TIRANË- Prej orës 09:00 deri në orën 15:30, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në kryeqytet janë rinumëruar 106 kuti në ditën e katërt të rinumërimit, ku deri më tani janë hapur 437 kuti nga 1282 në total të qarkut, ose rreth 33%.
Rezultatet e rinumërimit duket se janë larg pritshmërive të Partisë Demokratike, e cila është në kërkim të mandatit të 14 në Tiranë, në "kurriz" të Partisë Mundësia. Hapja e kutive deri më tani ka treguar vetëm gabime të vogla dhe që nuk sjell asnjë lloj ndryshimi as në rezultatin e mandateve për subjektet politike, por as në renditjen e kandidatëve në listën e hapur.
Me 437 kutitë e hapura deri më tani, PD rezulton se ka 219 vota të pamerituara, ndërsa PS 190. Këto vota u zbriten nga tabela e parë dhe llogariten si vota të pavlefshme. Edhe Nisma Shqipëria Bëhet rezulton se deri më tani ka 26 vota të pamerituara, Lëvizja Bashkë 10, Partia Social Demokrate e Tom Doshit 23 vota që i ishin shtuar padrejtësisht më 11 maj.
Ndërsa Partia Mundësia që po ‘lufton’ për të ruajtur mandatin e dytë, nga rinumërimi deri më tani rezulton t’i zbriten 7 vota. Ndërkohë, koalicionit të Lulzim Bashës i shtohen 13 vota më shumë dhe 6 vota më shumë i shtohen koalicionit të Enkelejd Alibeajt.
Lëvizjet e votave për kandidatët janë më të mëdha, por deri më tani hapja e kutive nuk sjell asnjë ndryshim. Në kampin e demokratëve, Ilir Alimehmetit të PD i zbriten 61 vota nga rinumërimi, Tabakut i zbriten 18 vota. Ilir Meta ka 28 vota të pamerituara.
Edhe në kampin socialist ka pasur humbje votash. Olta Xhaçka, e cila fitoi me një rezultat të ngushtë kundrejt Blerina Gjylametit, rezulton se ka 34 vota të pamerituara. Gjylametit i janë shtuar 4 vota nga rinumërimi. Fatmir Xhafaj ka marrë 81 vota padrejtësisht, Xhemal Qefalia 125 vota.
“Mundësia” e humbet mandatin e dytë në Tiranë nëse ka 177 vota më pak. PD e fiton mandatin e 14 nëse ka 1234 vota më shumë.
Kliko KËTU për të lexuar rezultatet e rinumërimit
Komente
