Politikë

Vijon rinumërimi për Tiranën, hapen 28% e kutive! PD i zbriten 186 votat që s’i takonin, PS 170! Edhe Mundësia 3 vota më pak

21 Qershor, 07:53| Përditesimi: 21 Qershor, 12:15

  • Share

TIRANË- Prej orës 09:00, në Pallatin e Sportit “Farie Hoti” në kryeqytet po vijohet me ditën e katërt të rinumërimit, ku deri më tani janë hapur 367 kuti nga 1282 në total të qarkut, ose rreth 28%.

Rezultatet e rinumërimit duket se janë larg pritshmërive të Partisë Demokratike, e cila është në kërkim të mandatit të 14 në Tiranë, në "kurriz" të Partisë Mundësia. Hapja e kutive deri më tani ka treguar vetëm gabime të vogla dhe që nuk sjell asnjë lloj ndryshimi as në rezultatin e mandateve për subjektet politike, por as në renditjen e kandidatëve në listën e hapur.

Me 367 kutitë e hapura deri më tani, PD rezulton se ka 186 vota të pamerituara, ndërsa PS 170. Këto vota u zbriten nga tabela e parë dhe llogariten si vota të pavlefshme. Edhe Nisma Shqipëria Bëhet rezulton se deri më tani ka 20 vota të pamerituara, Lëvizja Bashkë 16, Partia Social Demokrate e Tom Doshit 25 vota që i ishin shtuar padrejtësisht më 11 maj.

Ndërsa Partia Mundësia që po ‘lufton’ për të ruajtur mandatin e dytë, nga rinumërimi deri më tani rezulton t’i zbriten 3 vota. Ndërkohë, koalicionit të Lulzim Bashës i shtohen 15 vota më shumë dhe 7 vota më shumë i shtohen koalicionit të Enkelejd Alibeajt.  

Lëvizjet e votave për kandidatët janë më të mëdha, por deri më tani hapja e kutive nuk sjell asnjë ndryshim. Në kampin e demokratëve, Ilir Alimehmetit të PD i zbriten 39 vota nga rinumërimi, Tabakut i zbriten 5 vota. Ilir Meta ka 22 vota të pamerituara.

Edhe në kampin socialist ka pasur humbje votash. Olta Xhaçka, e cila fitoi me një rezultat të ngushtë kundrejt Blerina Gjylametit, rezulton se ka 16 vota të pamerituara. Gjylametit i janë shtuar 7 vota nga rinumërimi. Fatmir Xhafaj ka marrë 63 vota padrejtësisht, Xhemal Qefalia 121 vota.

“Mundësia” e humbet mandatin e dytë në Tiranë nëse ka 177 vota më pak. PD e fiton mandatin e 14 nëse ka 1234 vota më shumë.

Kliko KËTU për të lexuar rezultatet e rinumërimit

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?