Reshjet e dëborës që kanë përfshirë disa zona në vend ditën e sotme, kanë krijuar edhe probolematika në qarkullimin e mjeteve.
Sipas raportimeve nga strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile, situata deri në këto momente paraqitet si më poshtë:
Akset Rrugore
Në “Rrugën e Kombit” si pasojë e reshjeve të dendura të dëborës gjatë ditës së sotme, po punohet me 27 borëpastruese dhe hedhëse kripe njëkohësisht, ku 8 borëpastruese po punojnë në pjesën e aksit që shtrihet në territorin e Qarkut Lezhë, ( bashkia Mirditë), kurse pjesa tjetër e mjeteve, 19 mjete, po punojnë në pjesën e këtij aksi në territorin e Qarkut Kukës. Aksi është i kalueshëm.
Në aksin rrugor nacional Elbasan-Qafë Thane, në Qafë Thanë ka prezencë të reshjeve të dëborës dhe ne terren janë mjetet e firmës kontraktuese qe po bëjnë pastrimin e aksit nga dëbora. Prezence dëbore rreth 10 cm kemi edhe ne aksin rrugor nacional Zgosht-Ura Cerenecit. Edhe aty po punohet me mjet borëpastrues për mbajtjen hapur te qarkullimit te mjeteve.
Në Qarkun e Korçës kanë filluar reshjet e dëborës në të gjithë territorin në lartesitë mbi 700 m.
Subjektet kontraktore janë në gatishmëri duke mundësuar mirëmbajtjen dimërore të akseve turistike kryesore dhe dytësore në bashki. Nuk paraqiten problematika në këtë Qark.
Territori I Qarkut Dibër në lartësinë mbi 500 metra mbi nivelin e detit është përfshirë nga reshje dëbore të cilat variojnë nga 3-15 cm dhe vazhdojnë të jenë të pranishme me intensitet mesatar. Situata në infrastrukturën rrugore si nacionale apo rurale vazhdon të jetë e aksesueshme në të gjithë territorin. Nga subjektet kontraktore po punohet me mjete e lëshim kripe në segmente që shfaqen problematika.
I gjithë territori i Qarkut Kukës është përfshirë nga reshje shiu e borë, ku dhe në këto momente vazhdojnë të jenë të pranishme. Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme normalisht. Nga subjektet kontraktore vazhdon puna për pastrimin nga bora dhe kriposjen e atyre segmenteve ku ka qenë e nevojshme me qëllim mbajtjen funksionale të tyre.
Ne Qarkun Shkodër, të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme. Në aksin rrugor Bogë-Theth kalimi bëhet vetëm nga mjetet e kalueshmërisë së lartë dhe të pajisura me zinxhirë. Aktualisht në këtë aks po punon një mjet borëpastruese e cila e ka të pamundur mbulimin e gjithë segmentit. Aksi rrugor Tamarë - Vermosh është i kalueshëm por rekomandohet përdorimi i gomave dimërore dhe zinxhirëve.
Lumenjtë dhe rezervuarët
Nga raportimet e strukturave të sistemit të mbrojtjes civile në nivel vendor, të gjithë lumenjtë dhe rezervuarët janë brenda kuotave të tyre normale dhe nuk paraqesin asnjë rrezik.
Lajmi kryesor:
Reshje dëbore në pranverë, akset në Kukës e Pogradec të kalueshme, probleme me qarkullimin në Rrugën e Arbrit dhe Qafë- Thanë, borëpastrueset në terren (VIDEO)
S.B/ReportTv.al
