Kronikë

Dosja/ Administratorja e kompanisë që ‘dhuroi’ projektin për rrugën Korçë- Ersekë falsifikoi aktin në emër të Komisionit të Bashkisë! Bisedat me Isain

26 Shtator, 12:05| Përditesimi: 26 Shtator, 17:23

  • Share

Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë apo dhe i Ujësjellësit Ersekë e të disa fshatrave, si dhe 2 prokurime për supervizim dhe mbikëqyrje punimesh për secilën, ishin në qendër të hetimeve të Prokurorisë së Posaçme, që çuan në marrjen të pandehur të kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, 6 zyrtarëve të Bashkisë dhe administratorja e një kompanie private, Entela Çano.

Sipas detajeve nga dosja e SPAK, të cilën Report Tv e ka siguruar, duket se Çano kishte lidhje të ngushta me Isain, me të cilin komunikonte shpesh edhe me mesazhet. Isai e orientonte Çano përmes bisedave në WhatsApp për tenderët, ndërsa kompania e saj reulton mbikëqyrëse e shumë punimeve të mëdha të kryera pothuajse gjithmonë nga të njëjta firma ndërtuese.

4 Procedurat e Prokurimit të hetuara nga SPAK:
1.Procedura e prokurimit për projektin me objekt: Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, Loti 2 (Pjesa e parë)
2. Procedura e prokurimit me objekt “Supervizim punimesh për ndërtimin e rrugës KorçëErsekë, loti i 2
3.Procedura e prokurimit me objekt “Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshatrave Faza e dytë nga burimet e Kozelit”
4.Procedura e prokurimit me objekt "Loti Nr.2 Mbikëqyrje Punimesh Ndërtim i Ujësjellësit Ersekë dhe të disa fshatrave Faza e dytë nga burimet e Kozelit".

Rruga Korçë-Ersekë

Në dosje thuhet se Autoriteti Rrugor Shqiptar (atëherë DPRR, sot ARRSH) kishte hartuar një projekt për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, Loti II. Projekti parashikonte ndryshime të konsiderueshme, me rreth 30% të gjatësisë në gjurmë të re dhe 70% në gjurmën ekzistuese. Në dosje thuhet se ky projekt kalonte në zona të banuara dhe sillte dëmtime të mëdha nga ana mjedisore, urbane dhe rrëshqitje në fshatrat Mollas, Qinam, Selenicë. Parashikoheshin 5 ura të mëdha dhe vepra të tjera të artit (tombino, mure mbajtëse, pritëse, etj).

10 vjet më pas Bashkia Kolonjës vendosi të kërkonte hartimin e një projekti të ri, me argumentin se nuk kishte staf teknik apo burime financiare për hartimin e një projekti të përmasave të tilla. Në pamundësi kapcitetesh, por dhe fondesh, iu drejtua kompanive private që ta realizonin në formë donacioni. Nga 3 kompania të cilave Bashkia Kolonjë u kërkoi shërbim, vetëm kompania A & E Engineering dha përgjigje pozitive.

Pas kësaj, më 03.04.2020, Bashkia Kolonjë lidhi kontratën e sponsorizimit/shërbim me kompaninë A & E Engineering, në pronësi të Entela Çanos. Kontrata u nënshkrua nga kryebashkiaku Erion Isai, ndërsa për kompaninë firmosi administratorja Entela Çano.

Më 01.06.2020, kompania A & E Engineering dorëzoi pranë Bashkisë projekt-zbatimin, i cili u mor në dorëzim përmes një komisioni të ngritur me urdhër të Isait. Komisioni përbëhej nga Muharrem Tartari (kryetar), Erjon Cenko dhe Engjëll Dine. Siç rezulton nga dosja që Report TV ka siguruar, këtu nisin, manovrat e para.

Në procesverbalin e hartuar për marrjen në dorëzim, rezulton se në emër të komisionit dokumenti u nënshkrua nga vetë administratorja e A & E Engineering, Entela Çano, dhe u miratua nga kryebashkiaku Isai. E njëjta kompania që e projektoi (A & E Engineering) ishte edhe ajo që mbikëqyri punimet.

Në dosje thuhet se përmes ekspertimit grafik me urdhër të SPAK, rezultoi se firma e Muharrem Tartarit ishte falsifikuar, pra ai nuk kishte marrë pjesë në marrjen në dorëzim të projektit, ndonëse në dokument ishte paraqitur si i pranishëm.

Hetimet zbuluan se falsifikimi ishte kryer nga anëtarët e komisionit Erjon Cenko dhe Engjëll Dine, në bashkëpunim me administratoren e kompanisë Entela Çano, të cilët kishin sajuar procesverbalin duke përfshirë në mënyrë fiktive firmën e Tartarit. 

"Nga aktet e administruara rezulton se anëtarët e komisionit të marrjes në dorëzim të projekt zbatimit të projektit, shtetasit Erjon Cenko dhe Engjëll Dine, në bashkëpunim me shtetasen Entela Çano, kanë falsifikuar procesverbalin e marrjes në dorëzim të projektit, me objekt: "Ndërtimi i rrugës Korçë-Ersekë, loti i 2”, datë 01.06.2020, duke përshkruar rrethana të rreme në përmbajtje për personat pjesëmarrës në këtë veprim, duke e paraqitur si të pranishëm edhe kryetarin e komisionit të marrjes në dorëzim të projekt zbatimit, shtetasin Muharrem Tartari, por që në të vërtetë rezulton se nuk ka marrë pjesë shtetasi Muharrem Tartari, się provohet nga deklarimi i tij dhe nga akti i ekspertimit grafik të shkrimit dhe nënshkrimit në këtë procesverbal në emër të tij, që rezulton të jetë i falsifikuar", thuhet në dosje. 

Ndërkohë, më 12.06.2020, projekti i rrugës iu përcoll për miratim Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) nga nënkryetarja e Bashkisë, Elona Mydini. Për këtë episod i është njoftuar akuza të pandehurit Engjëll Dina për veprën penale "Falsifikimi i dokumenteve”. SPAK po vijon hetimet për rolin e ARRSH si autoritet tenderues, ndërsa traseja e rrugës Korcë-Ersekë u shemb në ndërtim e sipër në vendin e quajtur ‘Qafa e Qarrit- Mollas’. 

Tenderi i Ujësjellësit

Çano, rezulton po ashtu mes të pandehurve. Sekuestrimi i celularit të saj, zbuloi jo vetëm lidhjet direkte me kryebashkiakun Erion Isai, por dhe angazhimin e saj në përgatitjen e dokumenteve, që Bashkisë i duheshin për të hapur tendera.  Komunikimet e Erion Isait me Entela Çanon, dëshmojnë në një marrëdhënie të ngushtë mes tyre. Çano kishte rol në preventivin e projekteve për ujësjellësin.

Erion Isai: Mirëmëngjes… shefe si të kam?

Entela Çano: Po njoftoj inxhinierin t’iu sjellë projektin.

Erion Isai: Nesër do të jem në Tiranë, më duhet projekti i fshatrave që ta kaloj te këshill teknik.

Erion Isai dhe Çano diskutojnë për uljen e parametrave dhe shumat që duhej të paraqiteshin, duke treguar se procedura ishte orientuar paraprakisht në bashkëpunim mes zyrtarëve të bashkisë dhe kompanisë fituese.

Erion Isai: Me duhet deri te premten lista me emrat e fshatrave dhe vlerat për çdo fshat vëlla. Një zjarr të luteeeeem!

Entela Çano: Pa merak, do bëj të pamundurën që të premten ti dorëzojmë.

Në lidhje me ujësjellësin hetimi zbuloi se vlera maksimale e mbikëqyrjes ishte 8.3 milionë lekë pa TVSH, i cili përkon me fondin limit të prokurimit ku fitues shpallet operatori që ofron ofertën më të afërt me vlerën minimale të llogaritur nga autoriteti kontraktor, por jo më poshtë se ajo. Ofrimi i një vlere më të ulët sjell skualifikim.

Çan rezulton një njeri i besuar jo vetëm për kryetarin Isai, por dhe zyrtarë të tjerë të bashkisë që konsultohen me të paraprakisht, si në rastin e Armand Tafilit, përgjegjës i Sektorit të Prokurimeve.

SPAK thotë në dosje se nga aktet e administruara deri në këtë fazë të hetimeve, rezulton se Erion Isai, në bashkëpunim me personat përgjegjës të tjerë të autoritetit kontraktor, Muharem Tartari, Engjell Dine, Ermal Zylfo, Armand Tafil, Erjon Cenko dhe Shpëtim, ka konsumuar elementët e veprës penale shkelja e barazisë në tendera.

Ora 13:25
‘Shefe, më sill preventivat’, mesazhet mes kryebashkiakut Isai dhe Çanos zbulojnë lidhjen për tenderin e ujësjellësit

Në dosjen e SPAK për Bashkinë Kolonjë janë përfshirë edhe bisedat e sekuestruara nga celulari i Entela Çanos, administratore e kompanisë “A&E Engineering”. Komunikimet me kryebashkiakun Erion Isai tregojnë marrëdhënien e drejtpërdrejtë mes tyre dhe rolin që kishte Çano në përgatitjen e preventivave e projekteve për ujësjellësin e Ersekës dhe fshatrave. Në mesazhe, vetë kryebashkiaku e quan Çanon “shefe” dhe i kërkon t’i sjellë preventivat për t’i kaluar më pas në këshillin teknik.

Erion Isai: “Mirëmëngjes… shefe si të kam”.

Entela Çano: “Po njoftoj inxhinierin t’iu sjellë projektin”.

Erion Isai: “Nesër do jem në Tiranë, më duhet projekti i fshatrave që ta kaloj në këshill teknik”.

Pjesë nga dosja

Në orën 13:09, shtetasja Entela Çano dërgon materialin e regjistruar me emërtimin “Preventiv 13 FSHATRAT E KOLONJES 386.pdf", gjithashtu shtetasja Entela Çano i dërgon shtetasit Erion Isai mesazhin “Njeri variant..eshte edhe nje tjeter qe do te te dergoj". (Rezulton se këtë material shtetases Entela Çano ia ka dërguar shtetasja Erjona Bujupi, në orën 13:09.

Ky material titullohet "Preventiv Zbatimi Objekti: Ndërtimi i Rrjetit të shpërndarës të furnizimit me ujë në 13 fshatrat e Kolonjës”, ku përbëhet nga një tabelë që quhet "Përmbledhëse sipas nënobjekteve” ku ndodhen të shënuar shtatë zëra nënobjektesh me vlerat respektive në krahë të tyre dhe vlera totale e këtij preventivi është shënuar 386,602,100.7, si dhe në fund vërehet shënimi “Punoi: M.A.K Studio Ing. Tomorr Spahiu").

Në orën 13:38, shtetasja Entela Çano dërgon materialin e regjistruar me emërtimin "Preventiv 13 FSHATRAT E KOLONJES - 390.pdf', gjithashtu shtetasja Entela Çano і dërgon shtetasit Erion Isai mesazhin "Prev me fond rezerve 1%" (rezulton se këtë material shtetases Entela Çano ia ka dërguar shtetasja Erjona Bujupi, në orën 13:35. Ky material titullohet "Preventiv Zbatimi Objekti: Ndërtimi i Rrjetit të shpërndarës të furnizimit me ujë në 13 fshatrat e Kolonjës”, ku përbëhet nga një tabelë që quhet "Përmbledhëse sipas nënobjekteve" ku ndodhen të shënuar shtatë zëra nënobjektesh me vlerat respektive në krahë të tyre dhe vlera totale e këtij preventivi është shënuar 390,875,958.8, si dhe në fund vërehet shënimi “Punoi: M.A.K Studio Ing. Tomorr Spahiu”).

Në orën 16:31, Erion Isai dërgon mesazhin “Oki".Biseda të bëra në datën 03.07.2020, mes shtetasve Erion Isai, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë Kolonjë dhe shtetases Entela Çano, me përmbajtje si më poshtë:

Në orën 08:08-08:09, shtetasi Erion Isai i dërgon shtetases Entela Çano mesazhet "Miremengjes Ketej nga akum jam une”.

Në orën 08:22, Entela Çano dërgon mesazhin “Mirmengjes..Të dërgoj Ing të ti sjelli ? Se une vete rreth ores 10 30 mun te vij ?".

Në orën 08:22, Erion Isai dërgon mesazhet "Oki nje kafe Kur te mbarosh". Ma dërgo Dhe bashke e pime

Në orën 08:22, Entela Çano dërgon mesazhin "Ok.. ke preventiv nga ato do ?".

Në orën 08:22-08:23, Erion Isai dërgon mesazhet "Te dy mi sill Per siguti Siguri

Në orën 08:23, Entela Çano dërgon mesazhin “Ok".

Në orën 08:55, Erion Isai dërgon mesazhin "Po vjen inxh? te drejtori". Se tani ne 9 Do futem

Në orën 08:59, shtetasi Erion Isai telefonon shtetasen Entela Çano dhe së bashku zhvillojnë një bisedë telefonike.

Biseda të bëra në datën 09.09.2020, mes shtetasve Erion Isai, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë Kolonjë dhe shtetases Entela Çano, me përmbajtje si më poshtë:

Në orën 19:14-19:15, shtetasi Erion Isai i dërgon shtetases Entela Çano mesazhet "Si te kam Neser do jem tiranë Tak pak te marr projektin e fshatrave te lutem Qe ta kaloj keshill teknik ".

Në orën 19:15, Entela Çano dërgon mesazhin "Mirmbrëma..mirë ti si je ? Po patjetër. Gati është i printuar..po të pret mbi tavolinë".

Në orën 19:16, Erion Isai dërgon mesazhin "Rrofsh flori". Në orën 19:18, Entela Çano dërgon mesazhin "Asgjë..te lutem".

Biseda të bëra në datën 10.09.2020, mes shtetasve Erion Isai, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë Kolonjë dhe shtetases Entela Çano, me përmbajtje si më poshtë:

Në orën 11:24, shtetasi Erion Isai i dërgon shtetases Entela Çano mesazhet "Shefe si të kam".

Në orën 11:25, Entela Çano dërgon mesazhin "Ing mirë është.. po njoftoj Ing tiu sielli projektin".

Biseda të bëra në datën 15.09.2020, mes shtetasve Erion Isai, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë Kolonjë dhe shtetases Entela Çano:

Në orën 10:05, shtetasi Erion Isai telefonon shtetasen Entela Çano dhe së bashku zhvillojnë një bisedë telefonike.

Në orën 11:11, shtetasi Erion Isai i dërgon shtetases Entela Çano kontaktin e regjistruar me emrin "Armand Tafili" me numër celular "355693938285”, si dhe i shkruan "Do te te marre Per superviz.".

Në orën 11:11, Entela Çano dërgon mesazhin "Faleminderit shume".

Ora 12:47
'Sa më shpejt', 'duhet t’i vulos, zjarr!', zbardhen mesazhet, si udhëzonte kryebashkiaku i Kolonjës kompaninë e Çanos për tenderin e ujësjellësit: Je yll

Nga dosja e SPAK për Bashkinë Kolonjë janë zbardhur bisedat e sekuestruara nga celulari i Entela Çanos, administratore e kompanisë “A&E Engineering”, e shpallur fituese në tenderin për mbikëqyrjen e punimeve të ujësjellësit të Ersekës dhe disa fshatrave, faza e dytë nga burimet e Kozelit, me vlerë mbi 3.8 milionë lekë pa TVSH. Në komunikimet e realizuara në aplikacionin “WhatsApp”, kryebashkiaku Erion Isai dhe Çano diskutojnë hapur për preventivat, uljen e parametrave dhe shumat që duhej të paraqiteshin, duke treguar se procedura ishte orientuar paraprakisht në bashkëpunim mes zyrtarëve të bashkisë dhe kompanisë fituese.

Në biseda dallohet edhe raporti i afërt që ka kryebashkiaku Erion Isai me Çanon, së cilës i drejtohet me mesazhet "je yll", ndërsa i kërkon që dokumentet t'i dorëzojë sa më shpejt sepse duhen firmosur. 

Pjesë nga dosja dhe bisedat e bëra mes Erion Isait dhe Entela Çanos

Biseda të bëra në datën 01.07.2020, mes shtetasve Erion Isai, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë Kolonjë dhe shtetases Entela Çano, me përmbajtje si më poshtë:

Në orën 10:05, shtetasi Erion Isai i dërgon shtetases Entela Çano mesazhet “Miremengjes Shifi pak keto: Po 110 max ose 90 i jep zgjidhje thuj enteles Vetem rjeti jashtëm deri depo fi 250 ne 20 bar eshte 18 755 ml X 6793 leke = 127 402 715 pa tvsh kurse pesari fi 200 me gjatesi 1 880 X 4747 leke = 8 924 360 leke".

Në orën 10:06, Entela Çano dërgon mesazhin "Mirmengjes..ok.. mi dërgo Ok..te njejten gje po bejme edhe ne..reduktim parametrash".

Në orën 10:08, Erion Isai dërgon mesazhin “Sa me shpejt s Pls".

Në orën 10:09, Entela Çano dërgon mesazhin “Ok..pa merak".

Në orën 14:57, Erion Isai i përcjell shtetases Entela Çano mesazhet "Me duhet deri te Premten Me duhet lista me emrat e fshatrave dhe vlerat per cdo fshat vëlla. Nje zjarr te luteeeeem

Në orën 15:00, Entela Çano dërgon mesazhin "Pa merak..do bëj të pamunduren qe te premten ti dorezojme".

Në orën 15:01, Erion Isai dërgon mesazhin “Je yll

Në orën 21:22, shtetasi Erion Isai i shkruan përsëri shtetases Entela Çano mesazhin “Kemi gati ndonje prevrntiv Te ndonje fshati?"

Në orën 21:24, Entela Çano dërgon mesazhin "Neser paradite mendoj se mund të kemi diçka..po sforcohemi shume per te arritur vleren..230 me tvsh..jam e sakte ? Ma konfirmo te lutem".

Në orën 21:24, Erion Isai dërgon mesazhin "330 Eshte maх".

Në orën 21:25, Entela Çano dërgon mesazhin "Shyqyr..".

Në orën 21:28, Erion Isai dërgon mesazhin "Pls Zjarrrrr Se neser duhet me i printu Vulos ktu te ue Une. Te premte mengjes herët Duhen dorezu".

Në orën 21:29, Entela Çano dërgon mesazhin “Do bëj më të mirën e mundshme.. mendoj që do të jem korekte..por jam sforcuar shumë për të kapur vlerën..".

Në orën 21:29, Erion Isai dërgon mesazhin "Ishte teeeepeeeeer e larte As behej fjale".

Në orën 21:30, Entela Çano dërgon mesazhin "Me 5 aspra tha do verë të mirë miku : shprehje gjermane..".

SI.E./I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Humor: 26/09/2025 19:45

    Ishte mire kur bente humor , politika ka humor te zi ! Prandaj shume anglez nuk futen fare ne politike bejne humor sikur Beny Hill etj

    Përgjigju
  • vaska: 26/09/2025 18:41

    çyçkë e bre, ke alergji nga igrasia bre? ja bre do ta marresh vesh, fillo bre perdor uj te fthte kur te lahesh bre, te mesohesh o, ate keqen vaska

    Përgjigju
  • Ilir: 26/09/2025 14:41

    Bobobo dhe Isain do e fusin mbrenda?? Vetem balluku e rama kane ngele

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e shkarkoi, a duhet Erion Veliaj ta ankimojë në Kushtetuese?