Viti i ri shkollor nisi këtë të hënë për mbi 345 mijë nxënës në Shqipëri, ndërsa 26,500 fëmijë u ulën për herë të parë në klasën e parë. Emocionet e ditës së parë ishin të mëdha për fëmijët, prindërit dhe mësuesit.
***
Këtë të hënë nisi viti shkollor për 345 mijë nxënës në të gjithë vendin, ndërsa 26 mijë 500 ulen për herë të parë në banka.
Këtë vit në bankat e rreth 1400 shkollave në të gjithë vendin janë rreth 5000 nxënës më pak së sa vitin e kaluar. Rënie ka edhe mes të vegjëlve që nisin klasën e parë, vjet ishin 28 mijë, pra këtë vit rreth 1500 më pak.
Edhe këtë fillim viti shkollor rënia ka qenë progresive, si çdo fillim shtatori gjatë dekadës së fundit. Rënia e lindjeve, emigracioni dhe efektet pas pandemisë po e thellojnë gjithnjë krizën e regjistrimeve në sistemin arsimor shqiptar.
Të dhënat e INSTAT tregojnë një tkurrje prej 10% në periudhën 2020–2025, me rreth 61 mijë nxënës më pak në sistemin e arsimit bazë 9-vjeçar, ndërsa në një periudhë edhe më të gjatë, që nga viti 2015 deri më 1 janar 2025, numri i nxënësve në arsimin ka rënë me 31%, ose 112 mijë më pak.
Situata ka prekur të gjithë zinxhirin, nga regjistrimet në çerdhe e kopshte e deri në shkollat e mesme.
60 nxënës të klasës së parë nisën rrugëtimin e tyre të ri në shkollën ‘Jeronim De Rada’ në kryeqytet. Disa të gëzuar, e të tjerë me lot në sy nga emocionet e ditës së parë, ngjitën shkallët e shkollës. Por përtej të vegjëlve, plot emocion ishin edhe prindërit.
“Sot është dita e parë. Mbesa ime shkon në klasë të parë. Jam shumë e gëzuar”.
“E vogla shkon në klasë të parë edhe me zor e prisnim”.
“Është kënaqësi e madhe”.
Entuziazmi i fëmijëve ishte i dukshëm.
“Më pëlqen të bëj detyra”.
“Do kënaqemi me shokët e mi. Do dëgjojmë mësuesen e do kënaqem shumë këtu”.
“Më pëlqen shumë klasa e parë. Më pëlqen shumë të mësoj edhe jam shumë i zgjuar”.
“Më pëlqen të lexoj edhe të mësoj”.
I ka kushtuar 20 vite mësimdhënies, një punë, siç thotë edhe vetë Daniela Belshi, mund të bëhet vetëm me pasion.
“Nëse e dashuron punën, e do punën, punon me pasion dhe me dashuri, çdo gjë ecën dhe vështirësitë zhduken edhe rruga bëhet më e bukur, më e lehtë”, shprehet mësuesja.
Drejtoresha e shkollës, “Jeronim de Rada”, Entela Alushi, sqaron ndryshimet që ka sjellë ky vit i ri shkollor, duke vendosur një fokus të veçante të nevoja e ndihmës psiko-sociale të fëmijët, sidomos në luftën kundër bullizmit.
“Ka qenë që nxënësit nuk e mbanin celularin gjatë orës së mësimit. Sivjet prindërit do të japin një deklaratë për këtë dhe do të mblidhen. Edhe nga shërbimi psiko-social duhet bërë një punë më e madhe për të evidentuar problemet se shpeshherë ato janë të fshehura dhe nuk arrijnë të evidentohen”.
Edhe këtë vit shkollor nuk është arritur të shmanget mësimi me dy turne në disa shkolla 9-vjeçare në kryeqytet, si në "Fan Noli", "1 Maj", "17 Shkurti", "Klodian Tanushi" e disa të tjera.
Teksa 30 shkolla të rikonstruktuara hapën dyert për nxënësit, të tjera pritet të nisin rehabilitimin këtë shtator. Sipas një hulumtimi të Report Tv, vetëm në muajin gusht janë hapur 7 tenderë për rikonstruksion të shkollave 9-vjeçare.
Komente
