Politikë

Protesta për Veliajn/ Beqiri: Kreu i GJKKO s’i çoi shkresë SHBA e Britanisë sepse i kanë shpallur ‘non grata’ Berishën, i politizuar! Galdini: SHBA nuk ikën! Tafani: Trump u tërhoq! Logu: Rama bën fushatë

18 Shkurt, 21:46| Përditesimi: 19 Shkurt, 07:03

  • Share

Emisioni ‘Repolitix’ trajtoi sot (18 shkurt) çështjen më të nxehtë të ditëve të fundit, që ka të bëjë me arrestimin e kryebashkiakut Erion Veliaj, por edhe reagimet politike dhe beteja Rama-Berisha ndaj SPAK.

Të ftuar në studion e Report TV, nga moderatori Denis Minga, ishin avokati Idajet Beqiri, Besart Logu, avokat pranë PD, kreu i LRE, Arian Galdini dhe analisti Endri Tafani.

Rama sot pranoi se “SHBA është tërhequr nga SPAK” dhe se “garanci jam unë”. Por a mund të funksionojë drejtësia dhe SPAK pa mbështetjen e SHBA-ve, teksa Berisha kërcënon me shkrirjen.

Gjithashtu u diskutua për reagimin e Veliajt nga burgu, që akuzon se “prokurori me dy fytyra më ka arrestuar pa prova”, kurse ambasadat po heshtin prej ditësh.

Avokati Idajet Beqiri mendon se presidenti Donald Trump ka trazuar botën dhe kjo ka ndikuar edhe Shqipërinë, por gjithashtu shprehu bindjen se amerikanët nuk e kanë braktisur SPAK dhe vendin tonë. Në lidhje me mospërfshirjen e ambasadës së SHBA në deklaratën që u bë nga GJKKO ndaj sulmeve të institucionit, pas arrestimit të Erion Veliajt, si dhe grumbullimin e mbështetësve të kryebashkliakut te institucioni gjatë masës së sigurisë, avokati kujtoi një detaj interesant.

Gjyqtari i çështjes është edhe drejtues i GJKKO-së aktualisht. Beqiri tha se Erion Bani është një gjyqtar politik dhe ka menduar në radhë të parë për partinë kur nuk ka përfshirë ambasadën e SHBA dhe të Britanisë së Madhe, sepse shtetet e tyre kanë shpallur “non grata” Sali Berishën.

“Donald Trump e ka trubulluar shumë botën, sa ka bërë edhe liderët e Europës të flasin me vete dhe thërrasin samite. Reflektime do ketë edhe tek ne në Shqipëri, patjetër. Ne nuk duhet t’i marrim seriozisht deklaratat e tanëve këtu, edhe këtë të Gjykatës së Shkallës së parë të GJKKO, që të heqi një ambasadë apo të shtojë një tjetër në deklaratë. Kryetari i GJKKO nuk është i pavarur, është i politizuar, shikon partitë dhe jo detyrën, ai është edhe gjyqtari edhe drejtuesi i GJKKO, e pret një gjë të tillë, nuk ia dërgon ambasadës së SHBA edhe Britanisë, se mendon se ka shpallur non grata Sali Berishën. Kurse BE-së ia çon ai se jemi vend që do hyjmë në BE”, thotë avokati.

Kurse për deklaratat e Ramës ai mendon se kryeministri i bën në dy aspekte; për t’i thënë Berishës se nuk do fitojë dot dhe SPAK-ut se tani që Amerika është tërhequr dhe tani janë ata.

“Rama bën politik dhe e bën në dy aspekte. E para ndaj Berishës ku i thotë do të mund dhe nuk vjen në pushtet. E dyta se kujton reformën në drejtësi si iniciues me PS-në për ta realizuar dhe madje fitoi edhe zgjedhjet. Ndaj i shkon kësaj teze dhe thotë përsëri jemi ne, ata janë tërhequr, sepse opinioni ëhstë mbushur me faktin se s’po jepen fonde. Amerika nuk është tërhequr nga SPAK, përkundrazi janë shtuar forcat. Në çdo zyrë të SPAK ka pasur nga një agjent të FBI-së, tani kanë ardhur edhe 10 të tjerë”.

Analisti Endri Tafani shprehet se administrata e Trump nuk e ka pasur prioritet reformën në drejtësi dhe luftën ndaj korrupsionit në Shqipëri, teksa është tërhequr edhe nga Europa.

“Po shohim atë që pritej me ardhjen e Trump, pritej një tërheqje, lënia e Ukrainas, territoret atje, mosangazhimi në projektet e Amerikës. Edhe pjesa e reformës në drejtësi pritej që s’do kishte atë mbështetje. Në SPAK ishte Arben Kraja dhe nuk u bë asnjë goditje e madhe, ishte në administratën e Trump atëhere, kjo tregonte se nuk kishte insistim në atë kohë. Insistimi erdhi me Biden. Edhe presioni i Yuri Kim u rrit në kohën e Biden ndaj Dumanit dhe SPAK. SHBA ka tërheqje nga e gjithë Europa faktikisht, apo edhe nga Balltikut që do ishte thikë pas shpine për BE. Mosreagimet lidhen me faktin se ka mpirje të administratës dhe ambasadave, pra presin reagime nga Presidenti, ndaj edhe në Shqipëri nuk pritet reagim nga ambasada e SHBA”, shprehet ai.

Kreu i partisë LRE, Arian Galdini, ndan mendimin se SHBA nuk po e braktis SPAK-un siç e thotë Rama.

“Nuk e di nëse duhet marrë seriozisht Rama, sepse ishte në internet. Ka kundërshtuar dy-tre herë veten. Mua më duket lojë e brendshme, s’ka të bëjë me SHBA. Po i jep mesazh strukturave të drejtësisë në vend që të bëjnë kujdes sepse është ai. Nuk mendoj se SHBA është tërhequr nga SPAK, por koha kur thotë se prit pak. SHBA është në një situatë kur ka shkundje nga ardhja e Trump për luftën ndaj korrupsionit. Pra ajo që Elon Musk e quan luftë kundër burokracisë. Pra po bën reforma antikorrupsion. Unë mendoj se Berisha-Rama kanë marrëveshje mes tyre. Nëse do fitonte Harris do i shërbenin Ilir Metën. Kurse tani që fitoi Trump, sakrifikuan ‘princin e kurorës”. Rama nuk po e mbron Veliajn. Ata po thonë se në krye të PS nuk do jetë një njeri i Sorosit në të ardhmen. Kjo është pjesë e lojës dhe intrigës. Nuk mendoj se ambasada e SHBA, DASH apo Trump janë tërhequr nga SPAK dhe Shqipëria. Trump do e mbajë SPAK si çekan në kokën e Ramës, Berishës e të tjerëve”, thotë Galdini.

Besart Logu shprehu mendimin se Rama po bën fushatë dhe se reforma në drejtësi u ndikua nga Soros. Kurse SHBA po bën riformatimin e shërbimit të diplomacisë së jashtme.

“Rama po bën fushatë elektorale, në 12 vite po shënon rekordet kriminale të bashkëpunëtorëve të tij. Reforma në Drejtësi ka pasur edhe ndihmën dhe ndikimin e fondacionit Soros që nga 2015. Në shkresë mungon ambasada amerikane. Kreshnik Spahiu e tha te ju se ambasada ka mbyllur qepenat. Realisht i ka mbyllur se po bën riformatimin e diplomacisë, është dërguar qarkore nga DASH, po bën riorganizimi. Dhe derisa të marrin orientimet e radhës, nuk bëjmë deklaratë. Riorganizimi i shërbimit të jashtëm është në proces. Edhe kreut të GJKKO i është kërkuar që të mos e futi si pjesë të politikës së brendshme. Prokurorët e SPAK nuk shpikin rrotën, hetimet bëjnë, por dikur kanë pasur mbështetjen e të huajve që u thoshin hetoni se jemi ne. Tani nuk i kanë”, shprehet Logu.

Ora 22:47
Beqiri: Disa individë në SPAK e GJKKO po sabotojnë, mbështetja ka rënë nën 50%! Saliu ka hallin e Shkëlzenit dhe Argitës! Tafani: Berisha po ia kalon Enverit! Galdini: Rama e do drejtësinë për vete

 

Debate të forta në studion e Repolitix në Report Tv mbrëmjen e sotme.

Diskutimet përplasën të ftuarit në lidhje me SPAK-un dhe GJKKO-në, si dhe kërcënimet që Berisha dhe Rama i kanë bërë ditët e fundit.

Arian Galdini mendon se Berisha bën fushatë politike me SPAK, pasi nuk ka mundësi reale për ta shkrirë. Madje ai thotë se Rama kërkon pjesën e tij te drejtësia dhe reforma ka nisur vërtetë nga PS më 2013 dhe në vijim, pasi kryeministri donte ta kontrollonte vetë. Sipas Galdinit, së shpejti SHBA do e rimarrë në dorë SPAK-un.

“Berisha kujton se SPAK është Rripi i Gazës për të cilin ka folur Trump se do e shkrijë. Nuk mendoj se e kërkon këtë, është fushatë elektorale. Mendoj se nuk e kanë fuqinë, madje as e kanë pasur dhe as do e kenë. Unë mendoj se reforma në drejtësi është ideuar nga Edi Rama, se e donte për vete që ta kontrollonte. Meqë drejtësia ishte bërë nga Nano, Berisha dhe Meta, ai donte pjesën e tij dhe kërkoi ndihmën e partnerëve për të bërë këtë turbullirë të madhe dhe për ta pasur në dorë drejtësinë. Por ama nuk e kontrollon dot drejtësinë. SHBA do e shfaqi natyrën e saj shumë shpejt. Trump do e rikthejë Amerikën në rolin e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare. Unë mendoj se struktura e re e drejtësisë, SPAK, do jetë në duart e SHBA-ve. Rama dhe Berisha janë në ditët e tyre më të këqija. Hera e parë që PS hyn në listë me kandidatë për deputetë me apel burgu. Unë mendoj se SPAK do punoj deri më 11 Maj dhe këta s'do e ndalin dot”, thotë Galdini.

Idajet Beqiri ndau mendimin se në SPAK dhe GJKKO ka disa individë që i shërbejnë politikës dhe sabotojnë punën e institucionit. Por pavarësisht kësaj drejtësia do vijojë, edhe pse ngjarjet e 6 ditëve të fundit sipas tij, ia kanë rrëzuar imazhin drejtësisë së re deri nën 50% nga rreth 90% që ishte më parë.

“Rama dhe Berisha në pikëpamjen institucionale të tyre, nuk ka ndikim te SPAK dhe GJKKO. Por te individë të caktuar brenda këtyre strukturave, Berisha ka njerëzit e vetë, ka ndikim te disa njerëz të vetë. Nuk bëjnë politikën në institucion, por vënë shkopinj nën rrota, e sabotojnë SPAK, e nxjerrin nga shinat normale. I bie reputacioni nga 90% dhe në gjashtë ditë shkon nën 50%. Ka rënë këto ditë. Që do të thotë se probleme brenda këtyre strukturave ka. Ato që thotë Berisha për SPAK-un them se ai nuk i beson as vetë ato. Në pushtet mund të vijë, por kurrë me 94 vota, Kushtetutën s’e ndryshon dot. PS nuk e mbyt dot krijesën e vetë, se po mbyti atë, mbyt edhe veten. Ndaj fitoi më 2013, se do bënte reformën në drejtësi. SPAK ka ngritur stekën, të tërë po binden se para ligjit do jenë të barabartë të gjithë. Nuk rikthehet kurrën e kurrës më te Saliu”, shprehet avokati.

Më tej shpjegon edhe sjelljen e Berishës me dy standarde dhe arsyet pse kërcënon SPAK-un, duke kujtuar se ish-kryeministri ka hallin se po i afrohen hetimet ndaj djalit për Gërdecin dhe vajzës për Fazlliçin dhe Lazareviçin.

“Për mbështetësit e Veliajt ai reagoi e tha kanë shkuar s’po lënë gjyqtarët të punojnë. Të nesërmen del e thotë se do e shkrijë. Ka deficenca personale dhe jo mendore. Sa shikon se Gërdeci do ia marri Shkëlzenin shumë shpejt, sa merr vesh se edhe Argita ka kaluar nën hetim për lidhjet me Fazlliç dhe Lazarevic, ai del e thotë do e shkrij SPAK-un. Ti duke thënë se do e shkrij humbet shumë. Arrestimi i Erion Veliajt ishte politik. Saliu i dha 108 mln euro Fazlliçit me vendim qeverie dhe mori vetë miliona të tjera, ju merreni me 75 mijë euro fustane dhe brekë, e kuptoni ku jeni ju? (i drejtohet Logut). Kurse për çështjen e bufit që publikon Rama, duhet të dini se personifikimi që i bën Berishës do të thotë se e ka si hajmali, se e ka mundur dhe do e mundë përsëri. Bufi nuk është shpend i keq, është i butë dhe mbahet si hajmali dhe Rama ia thotë me mesazh”, thekson Beqiri.

Por Logu e kundërshtoi Beqirit për sondazhet e SPAK, duke e cilësuar PS si organizatë kriminale. Ai mbrojti Berishën për kërcënimet ndaj SPAK-ut, duke thënë se i ka bërë deklarata në gjaknxehtësi:

“Rama i hoqi dritat në GJKKO, i tha mesazhin se ju fik llambat. Bllokuan rrugën e prokurorit. Administratë që shkoi në orarin e punës në tubim te GJKKO. Veliaj është zyrtari i parë që arrestohet në zyrë, sepse ishte i rrezikshëm. PS është organizatë kriminale. Berisha deklaratën për SPAK e ka thënë në nxitim e gjaknxehtësi. Por qëndrimi i PD është se drejtësia do rishikohet nën kujdesin e Komisionit të Venecias”.

Kurse analisti Endri Tafani mendon se ata po përgatisin bashkëpunimin e radhës.

“Deklaratat Berisha dhe Rama ndaj njëri-tjetrit dhe SPAK kanë të bëjnë me marrëveshjen e radhës mes tyre. Po përgatisin marrëveshje bashkëpunimi, ashtu siç bënë edhe me Kodin Zgjedhor, Disaporën dhe të tjera. Berisha po bën 34 vite, po ia kalon edhe Enverit. Berisha i ka sulmuar të gjithë prokurorët, ka qenë i pafat me ta, me Sollakun, Haxhinë etj., ose mbase kanë ngrënë kumbulla pas kurrizit të tij, si këta të Ramës”, tha ai.

Ora 22:14
‘Repolitix’/ Tafani: Sherifi i ri për Shqipërinë do jetë Europa! Beqiri: BE na i ka futur këmbët në një këpucë, objektiv integrimi! Galdini: Rama-Berisha do shkrijnë SPAK

 

A do të ketë një “sherif” të ri Shqipëria tani pas tërheqjes në dukje të SHBA-ve? Për këtë temë debati mendimet në studion e ‘Repolitix” ishin të ndara.

Por të ftuarit pranuan njëzëri se presidenti Donald Trump dhe SHBA po mbajnë qëndrime të ashpra ndaj Europës dhe kjo lëvizje prek edhe Shqipërinë.

Megjithatë disa prej tyre theksuan se “sherifi i ri në qytet” do të jetë BE-ja.

“Sherifi i ri në Europë mund të jetë BE-ja, gjithashtu edhe për Shqipërinë. Besoj se sherifi i ri në qytet nuk është Donald Trump dhe SHBA. Ato që Trump ka mbështetur në Europë gjatë zgjedhjeve kanë humbur në zgjehdje, kujtoj këtu Le Pen në Francë dhe në pritje Ficon në Sllovaki”, tha analisti Endri Tafani.

Kurse Arian Galdini ishte kundër këtij konkluzioni analitik, teksa theksoi se qëllimi i Ramës dhe Berishës është shkrirja e SPAK-ut.

“Nëse Trump do, mund ta fshijë Europën. Presidenti i SHBA e shkrin BE-në. Kurse qëllimi i Ramës dhe Berishës është që ta zhdukin SPAK, ta shkrijnë”, u shpreh kreu i LRE.

Avokati Idajet Beqiri shprehu bindjen se institucionet e reja të drejtësisë do kenë mbështetje të mëtejshme dhe do vijojnë, pavarësisht ndryshimeve politike të SHBA-ve ndaj Shqipërisë. Ai tha se tani Shqipëria do jetë me kokën nga BE dhe objektivit drejt integrimit më 2030 në BE.

“Një foshnjë që lindi pas 28 vitesh (reforma në drejtësi), një vend ku nuk kishte as prokurorë dhe as gjyqtarë, që nuk jepej drejtësi, ku mbusheshin burgjet me fakir-fukarenj dhe ku zyrtarë edhe nga ata që bënin krime, nuk futeshin brenda. Kjo u thye në 2013, u ndryshua nga PS-ja, u ndryshua në ligje dhe kode dhe u formësuan institucione që janë perspektiva të vendit për në BE. Dhe na i ka futur këmbët në një këpucë Europa, se na do më 2030 në BE. Detyrimisht kokën do e kesh nga BE. Edhe ne këtu do vemi, si vendet e tjera që nuk kanë më xhandarë amerikanë. Trump ka qëllimin që ta bëjë Amerikën një superfuqi super të madhe botërore, ekspansion i gjallë në fushën ekonomike, sa kërkon edhe Groenlandën apo Panamanë”, shprehet avokati.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Primaret në PD, a mendoni se do të jetë një proces i drejtë?