Lepenica e Vlorës është një ndër vendbanimet më të hershme që daton në periudhën e Neolitit të vonë. Është pikërisht kjo pikturë shkëmbore, që gjendet 800 metra mbi nivelin e detit e cila fakton historinë 5 mijë vjeçare.
Ky nuk është një zbulim i ri, sepse këtu ka shkelur në fillim të viteve ’70 arkeologu i njohur, Muzafer Korkuti, i cili ka identifikuar 19 figura antropomorfe dhe 8 figura gjeometrike të çrregullta, që hedhin dritë mbi besimet dhe kulturën e banorëve të lashtë të kësaj zone. I ri është fakti se Shpella e Shkruar e Lepenicës ka marrë vemendjen e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe pritet së shpejti të shpallet monument kulture. Aktualisht ka vetëm statusin 'mbrojtje paraprake'.
“Ajo është një pikturë shkëmbore, por ekzistojnë edhe hipoteza që mund të ketë qenë një lloj faltoreje e periudhës prehistorike, e lidhur me besimet e kohës. Në pjesën veriore të vendit janë gjetur piktura të ngjashme, por disa prej tyre i përkasin periudhës së Mesjetës”, tha arkeologu Krediljan Çipa.
“Piktura është kompozuar në pjesën e brendshme shkëmbore me një kompozim prej 19 figurash antropomorfe dhe 8 figura gjeometrike të çrregullta, të cilat kishin në qendër të tyre figurat antropomorfe. Katër prej figurave janë vendosur vertikalisht, ndërsa të tjerat horizontalisht”, shton ai.
Me marrjen e këtij statusi, do të nisë dhe restaurimi, sepse pas viteve ’90-të fatkeqësisht banorët e zonës e kanë dëmtuar pikturen duke shkruar emra e shenja të tjera që demtojnë gjurmët e historisë.
“Pas viteve ’90 ka pësuar dëmtime të shumta nga aktet vandale dhe mbishkrimet e njerëzve, të cilat kanë dëmtuar sipërfaqen ku është kompozuar piktura shkëmbore. Përveç kësaj, zjarret e ndezura nga blegtorët e zonës kanë shkaktuar rënien e korës së tavanit, duke sjellë shkëputjen e disa figurave të vizatuara”, u shpreh arkeologu Krediljan Çipa për Report TV.
Rruga për të arritur deri këtu është e vështirë por jo e pamundur. Nisemi nga qyteti i Vlorës dhe për 45 minuta mbërrijmë në qendër të fshatit Lepenicë, duke ndjekur rrugën e Lumit të Vlorës, teresisht e asfaltuar. Ndërsa nga qendra e fshatit deri tek guroret rruga është e paasfaltuar dhe përshkohet për 30 minuta. E mandej ngjitemi për afro 30 minuta të tjera, në këmbë, në terren malor. Këtu jo vetëm mund të shihni pikturën e rrallë shkëmbore e vetmja ne Jug të vendit, por mund të shijoni dhe një panoramë të mrekullueshme të gjithë luginës së lumit Shushica, ndryshe Lumi i Vlorës.
“Kjo formë arti është unike në territor dhe konsiderohet si piktura shkëmbore më e mirë dokumentuar dhe e datuar, krahasuar me format e tjera të artit shkëmbor të gjetura në vend. Konkluzioni ynë është se piktura shkëmbore e Lepenicës ruan integritetin e saj dhe vlerat autentike. Ajo është e rikuperueshme dhe e restaurueshme deri në një farë mase. Për më tepër, kemi arritur edhe në datime të reja mbi periudhën kur mund të jetë pikturuar, vijon ai.
Mbrojtja e Shpellës së Shkruar të Lepenicës pritet të sjellë zhvillim të turizmit historik e natyror në gjithë zonën e Lumit të Vlorës.
Komente
