Politikë

Berisha ‘mburret’ me rezolutën e radhës: IDC-CDI kundërshton zgjedhjet dhe ‘kushtëzon’ integrimin

31 Maj, 13:15| Përditesimi: 31 Maj, 19:11

  • Share

Kreu i PD, Sali Berisha nga selia blu prezantoi një rezolutë të IDC-CDI për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, sipas të cilit është miratuar më datë 30 në Asambleja e Përgjithshme në Abixhan. Sipas Berishës, farsa elektorale u godit nga organizata më e madhe në botë e partive të qendrës dhe qendrës së djathtë, Internacionalja Demokrate e Qendrës.

Berisha lexoi edhe tekstin e rezolutës, duke thënë se shprehet shqetësim se këto zgjedhje ishin një farsë politike. Ndalur në procesin e integrimit, Berisha thotë se rezoluta i bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike

“I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike;

•Paralajmëron se konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë rrezik serioz për demokracinë e brendshme dhe për stabilitetin rajonal”, lexoi Berisha.

Rezoluta është hartuar dhe propozuar nga PD me titull “Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës”, në të cilën përmenden pretendimet e Berishës për zgjedhjet, blerje votash, presion ndaj votuesve dhe përdorim të administratës publike.

Në rezolutë, flitet gjithashtu edhe për "përndjekje gjyqësore" ndaj liderëve të opozitës, duke përmendur Ilir Metën, Sali Berishën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Belerin. Mes të tjerash, në rezolutë, i kërkohet BE-së që të "kushtëzohet" përparimi i Shqipërisë. 

Rezoluta e lexuar nga Sali Berisha

Rezolutë mbi Zgjedhjet Parlamentare të vitit 2025 në Shqipëri.

“Shqipëria: Integriteti Zgjedhor dhe të Drejtat e Opozitës”.

Propozuar nga Partia Demokratike e Shqipërisë – Shqipëri.

Unioni i Demokratëve të Qendrës dhe Internacionalja Demokrate e Qendrës (IDC-CDI),

Duke riafirmuar rëndësinë thelbësore që kanë zgjedhjet e lira dhe të ndershme për qeverisjen demokratike dhe për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE,

Duke rikujtuar rezolutat e mëparshme të PPE-së, IDU-së dhe IDC-CDI-së që kanë paralajmëruar për prapakthimin demokratik dhe keqpërdorimin e institucioneve nga Partia Socialiste (PS) në pushtet,

Të alarmuar nga gjetjet e misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit (OSBE/ODIHR, OSBE PA, APKE, Parlamenti Evropian) lidhur me zgjedhjet e 11 majit 2025,

Shprehin shqetësim të thellë se këto zgjedhje ishin një farsë politike, që nuk përmbushën standardet ndërkombëtare dhe shkelën kriteret e Kopenhagenit, duke përfshirë:

•Lirinë e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7 i Kopenhagenit):

Votuesit iu nënshtruan presionit sistematik, survejimit, frikësimit dhe blerjes masive të votës. Qeveria shpërndau bonuse prej 100 euro për 760.000 pensionistë pak para zgjedhjeve; fali gjoba dhe borxhe mbi 200 milionë euro nga periudha 2015–2025 vetëm dy ditë para votimeve. U shpenzuan rreth gjysmë miliard euro për tendera, prokurime dhe koncesione në kundërshtim me ligjin, të gjitha me qëllim sigurimin e mbështetjes elektorale. Vota e fshehtë nuk u respektua në shumë qendra votimi, dhe klima u karakterizua nga frikë dhe presion, duke u mohuar qytetarëve të drejtën për zgjedhje të lirë.

•Lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion (paragrafi 7.8 i Kopenhagenit):

Kontrolli i partisë në pushtet mbi median, censura editoriale dhe ndalimi me motiv politik i platformës TikTok dëmtuan rëndë mundësinë e votuesve për të pasur qasje në informacion të balancuar dhe të larmishëm.

•Ndarja e partisë nga shteti (paragrafi 5.4):

Partia Socialiste në pushtet i ka fshirë kufijtë midis shtetit dhe partisë, duke përdorur institucionet publike dhe burimet shtetërore për përfitim partiak, në kundërshtim me parimin që "shteti duhet të jetë i ndarë nga partia në pushtet".

•Keqpërdorimi i burimeve publike: Qindra mijëra punonjës të administratës publike u vunë nën presion për të bërë fushatë përmes një “rrjeti patronazhist” të shtrirë në të gjithë vendin, duke minuar konkurrencën demokratike.

•Liria e votuesve për të zgjedhur (paragrafi 7.7): Votuesit u përballën me presion, survejim, frikësim, kërcënime, blerje vote dhe mungesë të sekretit të votës;

•Liria e shprehjes (paragrafi 7.8): Kontrolli i qeverisë mbi median, censura dhe ndalimi i TikTok-ut kufizuan qasjen në informacion të paanshëm.

•Pandëshkueshmëria institucionale: Rreth 200 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ mbetën pa ndonjë reagim apo ndjekje penale.

IDC-CDI dënon manipulimin e procesit zgjedhor përmes:

•Kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve;

•Përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës, përfshirë Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Ervin Salianjin dhe Fredi Belerin;

•Pandëshkueshmërinë institucionale, me mbi 30 kallëzime formale për krime zgjedhore pranë Prokurorisë së Posaçme dhe qindra denoncime në KQZ, pa ndonjë ndjekje ligjore.

IDC-CDI u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të:

Zbatojnë urgjentisht rekomandimet prioritare të OSBE/ODIHR, përfshirë ato mbi barazinë në fushatë, mediat dhe institucionet e paanshme;

Ndërpresin përndjekjen politike dhe të rikthejnë të drejtat e plota për liderët e opozitës;

Të krijojnë një qeveri teknike (kujdestare) për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja;

Sigurojnë pluralizëm real mediatik dhe akses të barabartë në media për të gjitha forcat politike.

IDC-CDI:

•Shpreh solidaritet të fuqishëm me Partinë Demokratike të Shqipërisë (PD-ASHM) dhe të gjithë aktorët civilë që mbrojnë demokracinë;

•U bën thirrje anëtarëve të CDI-së të dërgojnë një mision për verifikim faktesh dhe vëzhgimi në Shqipëri për të vlerësuar ecurinë e zgjedhjeve, për t’u takuar me aktorët përkatës dhe për të dhënë një vlerësim të pavarur mbi përputhjen me normat demokratike;

•I bën thirrje BE-së që të kushtëzojë përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit me reforma konkrete zgjedhore dhe demokratike;

•Paralajmëron se konsolidimi autoritar dhe ndikimi kriminal në Shqipëri përbëjnë rrezik serioz për demokracinë e brendshme dhe për stabilitetin rajonal.

Asambleja e Përgjithshme, Abixhan, 30.05. 2025.

Rezoluta e IDC-CDI

Ora 18:23
Meta për rezolutën e IDC-CDI: S’mund të ketë kurrë integrim pa votën e lirë, demokraci dhe shtetin ligjor

1748367299_ilirmeta1.jpg

Pasi kreu i PD-së Sali Berisha u “mburr” me një rezolutë të IDC-CDI për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ka reaguar edhe Ilir Meta. Nga paraburgimi i 313-ës ku ndodhet prej tetorit të vitit të kaluar, kreu i PL thotë se mbështet rezolutën, ku 108 parti “rrëzuan” atë që opozita e quan si farsë elektorale të 11 majit.

Në një postim në rrjete socialem Meta kërkon edhe kushtëzimin e integrimit evropian të vendit pasi sipas tij, nuk mund të mundësohet nëse nuk garantohet vota e lirë, themelet e demokracisë dhe shtetin ligjor.  

“Përshëndes dhe mbështes plotësisht Rezolutën shumë të rëndësishme të organizatës politike më të madhe në botë, IDC-CDI, ku 108 parti rrëzuan farsën elektorale të 11 Majit!

Këto zgjedhje të kriminalizuara nuk përmbushën asnjë standard ndërkombëtar dhe shkelën dhunshëm kriteret e Kopenhagenit dhe unë e përkrah me vendosmëri vendimin e IDC-CDI për të dënuar manipulimin e procesit zgjedhor përmes kapjes së shtetit dhe bashkëpunimit kriminal në frikësimin e votuesve dhe manipulimin e rezultateve; përndjekjes gjyqësore ndaj liderëve të opozitës; pandëshkueshmërinë institucionale ndaj krimeve zgjedhore.

Vlerësoj lart mesazhet shumë të qarta të IDC-CDI për domosdoshmërinë e zbatimit me urgjencë të rekomandimeve prioritare të OSBE/ODIHR, për ndërprerjen e përndjekjes politike dhe rikthimin e të drejtave të plota për liderët e opozitës, si dhe për krijimin e një qeveri teknike, sipas modelit të Maqedonisë së Veriut, për të mbikëqyrur reformat drejt BE-së dhe për të përgatitur zgjedhje të reja.

Pa garantuar votën e lirë, themelin e demokracisë dhe shtetit ligjor, nuk mund të ketë kurrë integrim të Shqipërisë në familjen europiane!”, shkruan Meta.

Postimi i Metës

Lajmi kryesor:

Berisha kundër kandidatëve të tij që kërkuan rinumërim: Zgjodhën rrugën e gabuar, anëtarët e KAS zbatuan ligjin


S.B/Xh.D/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?