Rënia e euros ‘rrënon’ eksportuesit, humbjet si të pandemisë! INSTAT: Nga janari në gusht, eksportet u ulën me 28 mld lekë

19 Shtator 2023, 14:09| Përditesimi: 20 Shtator 2023, 08:30

  • Share

Bizneset eksportuese në vend kanë humbur 28 miliardë lekë, nga janari deri në gusht. Shkaqet kryesore janë zhvlerësimi i euros kundrejt lekut si dhe ulja e çmimeve të produkteve të ndryshme në tregjet e huaja, duke qenë se inflacioni është në rënie në raport me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave në tetë muaj eksportet arritën në 299.6 miliardë lekë nga 327.7 miliardë lekë që ishin vjet për të njëjtën periudhë.

Kjo trajektore negative nisi që në muajin mars kur filluan edhe luhatjet në kursin e këmbimit, por që është thelluar më shumë në muajin gusht pasi eksportet kanë regjistruar rënie me 21.9%. Në vlerë eksportet muajin e kaluar ishin 27 mld lekë nga 35.1 miliardë lekë që ishin vjet.

Nënçmimi i euros përkundrejt lekut, ka bërë që eksportuesit t’ju rikthehen humbjeve si në vitin 2020 kur ekonomia ishte e izoluar prej pandemisë, dhe eksportet ranë me 21.1%.

Grupet që kanë pasur reduktimin më të madh të eksporteve në muajin e kaluar por edhe gjatë tetëmujorit janë ato të materialeve të ndërtimit dhe të tekstileve e këpucëve.

Sasia e materialeve të ndërtimit të eksportuara jashtë vendit gjatë këtij viti është rritur, por vlera monetare e përfituar prej tyre është në rënie të ndjeshme. Konkretisht nga janari deri në gusht këtë vit janë eksportuar 52.1 miliardë lekë materiale ndërtimi, ndërkohë që vjet vlera eksporteve arrinte 77.6 miliardë lekë.

E njëjta gjë ka ndodhur edhe me biznesin fason, i cili po vuan më shumë nga zhvlerësimi i euros. Nëse vjet eksportet e tekstileve dhe këpucëve ishin 87.7 miliardë lekë, këtë vit ato kanë zbritur në 85.3 miliardë lekë.

Rënia e euros ndikon në fitimet e eksportuesve për shkak se bizneset i shesin produktet në vendet e huaja në euro, dhe konvertimi i kësaj monedhe në lekë është shumë më i ulët se në vitin e kaluar.

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?