Ngjarja e ndodhur në autostradën Tiranë-Durrës, një aksident i stisur nga njerëzit e Aleksandër Lahos, i njohur si Rrumi i Shijakut, e cila vijoi me marrjen peng të njërit prej vëllezërve Beqiraj, u regjistrua fillimisht për veprën penale të heqjes së paligjshme të lirisë apo thënë ndryshe për pengmarrje, por më vonë, pas rrëfimit të dy vëllezërve Indrit e Gentjan Beqiraj, iu shtuan edhe vepra të tjera, ndër to edha ajo e grupi të strukturuar kriminal. Në dosjen e plotë të siguruar nga Report Tv thuhet se pas hetimeve fillestare, procedimi u plotësua edhe me veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve” dhe ”Grup i strukturuar criminal”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi, dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje armëve të gjuetisë apo sportive”.
Në dosje rrëfehet në mënyrë të detajuar se si ndodhi ngjarja në autostradë. Në datën 02 tetor 2022, rreth orës 12.00, në rrugën interurbane Durrës-Tiranë, ka ndodhur një ngjarje kriminale. Gentjan Beqiraj, drejtues motoçiklete “Piaggio” dhe pasagjer vëllaj i tij, Indrit Beqiraj, janë goditur në lëvizje nga nje mjet me ngjyrë të zezë. Në vendngjarje është afruar edhe një mjet tjetër dhe personat kanë dalë nga mjetet. Personat që ndodheshin në këto mjete kanë nisur të dhunojnë Gentjan dhe Indrit Beqirajn. Në vijim ata morën me dhunë në njerin nga mjeteve Indrit Beqirajn dhe të tre telefonat e tyre personal, një të Indritit dhe një tjetër të Gentjanit.
Menjëherë pas ngjarjes Gentjan Beqiraj njoftoi Policinë e Shtetit. Gjysmë ore më vonë u mor njoftimi që Indrit Beqiri, ishte lënë i lirë dhe u paraqit në Drejtorinë Vendore të Policise Durrës, ku përmes deklarimeve për ngjarjen krijuan dyshime se autorë të saj janë persona posedues ose llidhje shoqërore të Aleksander Laho, njohur si Rrumi i Shijakut, administrator i lokalit “Tratoria” në Sukth.
Është e habitshme, por sot, dy personat, S.Z dhe I.H., duhet t'ia dinë për nder "vrasësve" të tyre, Gentjan dhe Indrit Beqiraj, të cilët ishin pajtuar për t'i ekzekutuar nga polici i burgjeve, Flamur Bejko. Për fatin e të dyve ata sot janë gjallë edhe me "ndihmën" e miqve të Rrumit të Shijakut, të cilët stisën aksidentin në autostradën Tiranë-Durrës, rrëmbyen dhe lëshuan Indrit Beqirajn. Nga ky moment gjithçka mori kthesën, jo vetëm në "faljen" e jetës së S.Z. dhe I.H, por edhe të zbardhjes së dy ngjatjeve që po mbuloheshin nga pluhurat në prokurori.
Por, pse Flamur Bejko i donte të vdekur dy personat në fjalë? Gjithçka ka nisur në qelitë e burgut të Durrësit, aty ku Bejko i siguronte lëndë narkotike njërit prej tyre. Në një moment gjërat kanë shkuar keq dhe polici nuk është paguar. Për këtë arsye ka pasur fillimisht një konflikt brenda burgut. S.Z. dhe I.H. e kanë rrahur keqazi Bejkon dhe madje, sipas burimeve, pistoletën ia hodhën në mbeturina. Një tjetër episod përplasje mes tyre mendohet se ka ndodhur edhe pasi ata u liruan nga burgu. Gjithçka ndodhi, mesa duket, efektivi Bejko nuk mundi ta kapërdijë. Ai arriti të bind vëllezërit Beqiraj për t'i ekzekutuar. Sipas policisë dhe prokurorisë ai u dha Beqirajve 3500 euro parapagim për eleminimin, por polici ka pretenduar se ato para ua ka dhënë për të kryer punët e tyre personale, duke mohuar se i kishte paguar për vrasje.
Në dosjen në fjalë tregohen edhe detaje të rrëfimit të Indrit Beqirajt për vrasje të së shkuarës ku ka qenë i përfshirë. Në dosje thuhet se Indrit Beqiraj deklaron me vetëpergjëgjesi dhe faktin që vetë ai në bashkepunim me Gentian Beqirajn, Ilirjan Feçin, Kevin Zenelin, i njohur edhe si Suçi, duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin, të nxitur kundrejt pagesës nga Kasandër Noga, e më pas edhe nga Flamur Bejko, kanë dashur të vrasin me armë zjarri Geron Hasanbelliun dhe Arben Mërkurin. Për kryerjen e këtyre vrasjeve, Ilirian Feci e Kevin Zeneli u kanë dhënë armë zjarri pistoleta të llojeve të ndryshme, katër copë, si dhe një autoveturë “Benz”, me targa te huaja. Dy vëllezërit morën me qira një banesë në Tiranë. Po ashtu, thuhet në dosje, morën edhe një armë automatik tip kallashnikov e fishekë nga Armando Daka, si dhe të shhyrë nga Flamur Bejko kanë blerë një armë pistolete nga Armando Lama dhe kanë siguruar dhe lëndë plasëse dinamit te blera nga Idajet Hoxha, me të cilin do te dëmtonin apo shkatërronin pronën e disa djemve qe kishin konflikt me Flamurin. Deklaron se armët pistoletë të blera ia ka shitur Gentian Sheshit, Amando Lamajt, Altin Celamajt, ku nga ky i fundit ka marrë dhe dy armë “Glok”, të cilat ua ka shitur Albano Hajdarit dhe Kujtim Deliallisi. Nga policia është vijuar me kontrollin e banesave ku në banesën e Indrit e Gentian Beqirajt është gjetur një armë automatik kallashnikov si dhe fishekë e lëndë plasëse. Provat e gjetura gjatë konrolleve të banesave janë sekuestruar e marrë në cilësinë e provës materiale.
Nga hetimet, thuhet në dosje, është konstatuar se autorët e pengmarrjes së Indrit Beqirajt, janë ndihmuar edhe nga një automjet tjetër në pronësi të Fatjon Myrtos, si dhe është arritur të gjendet i braktisur mjeti i dyshuar i autorëve tip BMË, i cili rezulton në pronësi të Agron Bejdollit. Nga kontrollet e banesave të Alban Hajdarit dhe Blerim Elezit janë gjetur sende të paligjeshme, si armë gjahu e doreza metalike grushti, shkop gome, e lënde narkotike që iu përkisnin Fatjon Hajdarit dhe Blerim Elezit. Nga policia eshte proceduar me arrestimin në flagrancë të tyre.
Për të 14 të arrestuarit, prokurori Bledar Bejko i ka kërkuar Gjykatës së Durrësit caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municioneve”, “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për kryerjen e vrasjeve” dhe ”Grup i strukturuar criminal”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi, dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje armëve të gjuetisë apo sportive”. 13 nga 14 të arrestuarit akuzohen për grup të strukturuar kriminal, përveç Fation Myrtos, i cili akuzohet vetëm për pengmarrje. Në vijim Prokuroria e Durrësit pritet të shpall moskompetencë për dosjen, për ta referuar në SPAK, e cila do të vijoj hetimet në lidhje me të.