Albana Vokshi i ka bërë një kërkesë kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali së bashku me grupin e PD-së, ku kërkon marrjen e masave disiplinore për 3 deputetë të mazhorancës, Plarent Ndrecës, Ilir Metajt dhe Erion Braçes.
Sipas Vokshit në dokumentin që disponon Shqiptarja.com dhe Report Tv, seancën e fundit të këtij komisionit në 9 tetor, Metaj dhe Ndreca kanë ushtruar dhunë verbale ndaj saj. Në këtë mes shton Vokshi ka ndërhyrë dhe Braçe, i cili nuk është pjesë e këtij komisioni, por ka ardhur në sallë duke fyer Vokshin.
Ajo kërkon dhe masë disiplinore për sekretarin e përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj pasi sipas sipas Vokshit ka penguar funksionimin e komisionit duke moslejuar futjen e deputetëve të opozitës në komision.
'Të fillojë procedurën parlamentare për zëvendësimin e zëvëndëskryetarit dhe sekretarit të Komisionit Hetimor, të cilët në mënyrë të përsëritur kanë shkelur rregullore e Kuvendit dhe Ligjin për Komisionet hetimore duke penguar hetimin parlamentar;
Të paralajmërojë 6 deputetët e tjerë të mazhorancës për detyrimet e tyre ligjore si anëtarë të Komisionit Hetimor;
Të urdhërojë lejimin e anëtarëve të Komisionit Hetimor të cilët janë përjashtuar në mënyrë antikushtetuese nga ana e Sekretariatit të Procedurave dhe Etikës. Jo vetëm për faktin që përjashtimi është antikushtetues, i pabazuar në Rregullore dhe jo proporcional, por sepse këto «dënime në masë», «dënime kolektive» në asnjë rast nuk duhet të pengojnë punën e Komisioneve Hetimore të cilat funksionojnë me ligj të posacëm e kanë një afat kohor të caktuar. Ndërkohë që nga ana e 24 deputetëve të PD është bërë ankimim në Byronë e Kuvendit e cila ende nuk është mbledhur duke mohuar të drejtën për ankimim të deputetëve të opozitës;
Të nisë procedurat për marrjen e masave disiplinore për deputetët dhunues verbal: Plarent Ndreca, Ilir Metaj dhe Erjon Brace.
Të nisë procedurat për marrjen e masave disiplinore ndaj Sekretarit të Përgjithshëm për shpërdorimin e postit dhe abuzimin me detyrën e tij duke urdhëruar veprime që pengojnë mbledhjet e komisioneve dhe hetimin parlamentar.', thuhet në kërkesën e Vokshit dhe PD-së drejtuar Spiropalit.
Lajmi kryesor:
Dështon sërish Hetimori i Shëndetësisë, Vokshi kërkesë Spiropalit për zëvendësimin e Ndrecës dhe ndëshkimin e 3 deputetëve: Do bëjmë dhe kallëzim penal
G.K//ReportTv.al