Kronikë

Rihapet gjykimi për 'Gërdecin'/ Zamira Durda: Deri tani është bërë ping-pong me çështjen! SPAK ka në dorë të hetojë Shkëlzen Berishën! Mediu s’ka moral, na ka bërë karshillëk

24 Shtator 2021, 18:06| Përditesimi: 24 Shtator 2021, 18:26

  • Share

Për 13 vite rrjesht është bërë ping-pong me çështjen e tragjedisë së Gërdecit nga institucionet e vjetra të drejtësisë. Kështu deklaron për Report Tv Zamira Durda djali i vogël i së cilës, Erisoni vetëm 7-vjeç, ka vdekur bashkë me 25 persona të tjerë nga shpërthim i fuqishëm i 15 marsit të 2008 rreth orës 12:05.

Vendimin e apelit të GJKKO për rikthimin për hetim në SPAK të dosjes së bujshme të Gërdecit, duke pranuar kështu kërkesën e prokurorisë dhe të familjes, Zamira thotë se është një lajm i mirë por vetëm hapi i parë.

“Ishte një lajm i mirë për ne është vetëm hapi i parë, nuk është se na motivon shumë presim si do të vijojë më tej. Them se do  ti shkohet deri në fund çështjes meqë u hap nga një gjykatë që premton drejtësi. Drejtësia e re të hedhë baza të shëndosha për veten. Zamira s’ka reshtur 13 vjet dhe institucionet e drejtësisë tonë kanë luajtur rolin e ping pongut. Me sistemin e ri të drejtësisë i jam drejtuar spak  dhe ai e pranoi”, tha Durda.

Pala mbrojtëse e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, e ka konsideruar këtë vendim si një akt jo kushtetues. Lidhur me këtë reagim Zamira tha se Mediu iu ka bërë karshillëk për gjithë këto vite, duke e quajtur atë të pamoralshëm.

“Zamira është mësuar në këtë përballje me atë. Në 2009 na kanë thënë se u shemb tunel i kalimashit. U vonua derisa Bamir Topi të miratonte qeverinë e re. Mediu ska moral ai na ka bërë karshillëk gjatë gjithë kësaj kohe”, shtoi ai.

Gerardo Durdaj, djali tjetër i saj, tha se në gjyq nuk duhet të jetë vetëm Fatmir Mediu, por të thirren edhe të tjerë, duke përmendur 'sy peshkaqenin', me të cilin i referohen shpesh djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha. Zamira tha se tashmë e ka në dorë SPAK nëse do të marrë ose jo nën hetim edhe Shkëlzen Berishën.

“S'kam bërë akuza ndaj Berishës pasi s'ka pasur institucion shtetëror në dorë.  Është në vullnetin e prokurorëve të SPAK tani nëse do të përfshijë persona të tjerë në këtë çështje. Gërdeci ka ndodhur nga babëzia për para dhe korrupsioni”.

Çështja thotë Durda vazhdon edhe në Gjykatën e Strasburgut ndërsa kërkon që drejtësia shqiptare të vendosë përpara përgjegjësitë fajtorët.

“Kërkoj vendosjen e fajtorëve përpara saj dhe dëmshpërblimi dhe padinë e regresit nga avokatura e shtetit. Çështja vazhdon edhe në gjykatën e Strasburgut”.

Nga ai shpërthim i fuqishëm i 15 marsit të 2008 humbën jetën 26 persona, e ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë. Kjo ngjarje përfundoi dhe në dyert e gjykatave shqiptare, ende nuk ka asnjë person pas hekurave. Vendimi i sotëm për rihapjen e çështjes ka dhënë një dritë shprese për të gjetur drejtësinë e munguar, por sesa do të finalizohet pas 13 vitesh mbetet për t'u parë.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A ka politika frikë nga SPAK-u?