Përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ, Franc Nuri në një intervistë për Report Tv thotë se procesi i rinumërimit po ecën me ritme të ngadalta. Nga pallati i sportit “Fahrie Hoti” ku po rinumërohen votat e Tiranës, Nuri tha për gazetaren Esiona Konomi se duhej të ishte e udhës që procesi të ecte më shpejt.
“Procesi po ecën me ritme të ngadalta, deri dje që ishte dita e parë janë përpunuar më pak se 100 kuti. Janë dy persona pjesë e stafit që përpunojnë. Numërimi klasik dihet që janë 4. Duhet të ishte e udhës që procesi të ecte me ritme më të shpejta, se janë 1200 kuti”, tha Nuri.
Bilancin Nuri thotë se do ta bëjnë në fund, por thekson se kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi.
“Bilanci do bëhet në fund. Por aty ku ka raste ku ka këto diferenca, më tepër të përqendruara në një QV, aty ka vend për verifikime të thelluara dhe nëse ka pasur shkelje ligji, pavarësisht përkatësie partiake, ne kemi thënë dhe deklaruar që jemi të hapur, të mbajnë përgjegjësi ata që kanë shkelur ligji”, tha Nuri.
Pyetjes mbi rrezikun që edhe komisionerët e PD rrezikojnë burgun, Nuri i përgjigjet kështu.
“Atë nuk e përcaktojmë ne, atë e përcakton Prokuroria dhe vetë KQZ nëse do marrë iniciativën për të çuar kallëzim penale. Çdo njeri që ka shkelur ligjin duhet të japë përgjigje dhe të mbajë përgjegjësi për akte e veta në mënyrë individuale”, tha Nuri.
Pavarësisht betejave që kanë humbur në KAS e Kolegj Zgjedhor, Nuri thotë se kanë arritur të faktojnë për shqiptarët e opinionin ndërkombëtar se më 11 maj ka pasur shkelje.
“Nga këqyrja e materialeve për Tiranën, ajo që kërkojmë është të evidentohen ato diferenca me 11 majin, dhe aty ku ka diferenca, pak rëndësi ka se në favor të kujt ka qenë vota, por kur ka diferenca, ene e konsiderojmë sjellje të paligjshme që cenon procesin. Dita e votimit ka qenë maja e ajsbergut, gjitha parregullsitë dhe paligjshmërie kanë ndodhur më para, ose ditën e votimit. Nëse një votë është e blerë ajo nuk kuptohet. Po bëhet këqyrja e materialeve, për të parë se çfarë ka procesverbali, a ka përputhje me numrat e fletëve të votimit që është deklaruar.
Përderisa është farsë elektoral, si qëndrimi i PD, edhe besim tek institucionet duhet të bënte që t’i të mos u drejtoheshe fare. Vendimi politik i partisë ka qenë që të zgjidhej rruga institucionale. I jemi drejtuar KAS dhe Kolegjit. Kemi humbur me shumicë votash, por ajo që është e rëndësishme është që kemi ndjekur rrugën institucionale dhe kemi arritur të faktojmë më prova në sytë e shqiptarëve dhe opinionit publik e ndërkombëtare që ka pasur shkelje. Nga këto institucione kaq mund të marrim”, thekson ai.
Lajmi kryesor:
Mbyllet dita e dytë e rinumërimit në Tiranë/ Hapen 209 qendra: PS humbet 105 vota, PD 107
SI.E./r.k./ReportTv.al
