Në një prononcim për mediat nga qendra e rinumërimit të votave për Tiranën, anëtari i KAS Koli Bele tha se deri të hënën pritet që të kenë përfunduar të gjithë procesin. I pyetur nëse nga kutitë e rihapura deri më tani, konstatimi i votave të pamerituara në favor të partive dhe kandidatëve tregon vetëm një gabim njerëzor, apo krim zgjedhor, Bele tha se KAS po kryen vetëm procesin administrativ, dhe nuk është organ hetimor.
“Procesi është i gjatë dhe deri diku i panatyrshëm se nuk është ndërtuar Kodi Zgjedhor që një trup me pesë vetë të zëvendësojë 11 KZAZ e Tiranës dhe disa qindra numërues që po zëvendësohen nga një administratë e KQZ. Janë numëruar gjysma e kutive, dhe në këtë ritëm normal, ndoshta të shtunën ose maksimalisht të hënën do të kemi një përfundim të procesit.
Duhet të kuptojmë se ky proces në vetvete nuk bën hetimin për kuti, por rinumërohen dhe dalin në një rezultat përfundimtar. Për të konkluduar nëse në një rast ka diferenca të mëdha apo jo qëllim kriminal, duhet hetuar në një proces tjetër. Ne nuk jemi duke hetuar kuti më kuti çfarë ka ndodhur. Numërohet, tabulohet dhe bëhet një rezultat përmbledhës.”, u shpreh Bele.
Lidhur me kërkesën e PS drejtuar KAS se vota që janë të vlefshme janë konsideruar si të pavlefshme, Bele tha:
“Nuk më rezulton një gjë e tillë. Ky proces që administrohet ka ardhur nga 11 KZAZ, ku kriteret e vlerësimit sado që janë të sugjeruara nga manuali, rast pas rasti mund të ketë diferenca të vogla, që mund të përkthehet në ndryshimin e një vote. Por nëse mbahet një qëndrim i caktuar, ai vepron në mënyrë të barabartë për të gjithë kandidatët dhe nuk ka lëvizje masive të tilla. Subjektet në momente të caktuara kanë meraket dhe emocionet e tyre, mbajnë qëndrime të caktuara. S’mund të kënaqet çdo subjekt nga çdo vendimmarrje e jona. Ajo që garantojmë është që standardi është i njëjtë dhe është brenda kufijve të ligjit”, shtoi ai.
Lajmi kryesor:
Dita e 6-të e rinumërimit të votave për Tiranën, hapen 771 kuti! PD ka humbur 399 vota, PS 302
Xh.D/I.M/ReportTv.al
