Bashkia e Tiranës ka reaguar në lidhje me denoncimin e zëdhënëses së PD-së, Ina Zhupa, e cila tha se Rama dhe Veliaj gënjyen për rindërtimin e shkollës në Pezë Helmës.
Sipas Zhupës, shkolla pritej të përfundonte në shtator, por tashmë nxënësit e kësaj shkolle do të transferohën në shkollën e Vaqarrit.
Në një deklaratë zyrtare, Bashkia e Tiranës ka sqaruar për publikun e gjerë se Partia Demokratike ka zgjedhur rrugën e mashtrimit.
"Bashkia e Tiranës sqaron se shkolla 9-vjeçare në Pezë Helmës është pjesë e programit “EU4Schools”, me donacion nga Bashkimi Europian, dhe rikonstruksioni i plotë i saj po menaxhohet nëpërmjet UNDP.
Në vijim, Bashkia e Tiranës ka qenë vazhdimisht në kontakt me përfaqësinë e prindërve të shkollës dhe ditën e djeshme Administratori i Njësisë Administrative Pezë ka zhvilluar një takim me një përfaqësi të prindërve, të cilët kanë dakordësuar që të gjithë fëmijët ta kryejnë mësimin në mjediset e shkollës private “Vëllezërit Kajtazi” vetëm me një turn", shkruhet në deklaratë.
Bashkia e Tiranës i ka bërë thirrje PD-së që të ndalojë menjëherë mashtrimet publike, të mos përdorë dhe të mos bëjë fushatë me fatkeqësinë e tërmetit të nëntorit 2019.
"Me sa duket, Lulzim Basha dhe Partia Demokratike kanë zgjedhur rrugën e shpifjes dhe mashtrimit, si alternativën e vetme që mund t’ju ofrojë qytetarëve të Tiranës.
Është për të ardhur keq që, edhe sot, ashtu si pak ditë më parë, Lulzim Basha dhe spikeret e tij, gënjyen publikisht për rastin e shkollës 9-vjeçare në Pezë Helmës, e cila u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit.
Bashkia e Tiranës sqaron se shkolla 9-vjeçare në Pezë Helmës është pjesë e programit “EU4Schools”, me donacion nga Bashkimi Europian, dhe rikonstruksioni i plotë i saj po menaxhohet nëpërmjet UNDP.
Në vijim, Bashkia e Tiranës ka qenë vazhdimisht në kontakt me përfaqësinë e prindërve të shkollës dhe ditën e djeshme Administratori i Njësisë Administrative Pezë ka zhvilluar një takim me një përfaqësi të prindërve, të cilët kanë dakordësuar që të gjithë fëmijët ta kryejnë mësimin në mjediset e shkollës private “Vëllezërit Kajtazi” vetëm me një turn.
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat që shkolla “Vëllezërit Kajtazi”, ku do të zhvillojnë mësimin nxënësit e shkollës së Pezë Helmësit, të pajiset me të gjithë bazën e nevojshme materiale për një mësim normal, duke filluar nga dita e hënë.
Pak ditë më parë, Partia Demokratike dhe spikeret e saj u munduan të mashtronin opinionin, duke sjellë në vëmendje rastin e një qytetari të prekur nga tërmeti, i cili përkundrejt asaj që thoshte PD, ishte trajtuar me bonus qeraje dhe i kishte tërhequr të gjitha paratë që i takonin.
Sot ishte hera e disatë që PD-ja dështoi të gjejë një rast që nuk është mbështetur nga Qeveria e nga Bashkia e Tiranës në fatkeqësinë e tërmetit. Partia Demokratike nuk ka asnjë shans të vjelë vota me mashtrime e gënjeshtra, ndaj do bënte mirë të ndalojë menjëherë mashtrimet publike, të mos përdorë dhe të mos bëjë fushatë me fatkeqësinë e tërmetit të nëntorit 2019.
Bashkia e Tiranës është duke punuar me intensitet për rikonstruksionin dhe rindërtimin e shkollave që u dëmtuan nga tërmeti. Shkolla e Lalmit, shkolla “1 Qershori”, shkolla “Jeronim de Rada”, e shumë të tjera, do të hapin dyert në kohë rekord për nxënësit", thuhet në deklaratën zytare të Bashkisë së Tiranës.