Nëpërmjet një posti në rrjetin social ‘X’, theksohet se OSBE mirëpret fillimin e punës ditën e premte të kësaj jave (19 janar).
“Takova sot b/kryetarët e komisionit të ref. zgjedhore Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj. Mirëpres rifillimin e punës të premten & përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë e ekspertizë nga OSBE-ODIHR. Vijojmë takimet gj/përfshirëse për këtë reformë të rëndësishme”- shprehet përfaqësuesja e OSBE.
Takova sot b/kryetarët e komisionit të ref. zgjedhore @DGjiknuri @enkelejdalibeaj. Mirëpres rifillimin e punës të premten & përshpejtimin e saj javët e ardhshme, me ndihmë e ekspertizë nga @osceinalbania& @OSCE/odihr. Vijojmë takimet gj/përfshirëse për këtë reformë të rëndësishme https://t.co/MQip07Bmeg
— OSCE Presence in Albania (@OSCEinAlbania) January 16, 2024
Edhe ambasada e britanike në Tiranë mohon të ketë ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike ndërsa bën thirrje për nxitjen e dialogut. Gjithashtu bën thirrje për një parlament aktiv.
Ambasada britanike në Tiranë ka mbështetur gjithmonë aspiratat shqiptare për një parlament dhe demokraci funksionale. Kjo kërkon struktura që u mundësojnë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur të hartojnë ligje, ta detyrojnë qeverinë të japë llogari dhe të debatojnë mbi çështje të rëndësishme, për të pasqyruar interesat e qytetarëve. Kjo përfshin zbatimin e plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet.
Ne mirëpritën thirrjen e Shkëlqesisë së tij, Presidentit, ditën e djeshme për një parlament aktiv, i cili e mban përgjegjës ekzekutivin përmes kërkesës së vazhdueshme për transparencë dhe llogaridhënie dhe për ta zëvendësuar konfliktin politik me bashkëpunim konstruktiv. Ne u bëjmë thirrje të gjithë politikanëve ta dëgjojnë këtë mesazh.
Ndërsa nuk kemi ndërmjetësuar ndonjë marrëveshje politike, ne vazhdojmë të nxisim dialogun reciprokisht respektues dhe kontruktiv në mirëbesim mes atyre që dëshirojnë ta përfaqësojnë popullin shqiptar. Kjo është në interesin kombëtar dhe gjithashtu vendimtare për besimin e partnerëve ndërkombëtarë dhe investimeve të huaja, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për të gjithë shqiptarët."
Deputetja e Partisë Demokratike, Flutura Açka ka reaguar lidhur me zhvillimet rreth Reformës Zgjedhore, duke thënë se rreth kësaj çështjeje po bëhet “shumë zhurmë” duke nxjerrë nga thelbi debatin për të.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Açka shkruan se zhurma e opozitës e mospërfshirja me seriozitet në këtë kauzë mund ta bëjë opozitën humbëse. Ajo shton se nuk mund të ketë zgjidhje pa e bërë reformën dhe se së shpejti duhet të mblidhet edhe komisioni dhe secili të sjellë propozimet e tij.
Açka shkroi më tej se të thuash se opozita nuk është e përfaqësuar dhe se Alibeaj ka nerv opozitar më pak se kushdo tjetër është “marrëzi”.
Reagimi i plotë:
Carta canta… për reformën zgjedhore
Po bëhet shumë zhurmë mbi reformën zgjedhore, duke e nxjerrë nga thelbi debatin për të: ndryshimin e sistemit që prodhon pushtet të padrejtë. Zhurma si opozitarë e mospërfshirja me seriozitet në kë kauzë, mund të na bëjë humbës, dhe kjo është bash ajo çfarë do Edi Rama. Deri tani jemi ankuar se nuk mblidhet Komisioni i Reformës Zgjedhore. Tani që mblidhet, dhe kërkon asistencë ndërkombëtare, shpallet herezi. Nuk kemi zgjidhje pa é bërë reformēn.
Së shpejti duhet të mblidhet edhe komisioni dhe secili të sjellë propozimet e tij. Por para se ta bëjë këtë, komisioni duhet të zëvendësojë anëtarin e larguar, zonjën Grida Duma. Për fat të mirë, siç duket edhe nga lista e anëtarëve, të gjitha fragmentet e Opozitës përfaqësohen.
A duhet të ishte mbledhur më parë? A duhet të ishim tani të qartë për propozimet? Po sigurisht. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet mbledhur. Ata që këlthasin më shumë, janë ata që as nuk u zverdhën dhe as nuk u skuqën nga dêshtimi i turpshëm i Reformës Territoriale. Morën honoraret nga taksat é shqiptarëve, dhe harruan.
Por të thuash se Opozita nuk është e përfaqësuar, i fyen kolegët e kësaj liste! Të pretendosh se z Enkelejd Alibeaj ka nerv opozitar më pak se kushdo tjetër nga ne të Opozitës në çfarëdo fragmenti opozitar të jemi, është një marrëzi. T’i thuash “e shitur” një pjese të Opozitës, sepse nuk tret dot qëndresën e saj, është diabolike.
Kemi vetëm një rrugë: të ulen palët dhe të gjitha propozimet të jenë në tryezë, publike dhe në të mirë të shqiptarëve, jo me fjalë, por me letra. Carta canta.
Po botoj në respekt të një opozitari të urtë e të mençur, propozimet e z. Dashamir Shehi, Kryetar i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar. Janë të afërta me propozimet e Partise Demokratike.
Dashamir Shehi:
[Reforma zgjedhore, duhet të shërbejë për të ndryshuar sistemin dhe jo për të bërë “animet” e zakonshme për të mbuluar gabimet!
Propozimet e mia kanë qënë të qarta:
1. Vendosja e sistemit Proporcional Kombëtar dhe heqja e rajoneve.
2. Hapja e plotë e listave që në parlament të shkojnë kandidatët që marrin më shumë vota.
3. Numërim elektronik ose numërues nga profesione të lira dhe qytetarë të pavarur, jo të caktuar nga partitë politike.
Kështu arrijmë të prodhojmë optimizëm, duke afruar njerëz të rinj që kanë dëshirë të merren me politikë dhe ti shërbejnë Shqipërisë.]
Ambasada Amerikane ka mohuar të jetë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi për reformën zgjedhore. Interesit të Report Tv, ambasada e SHBA-së u përgjigj me këtë reagim
“Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”
Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaron se pritet së shpejti të nisë punën komisioni I Reformës Zgjedhore.
"Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti. Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike të mishëruara në paketën e propozimeve ligjore të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë. Koha për t'ju dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës!"
Pas një periudhe të gjatë pause, komisioni bipartizan i Reformës Zgjedhore do të nisë punën të premten në orën 12:00.
Sot paradite përfaqësuesit e zyrës së OSBE-së takuan bashkëkryetarin socialist të këtij komisioni, Damian Gjiknuri një ditë pas letrës së firmosur nga dy kryetarët e komisionit bipartizan ku i kërkuan OSBE asistencë teknike
“Pata kënaqësi të takoja sot përfaqësuesit e zyrës së OSBE-së në Shqipëri me të cilët diskutuam mbi procesin e reformës zgjedhore, rifillimin e punës në Komisionin e Posaçëm Parlamentar me synim adresimin në ligjin elektoral të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
I falenderova për mbështetjen e deritanishme dhe për gatishmërinë për të vazhduar këtë angazhim edhe më tej, përmes ekspertizës më të mirë nga ODIHR, e cila do të ndihmojë komisionin për të arritur zgjidhjet e duhura teknike në funksion të adresimit të plotë të rekomandimeve” shkruan Gjiknuri në facebook.
Ndërsa më vonë në orën 14:00 axhendën do e vijojnë me bashkëkryetarin e dytë të këtij komisioni, Enkelejd Alibeaj.