Reshjet e shiut që kanë përfshirë vendin, kanë vijuar që të shkaktojnë probleme në qarkun e Shkodrës. Si pasojë e reshjeve të shumta Përroi i Goricës ka shkaktuar përfshirjen nga uji të rreth 150 hektarë tokë bujqësore, ndërsa mësohet se nuk ka problematika sa i takon rrugëve apo shtëpive.
Prefektja Majlinda Angoni u shpreh për Report Tv se situata është e menaxhueshme dhe në monitorim. Po ashtu prefektja shtoi se të gjitha rrugët janë të aksesueshme dhe se nuk këshillohet të shkohet për turizëm për shkak të kushteve të motit në Theth.
‘Deri në këto momente nuk kemi asnjë shqetësim. Ministri ka qenë i shqetësuar, por ne sapo kemi ardhur nga Oboti situata është krejt e menaxhueshme. Me këtë sasi reshjesh dhe me këtë parashikim që kemi situata është e monitorueshme. Niveli i hidrocentralëve është normal. Bashkitë kanë detyrë ligjore, të marrin përgjegjësitë për të zbatuar planet e emergjencave civile për monitorimin e situatës. Kjo do të jetë në bashkëpunim me sektorin e emergjencave civile. Sapo kemi kontaktuar edhe me ARRSH-në dhe deri tani firmat kontraktuese janë në gjithë segmentet që kanë në ngarkim. Në qarkun e Shkodrës të gjitha rrugët janë të aksesueshme. Nuk këshilloj të bëhet lëvizje për turizëm në Theth, në Bogë dhe Qafë -Thore, kjo për arsye të parashikimit të motit.’- tha Angoni.
Lajmi kryesor:
Reshje të dendura shiu, në Durrës përmbyten rrugët e qytetit! Disa fshatra pa energji elektrike në Lezhë dhe Elbasan! 150 hektarë tokë bujqësore në Shkodër nën ujë
M.Q.//ReportTv.al