Politikë

‘Reformën s’e solli Amerika dhe BE me aeroplanë dhe anije’, Rama: Keni parë kryeministër që vriste protestuesit! Dumani ka qenë prokuror ato vite, por s’ia dëgjuam emrin

17 Prill, 09:15| Përditesimi: 17 Prill, 11:36

  • Share

Në rubrikën Sy m’sy, kryeministri Edi Rama tha se qeveria e tij i dha shpatën e drejtësisë Altin Dumanit, sot në krye të SPAK, prokuror edhe kur Berisha sipas tij vrau 4 vetë në boulevard 21 janarin e vitit 2011. Kreu I qeverisë e vlerëson Dumanin prokuror të zotin edhe në këto vite, por pa fuqi as për të thërritur Sali Berishën, I cili në ekran quajti “lavire bulevardi” prokuroren e përgjithshme në atë kohë, Ina Rama.

“E përfytyroni sot që të dali të çoi letra Altin Dumani për të thirrur, për të kërkuar llogari për këtë punë dhe unë të dal në televizor e ti them popullit që ai është një lavire. I përfytyroni dot?”, tha Rama gjatë komunikimit me qytetarët live në rrjetet sociale.

“Nëse sot ka ish ministra, zyrtarë bashkie...në probleme të hapura me drejtësinë si erdhi kjo ditë. E solli zoti vetë, pa ndihmën tonë. E solli Amerika me aeroplan këtë ditë apo BE me anije? Se Amerika dhe BE aty kanë qenë që në 91. Ti jo vetëm që nuk ke parë kurrë në jetën tënde një ministër apo kryetar bashkie, individë të fortë të lidhur me pushtetin, qoftë kriminelë që të jenë nën goditjen e shpatës së drejtësisë por ke parë gjëra të kundërta me këtë, ke parë qeveri, kryeministra që vrasin njerëz. Këtu poshtë dritareve janë vrarë njerëz të pafajshëm, qytetarë që erdhën të protestojnë në dritaret e kësaj godine u bënë frëngji nga ku dolën pushkët e shtetit. Ke parë qeveri që hedhin në erë zona të banuara, vrasin, plagosin njerëz dhe shkatërrojnë prona. Jo në film, por në realitet në Tiranë dhe s’ju ka hyrë gjemb në këmbë. Ke pasur këtu në Tiranë presidentë që kanë hedhur Shqipërinë në erë, provokuar vrasjen e 4 mijë njerëzve duke nxitur popullin që të fusin lekët nëpër piramida.

S’po të çoj as kur vinim me armë dhe me ato murtajat që mbahen në krahë këtu përpara kryeministrisë për të marrë pushtetin, që sot duan të bëjnë Shqipërinë madhështore. S’ke parë asnjëherë një prokuror që t’i thërrasë këta deri para pak vitesh. Altin Dumanin kur e ke dëgjuar, e ke dëgjuar para 10 apo 15 vjetësh, e di ti që Dumani ka qenë prokuror në ato vite që unë po flas, por s’ia ke dëgjuar emrin. I zoti, i përkushtuar, i ndershëm patjetër, i vendosur por s’ka thirrur ndonjëherë ndonjë që t’i thotë hajde këtu ti ‘ Si i vrave 4 veta?’ Sepse nuk e kishte shpatën. Kë të thërriste. Madje shefja e madhe e Dumanit ishte prokurore e përgjithshme vetëm se çoi një copë letër për disa drejtues policie dhe hajdeni t’ju pyes u gjend në pozitën që të shohë kryeministrin në televizor që thotë se ajo është një lavire.”, u shpreh Rama.


Lajmi kryesor:

Rama: Tirana, epiqendra e politikës evropiane më 16 maj! Marrim më shumë se 74 mandate në zgjedhje! Thirrje demokratëve: S’merrni asgjë nga këneta, s'ia hoqën non gratën


Xh.D/SI.E./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    A besoni se zgjedhjet do ndikojnë në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së?