Vladimir Putin dhe Xi Jinping

Bota

‘Revanshi’ i Putin nga Alaska deri në Kinë, kështu cari është rikthyer në qendër të skenës ndërkombëtare

3 Shtator, 07:37| Përditesimi: 3 Shtator, 07:44

  • Share

Sa e largët duket Alaska. Ndoshta s’ka qenë kurrë afër. Ndërsa Kina, po. Në Rusi përdorin një shprehje: «është shkopi ynë i shpëtimit», në kundërvënie me SHBA. Dhe «udhëtimi i Putinit ka për qëllim t’i bindë njerëzit se Rusia nuk po pushton Ukrainën vëllazërore, por po lufton në Donbas për pavarësinë e saj kundër Perëndimit të pabesë të udhëhequr nga amerikanët».

Kështu e shohin shumica e rusëve, të paktën sipas sondazhit të qendrës Levada, i vetmi institut sociologjik i pavarur në vend. Nëse kjo është opinioni publik, atëherë Kremlini e ka arritur synimin kryesor: ta paraqesë luftën si një betejë të drejtë.

Nga izolimi te skena botërore

Vetëm tre vjet më parë, në samitin e Organizatës së Shangait në Samarkand (2022), Putin ishte i izoluar. Xi Jinping u tregua i ftohtë ndaj luftës në Ukrainë, ndërsa Modi e kundërshtoi hapur me fjalët: «Kjo nuk është epokë lufte». Për më tepër, Putinit iu desh të priste gjatë që homologët ta pranonin – një poshtërim që zakonisht ua rezervonte vetë aleatëve më të vegjël. Ndërkohë, ushtria ukrainase rifitonte Khersonin, fitoren më të madhe deri tani.

Por situata ndryshoi me shpejtësi. Në javët e fundit, falë lëvizjes së Trump, Putin mori një skenë ndërkombëtare të re. Takimi i Anchorage ishte, në fakt, një keqkuptim: Trump shpresonte të zgjidhte çështjen ukrainase dhe të fitonte Nobel-in e Paqes, ndërsa Putin e përdori si mundësi për të lënë mënjanë Ukrainën dhe për të rifituar peshë gjeopolitike. Dhe këtë e arriti, sepse në «Shumicën globale» u prit si protagonist.

Aleancat e reja

Putini nuk ka lëkundje: para dhe pas takimit me Trump, ai u konsultua me liderët e Jugut Global – nga Xi dhe Modi, te Afrika e Jugut, Emiratet, Brazili e Koreja e Veriut. Pas kthimit në Kremlin, i informoi menjëherë për detajet. Madje, thuhet se u zemërua me diplomatët e tij që kishin theksuar tepër bashkëpunimin energjetik me Kinën, sepse qëllimi i tij ishte tjetër: t’i tregonte Perëndimit se nuk është më i vetmi sundues i botës. Mesazhi u kuptua shpejt: «Yalta e re ndodhi, por me Xi dhe Putin, pa Trump», shkruan portali ultranacionalist Tsargrad.

Shtrëngimet e duarve me Modin, përqafimet me Xi dhe radha e liderëve që kërkojnë ta takojnë tregojnë se izolimi i dikurshëm është shkrirë. Lufta në Ukrainë për shumëkënd është kthyer në një “incident”, ndërsa faji i mbetet Perëndimit. Putini tashmë flet për «mirëkuptim reciprok» me SHBA-të e Trump, madje deklaroi se nuk e ka kundërshtuar hyrjen e Ukrainës në BE. Për sigurinë, tha se mund të gjendet konsensus, ndërsa zërat për një sulm ndaj Evropës i cilësoi «provokime ose budallallëqe».

Dyshimet për Kinën

Megjithatë, ka një pasojë të hidhur. Sipas sondazheve të Levada, rusët besojnë se për Kinën gjendja ideale është një Rusi mjaftueshëm e fortë për të sfiduar Perëndimin, por jo aq e fortë sa të dalë nga orbita kineze. Pra, një raport i pabalancuar, që ngjall frikë se vendi po bëhet shumë i varur nga Pekini.

Kjo frikë bashkohet me krizën ekonomike. Mediat flasin për rrezik stagflacioni: prodhim i ulët, çmime që rriten shpejt dhe standard jetese që bie ndjeshëm. «Është e qartë se periudha jonë e bumit ekonomik-ushtarak ka mbaruar» – shkruan Kommersant. Por, për Rusinë e Putinit, kthimi nga izolimi në skenën ndërkombëtare është si shëndeti: mjafton të ekzistojë, qoftë edhe përkohësisht./ Corriere della Sera

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha vijon të sulmojë drejtësinë, KLGJ nuk reagon: A ka dy standarde?