Reshje të dendura shiu, në Durrës përmbyten rrugët e qytetit! Disa fshatra pa energji elektrike në Lezhë dhe Elbasan! 150 hektarë tokë bujqësore në Shkodër nën ujë

6 Dhjetor 2021, 08:26| Përditesimi: 6 Dhjetor 2021, 22:05

  • Share

Reshjet e dendura të shiut gjatë gjithë natës kanë shkaktuar, problematika në disa zona të vendit. Në Durrës disa rrugë janë përmbytur si pasojë e reshjeve të shiut. E njëjta situatë paraqitet edhe në Lezhë, ku për shkak të reshjeve të shiut, ka pasur probleme në lëvizjen e makinave dhe të kalimtarëve, ndërsa shumë fshatra kanë probleme me furnizimin e energjisë. Në errësirë kanë ngelur edhe disa fshatra në Elbasan si pasojë e shiut.

Si pasojë e reshjeve të shumta Përroi i Goricës në Shkodër ka shkaktuar përfshirjen nga uji të rreth 150 hektarë tokë bujqësore, ndërsa mësohet se nuk ka problematika sa i takon rrugëve apo shtëpive.

Si pasojë e motit të keq edhe në këtë qark ka probleme me furnizimin me energji elektrike në njësinë Administrative Rrethina, në fshatrat Bardhaj, Hoti I Ri, Golem, Shtoj i ri, po ashtu në NjA, Ana Malit dhe në njësinë administrative Pult nuk kanë furnizim me energji elektrike.

Ora 21:42
Shembje gurësh në aksin Lezhë-Ungrej, izolohen 9 fshatra

Reshjet e shiut të rëna gjate 24 orëve të fundit kanë shkaktuar shembje gurësh dhe dherash në aksin Lezhë-Ungrej. Rreth 4 km larg qendrës së fshatit Ungrej ka pësuar rrëshqitje të tokës duke izoluar totalisht banorët e 9 fshatrave të kësaj Njësie Administrative. Në atë zonë raportohet nga banoret se ka patur edhe herë të tjera rrëshqitje të tokës duke izoluar qindra banorë të këtyre fshatrave.

Ora 12:44
Moti i keq/ Ministrja e Bujqësisë: Hidrovoret në funksion të plotë, po punohet për mbajtjen e niveleve normale të ujit

 

Foto ilustruese

Teksa reshjet intensive vijojnë në të gjithë vendin, Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca thotë se deri më tani nuk janë krijuar probleme. Sipas ministres, t gjithë hidrovoret janë në funksion të plotë dhe se nivelet e lumenjve nuk përbëjnë shqetësim për dalje nga shtrati apo përmbytje.

“Të gjithë hidrovoret janë në funksion të plotë dhe po punohet për mbajtjen e niveleve normale të ujit, megjithëse kemi rritje të prurjeve të ujit në kolektorët kryesor, që përcjellin ujin tek hidrovoret. Nivelet e lumenjve nuk përbëjnë shqetësim për dalje nga shtrati apo përmbytje”, thotë Krifca.

Ministrja bën me dije se stafet teknike të Drejtorive të Ujitjes dhe Kullimit janë në terren dhe po monitorojnë nga afër situatën, kryesisht për të ndërhyrë me ekskavator në rast të bllokimit nga papastërtitë e kanaleve kulluese, si dhe po vlerësohen në mënyrë dinamike nivelet e lumenjve.

Ora 11:58
Reshjet në Shkodër, 150 hektarë tokë bujqësore përfshihen nga uji! Prefektja Angoni: Situata e menaxhueshme, këshillohet mos të shkohet për turizëm në Theth

Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin, kanë vijuar që të shkaktojnë probleme në qarkun e Shkodrës. Si pasojë e reshjeve të shumta Përroi i Goricës ka shkaktuar përfshirjen nga uji të rreth 150 hektarë tokë bujqësore, ndërsa mësohet se nuk ka problematika sa i takon rrugëve apo shtëpive.

Prefektja Majlinda Angoni u shpreh për Report Tv se situata është e menaxhueshme dhe në monitorim. Po ashtu prefektja shtoi se të gjitha rrugët janë të aksesueshme dhe se nuk këshillohet të shkohet për turizëm për shkak të kushteve të motit në Theth.

‘Deri në këto momente nuk kemi asnjë shqetësim. Ministri ka qenë i shqetësuar, por ne sapo kemi ardhur nga Oboti situata është krejt e menaxhueshme. Me këtë sasi reshjesh dhe me këtë parashikim që kemi situata është e monitorueshme. Niveli i hidrocentralëve është normal. Bashkitë kanë detyrë ligjore, të marrin përgjegjësitë për të zbatuar planet e emergjencave civile për monitorimin e situatës. Kjo do të jetë në bashkëpunim me sektorin e emergjencave civile. Sapo kemi kontaktuar edhe me ARRSH-në dhe deri tani firmat kontraktuese janë në gjithë segmentet që kanë në ngarkim. Në qarkun e Shkodrës të gjitha rrugët janë të aksesueshme. Nuk këshilloj të bëhet lëvizje për turizëm në Theth, në Bogë dhe Qafë -Thore, kjo për arsye të parashikimit të motit.’- tha Angoni.

Ora 10:26
Moti i keq, OSHEE: Shqetësim rrufetë! Problematika me furnizimin me energji elektrike në rrethinat e Dibrës dhe Shkodrës

Linja 35kV Koplik-Shkodër

I gjithë vendi është përfshirë nga moti i keq, ndërsa OSHEE bën me dije se për situatën e furnizimit me energji elektrike, problem mbeten rrufetë. Në një njoftim për mediat bëhet me dije se situata më problematike paraqitet në zonat rurale, kryesisht në rrethinat e Dibrës dhe Shkodrës. Në kryeqendrën e veriut ka patur probleme të furnizimit me energji elektrike në disa lagje për shkak të dëmtimit të shtyllës 35 kV. OSHEE thekson se hidrovoret dhe linjat që furnizojnë spitalet dhe institucionet e rëndësisë së veçantë janë në punë.

Ora 09:07
Reshje shiu në të gjithë qarkun e Elbasanit, inertet bllokojnë disa akse rrugore, fshatra pa energji

Me reshje shiu është zgjuar edhe mëngjesin e sotëm qarku i Elbasanit, duke shkaktuar rënien e inerteve në disa akse rrugore.

Të pranishme janë probelemet me fidrin nr.7 e nr.8 ku si pasojë ka mungesë furnizimi me energji në fisa fshatra përreth, si dhe fidri nr.4 në Bashkinë Carrik, i cili shkakton mungesa në Nj. Adm Mollas e Pishaj të Bashkisë Gramsh.

Ora 08:30
Lezha përfshihet nga reshje shiu, përmbyten disa rrugë të qytetit! Disa fshatra pa energji elektrike (VIDEO)

Që prej mbrëmjes së të dielës, rajoni i Lezhës është përfshirë nga reshje të dendura shiu të cilat kanë nisur që të krijojnë problemet e para.

Në disa zona të qytetit ka pasur prezencë të ujit, duke vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve. Gjithashtu ka pasur një shtim të prurjeve në lumenjtë Drin dhe Mat.

Moti i me reshje shiu ka sjellë probleme dhe në furnizimin me energji elektrike në disa fshatra, ku sipas raportimeve janë në errësirë që prej mbrëmjes së kaluar.

Ora 08:14
Reshje të dendura shiu, përmbyten disa rrugë në qytetin e Durrësit (VIDEO)

Moti i keq dhe me reshje të dendura shiu, ka sjellë përmbytje në disa rrugë në qytetin e Durrësit. Siç shihet edhe nga pamjet e Report Tv ka prani të madhe të ujit në rrugët pranë stadiumit, dhe tek rruga që të çon në zonën e Currilave në Durrës.

Përmbytja e rrugëve ka shkaktuar probleme me qarkullimin e makinave si dhe të qytetarëve.

Në përditësim...

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Alb: 06/12/2021 14:03

    Kush nuk punon ne ver nermal se ne dimer do permytesh gezuare vitin e ri.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?