Kronikë

Del jashtë kontrollit zjarri në Drenovë të Mallakastrës! 120 ha pyje të djegura, ndërhyn helikopteri! 3 vatra aktive në Dibër (VIDEO)

17 Korrik, 07:22| Përditesimi: 17 Korrik, 18:54

  • Share

Në qarkun e Fierit, vijon në ditën e katërt zjarri në fshatin Drenovë, të Mallakastrës. Terreni malor dhe era e fortë kanë bërë që situata të dalë jashtë kontrollit, pavarësisht ndërhyrjes së helikopterit.

Shërbimet zjarrfikëse të Mallakastrës, Fierit, Patosit, forcat bashkiake dhe efektivët e ushtrisë po punojnë për të mbajtur nën kontroll flakët, të cilat po avancojnë drejt zonës së banuar.

Flakët të favorizuara nga era e fortë pasditen e sotme kanë avancuar nga masivi pyjor i Drenovës drejt kodrave të Gorishovës duke u përhapur në një sipërfaqe shumë të gjerë.

Riaktivitimi i zjarrit mori përmasa të mëdha duke rrezikuar një pus nafte, një magazinë dhe një nënstacion elektrik në afërsi.

Gjatë orëve të paradites ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako. Në prononcimin e tij mediat Çako ka pohuar se vatrat e zjarrit janë nën kontroll duke operuar si nga ajri ashtu edhe nga toka ndërsa theksoi se është shmangur një situatë kritike pranë puseve të naftës dhe nënstacionit elektrik.

“Ka shumë faktorë që nxisin zjarrin, por i bëj thirrje qyetarëve të jenë të kujdesshëm në vënien e zjarreve qofshin në fermat e tyre apo në zonën e vet. 95% e zjarreve janë si rezultat i qëndrimeve të pakujdesshme duke përfshirë edhe ato të qëllimshme", tha Haki Çako.

Sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 120 ha shkurre dhe pyll me pisha, si dhe janë dëmtuar dhe djegur mbi 1000 rrënjë ullinj.

Kryebashkiaku i Mallakastrës, Qerim Ismailaj, tha se është e patolerueshme që pakujdesia e fermerëve gjatë djegies së mbeturinave, të shkaktojë dëme kaq të mëdha. 

Tre vatra zjarri janë aktive në qarkun e Dibrës. Tymi ka mbuluar disa fshatra. Vatra e zjarrit në Malin Vlashaj mbi fshatin Shupeznë përhpet me shpejtësi e nxitur nga erërat e forta. Zjarri ka prekur deri më tani 20 hektarë pyje

E njëjta situatë vazhdon dhe në malin e Peladhisë ku zjarri është riaktivizuar dhe ka përshkruar një sipërfaqe rreth 30 ha me shkurre dhe barishte. Në Liqenin e Luleve në Parkun Kombëtar të Lurës janë djegur rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë 60 forca të ushtrisë dhe forcave zjarrfikëse.

lajm ne perditesim...

Ora 18:49
Zjarri në Drenovë, flakët përhapen drejt kodrave të Gorishovës, në ndihmë edhe 4 mjete zjarrfikëse të ushtrisë (VIDEO)

Flakët të favorizuara nga era e fortë pasditen e sotme kanë avancuar nga masivi pyjor i Drenovës drejt kodrave të Gorishovës duke u përhapur në një sipërfaqe shumë të gjerë.

Më herët një situatë kritike është tejkaluar pranë grupeve të puseve të naftës 25 dhe 38 ku flakët janë afruar shumë pranë duke krijuar një situatë alarmante.

Kanë qënë mjetet zjarrfikëse të Fierit, Mallakastrës, Roskovecit, Beratit, Patosit dhe Albpetrolit që kanë vijuar pa ndërprerje përballjen me flakët deri në neutralizimin e tyre, ndërsa situata është ndjekur në terren edhe nga kreu i Albpetrol Eltar Deda.

Tashmë kanë mbërritur edhe 4 mjete zjarrfikëse të ushtrisë të cilat po ndihmojnë për të vëne nën kontroll flakët të cilat të favorizuara nga era po përhapen në disa drejtime.

Ora 18:43
Berat/ Zjarr në fshatin Poshnje, flakët rrezikuan banesat, neutralizohen nga forcat zjarrëfikëse

 

Një zjarr ka rënë sot në fshatin Poshnje në Bashkinë Dimal. Flakët e zjarrit janë përhapur me shpejtësi, të favorizuara nga era dhe temperaturat e larta, duke rrezikuar shumë banesa që ndodheshin aty pranë.

Në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrëfikëse të Dimalit dhe Beratit si dhe forcat e ushtrisë së Repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë në Poshnje.

Zjarrëfikësit kanë bërë të mundur lokalizimin e shpejtë flakëve dhe kanë shmangur rrezikun e përhapjes së tyre drejt shtëpive. Për fikjen e zjarrit në fshatin Poshnje kanë ndihmuar edhe helikopterët e ushtrisë,me hedhjen e ujit nga lart.

Aktualisht zjarri është fikur, ndërkohë që zjarrëfikësit janë duke monitoruar disa vatra që vazhdojnë të jenë të nxehta, për të shmangur rrezikun e riaktivizimit të tyre.

Si pasojë e zjarrit janë shkrumbuar shumë hektar pemë frutore dhe ullinj,por ende nuk ka një përllogaritje të saktë të dëmeve të shkaktuara nga zjarri në këtë zonë.

Ora 16:58
Zjarri në Drenovë/ Flakët përhapen drejt zonës së banuar, forcat zjarrfikëse në terren (VIDEO)

Vatrat e zjarrit janë riaktivizuar sërish mesditën e sotme në Drenovë të Mallakastrës edhe pas ndërhyrjes së dy helikopterëve të cilët filluan operimin në zonë rreth orës 11:00.

Të favorizuara nga era flakët janë përhapur sërish në një sipęrfaqe të gjerë, duke iu afruar jo vetëm puseve të naftës, por edhe po avancojnë drejt zonës së banuar.

Shërbimet zjarrfikëse, efektivët e ushtrisë, e të emergjencave civile, janë duke punuar për të mbajtur nën kontroll flakët, ndërsa janë kërkuar përforcime nga Lushnja, Berati dhe Tirana.

Ora 12:49
Zjarri në Drenovë, Çako: 95% e tyre janë shkaktuar nga pakujdesia! Nuk mundemi të ndërhyjmë nga ajri në të gjithë Republikën

Zjarri në Drenovë të Mallakastrës vijon të jetë ende aktiv. Sot në terren për të parë situatën ishte edhe Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Haki Çako.

Në një prononcim për mediat ai u shpreh se  zjarret janë një problem shumë i madh, ndaj qytetarët duhet të kenë kujdes kur djegin mbetje edhe pranë fermave të tyre, pasi mund të shkaktojnë shumë dëme.

“Jemi në zonën e Drenovës, strukturat kanë operuar gjatë gjithë natës dhe vijojnë të operojnë edhe tani. Jemi në pikun e temperaturave ekstreme. Tanimë dihet se zjarret janë një problem shumë serioz, kanë përfshirë hektarë të tëra në zonën kodrinore. Kemi arritur të shmangim një pasojë të jashtëzakonshme në puset e naftës.

Ka shumë faktorë që nxisin zjarrin, por i bëj thirrje qyetarëve të jenë të kujdesshëm në vënien e zjarreve qofshin në fermat e tyre apo në zonën e vet. 95% e zjarreve janë si rezultat i qëndrimeve të pakujdesshme duke përfshirë edhe ato të qëllimshme.

I bëj thirrje institucioneve të ashpërsojnë qëndrimin ndaj zjarrvënësve pasi pasojat janë të jashtëzakonshme pasi shpeshherë rrezikojnë qytetarët dhe zonat e banuara, sepse nuk mundemi që të ndërhyjmë nga ajri në të gjithë Republikën e Shqipërisë”, tha Çako.

Ora 10:41
Bulqizë/ Vijon zjarri në ‘Vlashaj’ të Shupenzës, erërat e forta favorizojnë përhapjen e flakëve (VIDEO)

Vatra e zjarrit e cila ka rënë që prej ditës së djeshme në malin “Vlashaj”, mbi fshatin Shupenzë, Bulqizë vijon të jetë ende aktiv.

Erërat e forta kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve.

Për shkak të terrenit të vështirë malor forcat zjarrfikëse e kanë të pamundur që të neutralizojnë zjarrin i cili ka përfshirë një sipërfaqe prej 20 hektarë.

Ndërkohë e edhe në 'malin e Peladhisë' dhe në ‘Liqenin e Luleve ‘ vatrat e zjarrit vijoijnë të jenë ende aktive. Rreth 100 trupa të ushtrisë punojnë për fikjen e zjarrit.

 

Ora 10:11
Mbrojtja: Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 17 vatra zjarri! Liqeni i Luleve’ në Parkun Kombëtar të Lurës ende nën 'pushtetin' e flakëve

Ministria e Mbrojtjes ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 17 vatra zjarri, nga të cilat 4 janë ende aktive.

Këto vatra zjarri janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Bulqizë, Mat, Vau i Dejës, Mallakastër, Lezhë, Mirditë, Gjirokastër, Përmet, Himarë, Finiq, Krujë, Tiranë, Kavajë, Rrogozhinë dhe Berat.

Aktualisht mbeten aktive vatrat:

Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe livadh. Si pasojë, deri tani është përshkuar një sipërfaqe rreth 200 ha me pyje pishe dhe ahu. Sot, 30 forca operacionale vendore dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, po vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit.

Në vendin e quajtur “Mali i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë vijon puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar. Si pasojë, deri tani është përshkuar një sipërfaqe rreth 30 ha me shkurre dhe barishte. *

Qarku Shkodër. Në vendin e quajtur “Qafa e Lacit”, bashkia Vau-Dejës, ka vijuar puna për shuarjen e vatrës së zjarrit të rënë në datë 15.07.2025 në një sipërfaqe prej rreth 25 ha me lis, dushk, shkurre dhe barishte.

Qarku Fier. Forcat po punojnë për shuarjen e zjarrit në fshatin Drenovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër. Terreni malor dhe era e fortë e kanë vështirësuar situatën. Pranë vatrës ndodhet gjithashtu një pus gazi, që përbën rrezik të shtuar. Sipërfaqja e djegur dhe e përshkuar në total llogaritet rreth 120 ha shkurre dhe pyll me pisha, si dhe janë dëmtuar dhe djegur mbi 1000 rrënjë ullinj. Sot, 36 forca operacionale vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, po vazhdojnë punën për shuarjen e zjarrit. Në ndihmë të tyre ka shkuar edhe helikopteri Cougar.

Kryesisht zjarret janë regjistruar në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, ku si pasojë janë djegur më shumë se 381 hektarë sipërfaqe dhe mbi 1000 rrënjë ullinj.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 27 automjete zjarrfikëse dhe 288 forca operacionale. Gjithashtu, në operacionet e ditës së djeshme mori pjesë edhe helikopteri Cougar i Forcave të Armatosura. Sot, që prej orës 06:00, në operacionet e shuarjes së zjarrit janë angazhuar 70 forca ushtarake dhe 2 helikopterë nga Forcat e Armatosura.

Bazuar në parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave, sot priten reshje të dobëta në qarqet Shkodër dhe Kukës, ndërsa në qarqet e tjerë priten reshje lokalisht të dobëta.

Sa u përket zjarreve në pyje, sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në qarqet Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë dhe Gjirokastër nivel rreziku “I MODERUAR” në të gjitha qarqet e tjera.

Nё disa qarqe pritet rrezik “I LARTË”, vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug-Perëndim). 

Xh.K/S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Përplasja mes Lapajt e Shabanit për mandatin, kush mendoni se ka të drejtë?