Politikë

Mbyllet dita e dytë e rinumërimit në Tiranë/ Hapen 209 qendra: PS humbet 105 vota, PD 107

19 Qershor, 09:41| Përditesimi: 19 Qershor, 22:27

  • Share

TIRANË- Rinumërimi i deritanishëm i kutive të qarkut të Tiranës është larg pretendimit të PD për masakër zgjedhore. Ky proces po evidenton vetëm gabime të vogla njerëzore dhe çështje subjektiviteti të interpretimit të votave të pavlefshme nga ana e numëruesve.

Deri në orën 22:00 të ditës së dytë të rinumërimit janë hapur 209 kuti votimi, nga 1282 në total që ka qarku i Tiranës, por kanë rezultuar ndryshime të vogla, që nuk prekin rezultatin. Më së shumti kanë përfituar vota të pamerituara dy partitë e mëdha, të cilat kanë pasur edhe anëtarë në çdo tavolinë të numërimit gjatë procesit të 11 majit.

Rinumërimi për partitë

Nga rinumërimi i 209 kutive, del se PS kishte përfituar 105 vota më shumë, PD-ASHM kishte përfituar nga numërimi i parë, 107 vota më shumë, PSD 4 vota më shumë dhe Lëvizja Bashkë 11 vota më shumë, Nisma Shqipëria Bëhet 10 vota më shumë. Pjesa më e madhe llogariten si vota të pavlefshme, ose janë vota që janë marrë në kurriz të partive të tjera.

Partia Mundësia që po ‘lufton’ për të ruajtur mandatin e dytë, nga rinumërimi deri më tani rezoltuan të mos ketë përfituar asnjë votë që si takon. Ndërkohë, 6 vota më shumë përfiton edhe partia e Lulzim Bashës dhe 3 koalicioni i Alibeajt. 

Rinumërimi për kandidatët

Sa i takon betejës së brendshme të partive, të dy kampet kanë trafikuar vota brenda familjes edhe pse deri më tani rezultatet e rinumërimit nuk tregojnë asnjë ndryshim në renditje. Ilir Alimehmeti ishte ai që kërkoi t'i hapen kutitë, por nga rinumërimi (197 kuti deri në orën 22:00), se i zbritet 21 vota, të cilat i kishte marrë padrejtësisht më 11 maj. Rivales së tij Jorida Tabaku i janë shtuar 9 vota, duke mos e zbutur diferencën prej 2400 votash që kanë mes tyre. Kandidates Ilda Zhulali i ishin vjedhur 14 vota. Nga, rinumërimi, Mhill Gecajt i hiqen 12 vota, Asllan Dogjanit i shtohen 15 vota apo Dhurata Çupit i shtohen 3 vota. Petrit Dodës i zbriten 19 vota, Petrit Gjorgjit i zbriten 44 vota.

As në kampin e PS nuk ka ndryshim. Pavarësisht diferencës së ngushtë me 140 vota që Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti patën nga rezultati i 11 majit, deri më tani s’ka asnjë ndryshim në mandat. Nga rinumërimi, Olta Xhaçkës i zbriten 12 vota, ndërsa Gjylametit rezulton të i jetë devijuar asnjë votë e hedhur kundrejt saj. Fatmir Xhafajt po ashtu i zbriten 26 vota që më 11 maj i kishte marrë padrejtësisht. Sofika Lleshit i zbriten 26 vota apo Kejsi Elezit që i zbriten po ashtu 77 vota, Halil Koloshit 37 dhe Ylli Shehut 46 vota.

Braho: Vetëm gabime njerëzore

Lëvizjet e papërfillshme thuajse në të gjithë kutitë e hapura, i thekson edhe vetë anëtari i Partisë Demokratike në KAS, me veton e të cilit u iniciua rinumërimi i plotë i kryeqytetit.

“Procesi është në fillime, janë numëruar më pak se 10% të kutive, dy partitë e mëdha kanë humbur vota. Te kandidatët kanë pasur lëvizje, disa kanë pasur vota të pamerituara. Kanë qenë vota të diskutueshme, janë çështje subjektiviteti të grupeve të numërimit. Deri tani parregullsisë kanë qenë njerëzore”, tha Braho.

Shehaj: Po të mos ishim të vëmendshëm, na rrezikohej mandati

I vetmi mandati që mund të ndryshonte nga ky rinumërim mund të ishte ai i 2-ti i partisë Mundësia që mund të bëhej i 14-ti i PD-së. Por vetë Agron Shehaj nuk e fsheh sigurinë që jo vetëm nuk rrezikohet por mandati po blindohet edhe më shumë diferenca me PD.

"Këtu procesi do të zgjas të paktën nja dy javë dhe ne kemi vëzhgues gjithandej dhe po të mos kishim qenë në të vëmendshëm, po të mos kujdeseshim për çdo votë rezultati do ishte ndryshe dhe do të kishte tentativa për të rrëmbyer mandatin’, tha Shehaj për Report Tv. 

Vetëm për qarkun e Tiranës, procesi i rinumërimit sipas KQZ mund të zgjasë rreth 10 ditë, ku në total do të hapen  1282 kuti votimi ose rreth 400 mijë fletë votimi. Pas Tiranës, do rinumërohen 587 kuti të Fierit, dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës (275 kuti brenda vendit + 85 nga diaspora).

Kliko KËTU për të lexuar rezultatet e rinumërimit

Ora 15:42
Rinumërimi/ Nuri për Report Tv: Po ecën me ritme të ngadalta! Kush ka shkelur ligjin të mbajë përgjegjësi, faktuam shkeljet më 11 maj

Përfaqësuesi ligjor i PD në KQZ, Franc Nuri në një intervistë për Report Tv thotë se procesi i rinumërimit po ecën me ritme të ngadalta. Nga pallati i sportit “Fahrie Hoti” ku po rinumërohen votat e Tiranës, Nuri tha për gazetaren Esiona Konomi se duhej të ishte e udhës që procesi të ecte më shpejt.

“Procesi po ecën me ritme të ngadalta, deri dje që ishte dita e parë janë përpunuar më pak se 100 kuti. Janë dy persona pjesë e stafit që përpunojnë. Numërimi klasik dihet që janë 4. Duhet të ishte e udhës që procesi të ecte me ritme më të shpejta, se janë 1200 kuti”, tha Nuri.  

Bilancin Nuri thotë se do ta bëjnë në fund, por thekson se kushdo që ka shkelur ligjin duhet të mbajë përgjegjësi.

“Bilanci do bëhet në fund. Por aty ku ka raste ku ka këto diferenca, më tepër të përqendruara në një QV, aty ka vend për verifikime të thelluara dhe nëse ka pasur shkelje ligji, pavarësisht përkatësie partiake, ne kemi thënë dhe deklaruar që jemi të hapur, të mbajnë përgjegjësi ata që kanë shkelur ligji”, tha Nuri.

Pyetjes mbi rrezikun që edhe komisionerët e PD rrezikojnë burgun, Nuri i përgjigjet kështu.

“Atë nuk e përcaktojmë ne, atë e përcakton Prokuroria dhe vetë KQZ nëse do marrë iniciativën për të çuar kallëzim penale. Çdo njeri që ka shkelur ligjin duhet të japë përgjigje dhe të mbajë përgjegjësi për akte e veta në mënyrë individuale”, tha Nuri.

Pavarësisht betejave që kanë humbur në KAS e Kolegj Zgjedhor, Nuri thotë se kanë arritur të faktojnë për shqiptarët e opinionin ndërkombëtar se më 11 maj ka pasur shkelje.

“Nga këqyrja e materialeve për Tiranën, ajo që kërkojmë është të evidentohen ato diferenca me 11 majin, dhe aty ku ka diferenca, pak rëndësi ka se në favor të kujt ka qenë vota, por kur ka diferenca, ene  e konsiderojmë sjellje të paligjshme që cenon procesin. Dita e votimit ka qenë maja e ajsbergut, gjitha parregullsitë dhe paligjshmërie kanë ndodhur më para, ose ditën e votimit. Nëse një votë është e blerë ajo nuk kuptohet. Po bëhet këqyrja e materialeve, për të parë se çfarë ka procesverbali, a ka përputhje me numrat e fletëve të votimit që është deklaruar.

Përderisa është farsë elektoral, si qëndrimi i PD, edhe besim tek institucionet duhet të bënte që t’i të mos u drejtoheshe fare. Vendimi politik i partisë ka qenë që të zgjidhej rruga institucionale. I jemi drejtuar KAS dhe Kolegjit. Kemi humbur me shumicë votash, por ajo që është e rëndësishme është që kemi ndjekur rrugën institucionale dhe kemi arritur të faktojmë më prova në sytë e shqiptarëve dhe opinionit publik e ndërkombëtare që ka pasur shkelje. Nga këto institucione kaq mund të marrim”, thekson ai.

Ora 11:34
Rinumërimi për Tiranën/ Braho: Deri më tani parregullsi njerëzore, procesi në fillim, s’mund të bëjmë bilanc

 

Anëtari i PD, në KAS, Ledio Braho në një prononcim për mediat foli për procesin e rinumërimit të votave në Tiranë. Braho tha se rinumërimi ka treguar se partitë e mëdha kanë humbur vota dhe se ka pasur lëvizje votash edhe tek kandidatët. Por gjithsesi, ai theksoi se janë numëruar më pas se 10% e kutive dhe është ende herët për të dalë në konkluzione. Braho tha se deri më tani parregullsisë kanë qenë njerëzore. 

“Kur ka pasur vota të diskutueshme, janë zgjidhur me vendimmarrje të KAS, për rastin kur kanë qenë të vlefshme, të pavlefshme, apo vota të diskutueshme për kandidatët. S’ka asnjë lloj merite diskutimi për transparencën në këtë proces. Ideja për Tiranën nuk ishte për prova, kishte të bënte me transparencën, me pretendimin e kandidatëve që u ishin tjetërsuar votat. Procesi është në fillime, janë numëruar më pak se 10% të kutive, dy partitë e mëdha kanë humbur vota. Te kandidatët kanë pasur lëvizje, disa kanë pasur vota të pamerituara. Kanë qenë vota të diskutueshme, janë çështje subjektiviteti të grupeve të numërimit. Deri tani parregullsisë kanë qenë njerëzore. 

Procesi është në fillim, nuk, mund të bëjmë bilanc se në çfarë mase mund të ketë ndodhur tjetërsim votash. Për ato fletë që kanë ardhur dhe që janë konsultuar me trupën e KAS. Shpresojmë sa më shpejt, qëllimi është që sa më shpejt të dalë rezultati”, tha Braho.

Një koment e ka edhe për hapjen e kutive të Gramshit dhe të Peqinit.

"Ne nuk jemi akoma në fazën që të kemi vlerësuar provat, PD dhe PS i kanë marrë në dispozicion procesverbalet që dolën. Kishte mospërputhje me fletët e gjetura në kuti me ato të përdorura, apo fletë votimi pa vula. Është diçka që duhet trajtuar me kujdes, lidhur dhe me ato video që qarkulluan nga qendrat e votimit", vijoi Braho. 

SI.E./K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD ankohet në Strasburg për zgjedhjet e 11 majit dhe SPAK, si e vlerësoni?