Trajneri i Italisë, Luciano Spalletti ka publikuar sot listën përfundimtare të lojtarëve që do të mbrojnë ngjyrat e kaltra në Euro 2024.
Kanë kaluar tre vjet qëkur Italia mundi Anglinë me penallti për të fituar titullin e Kampionatit Evropian 2020 (zhvilluar në 2021 prej pandemisë Covid), por këto ditë duket sikur është thjesht një kujtim i largët nga e kaluara, pasi formacioni aktual i Italisë ka pak të përbashkëta me skuadrën e kampionëve.
Pas listës përfundimtare me 26 futbollistë, pa biletë mbetën portieri Ivan Provedel, mesfushori Samuele Ricci dhe sulmuesi Riccardo Orsolini.
Spalletti ka injoruar tashmë emra si Ciro Immobile, Manuel Locatelli, Domenico Berardi, Nicolo Zaniolo apo Marco Verratti dhe do të mungojë edhe Sandro Tonali i pezulluar prej kohësh, i cili ka munguar që nga tetori i vitit të kaluar për shkak të një skandali bastesh.
Kombëtarja e Italisë iu nënshtrua një revolucioni thuajse të plotë, që ishte edhe pasojë e një dështimi të madh në kualifikimet për Kampionatin Botëror të Katarit. Nga skuadra që fitoi titullin kampion të Evropës në Uembley, nuk janë më 15 lojtarë. Francesco Acerbi, Leonardo Bonucci, Giorgio Chiellini, Emerson Palmieri, Alessandro Florenzi, Leonardo Spinazzola, Gaetano Castrovilli, Manuel Locatelli, Matteo Pessina, Marco Verratti, Andrea Belotti, Domenico Berardi, Federico Bernardeschi dhe Lorenzo Insigne.