Politologu Afrim Krasniqi sjell në kujtesë votimet e para në Himarë në regjimin komunist.
Në shkresën drejtuar Koçi Xoxes, sekretar organizativ i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Shqipërisë dhjetor 1945 jepen të dhëna specifike për Himarën, klimën e tensionuar dhe nivelin e lartë të abstenimit. Gjë që në vitet pasuese pati pasoja politike dhe juridike ndaj abstenuesve të kohës.
“Retrospektivë, dhjetor 1945. Votimet e para të regjimit të ri. Nga dy shkresat që informojnë për procesin në zonën e Vlorës dhe të bregut jepen të dhëna specifike për Himarën, klimën e tensionuar (me ndërhyrje të treta) dhe nivelin e lartë të abstenimit. Vetëm 71% pjesëmarrje kur në zonat e tjera shifrat ishin mbi 95%. Motivet ishin të ndryshme. Natyrisht në fund fitues u shpall kandidati (i vetëm) i Frontit/PKSH, Spiro Koleka, i cili ishte deputet deri më 1990 dhe anëtar në Byronë Politike në vitet 1948-1981.
Nga ata që e kanë jetuar atë sistem (jo si drejtues të tij), mund të nënkuptohen lehtësisht pasojat politike dhe juridike ndaj abstenuesve dhe “reaksionit” në ditët e muajt pas dhjetorit 1945, “kur u hodhën themelet”. Në votimet pasuese (1950, 1954) Himara votoi pro 100% dhe në tërësi numri i abstenimeve në Shqipëri u bë simbolik aq sa në disa votime, përfshirë edhe në votimin e fundit të vitit 1987 pati 0 vota kundër dhe natyrisht, 0 abstenime. Kështu nisi!” shkruan Krasniqi.