Ndizet drita jeshile për fshatin piktoresk të Dukatit në Vlorë. Qendra e fshatit është në fazën përfundimtare të rehabilitimit, duke i kthyer dinjitetin kësaj zone me kaq histori dhe me natyrë mbresëlënëse.
Në sajë të projektit 100 fshatrat, në bashkëpunim me ambasadën zvicerane dhe atë Autriake, bashkia e Vlorës ka investuar për rikualifikimin total urban të kësaj zone.
Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, inspektoi punimet nga ku u shpreh se në këtë projekt janë përfshirë edhe shumë objekte të cilat do të jenë atraksion për turistët si kullat e Dervish Haliut dhe “Shkolla e kuqe”, e cila njihet si një shkollë me histori të vjetër, por që prej vitesh kishte ngelë një gangrenë në qendrën e fshatit.
Banorët e Dukatit shprehen se ky projekt do të rrisë ekonominë e vendit dhe do të pakësoje emigrimin e të rinjve.
Ky projekt synon rritjen e turistëve dhe nëpërmjet tyre përfitimet evidente në bizneset e fshatit, restorante apo kafene, si edhe në zhvillimin e aktiviteteve lokale si artizanati apo produktet tipike të zonës. Fshati Dukat është një nga qendrat e banuara me te vjetra ne rajon.
Dëshmitë e para historike mbi këtë zonë datojnë që në fillimet e mijëvjeçarit të parë pas Krishtit. Me nje histori të gjatë dhe tradita të pastra, fshati Dukat është një dëshmi e pastër e identitetit të jugut te Shqipërisë.