Politikë

S’ka farsë! Pas rinumërimit, KAS ‘certifikon’ rezultatin e 11 majit në 4 qarqet e fundit! Rrëzohet kërkesa e PD për hapjen e kutive të tjera në Tiranë e Durrës

7 Korrik, 07:51| Përditesimi: 7 Korrik, 18:50

  • Share

Komisioni i Ankesave në KQZ tha sot fjalën fundit për zgjedhjet e 11 majit, duke rrëzuar sërish PD-në, e cila kishte kërkuar përsëritje zgjedhjesh edhe në Tiranë, Fier, Elbasan e Durrës.

Pas rinumërimit dhe verifikimit që u bë në këto zona zgjedhore, KAS vendosi të lërë në fuqi rezultatin, por duke shpallur në Fier, fituese të mandatit, Maldrita Bardhon dhe jo Zegjine Çaushin.

Bardho e fitoi karrigen parlamentare me vetëm 10 vota gjatë rinumërimit, por refuzoi ta marrë atë. Gjithsesi, ajo duhet të deklarojë zyrtarisht në Kuvend që ja fal vendin Zegjine Çaushit.

Gjatë seancës së kësaj të hëne, KAS rrëzoi Aulon Kalanë që kërkoi numërim të plotë në Durrës dhe PD-në që deshi hapjen e 300 kutive të materialeve zgjedhore në Tiranë.

Në këtë mënyrë KAS miratoi edhe tabelat e reja përmbledhëse të rezultateve pas rinumërimit për këto qarqe, me shifrat respektive, ndryshe nga ato të numërimit të parë të 11 majit. Aktualisht PD pritet të ndjekë rrugën ligjore të ankimimit në Kolegjin Zgjedhor.

Të trija shkallët janë certifikuar deri tani rezultatin e 8 qarqeve, kurse KQZ shpërndau mandatet e deputetëve për to dhe tani pritet certifikimi me formë të prerë edhe i 4 qarqeve të fundit.

Pas 11 majit, me votat e 2 anëtarëve të KAS, u rinumëruan gati 45 % e votave të 11 majit, proces që i mori KQZ-së 3 javë kohë, dhe 200 mijë euro.

Çfarë ndodhi në KAS?

Mbledhja nisi me ankimimin e PD-së për qarkun e Elbasanit, ku opozita këmbënguli për parregullsi të theksuara dhe "trenin bullgar". PD kërkoi shpalljen e pavlefshme të rezultatit të 11 majit dhe përsëritjen e zgjedhjeve në këtë qark, pas hapjes së 94 kutive për verifikim të materialeve zgjedhore.

Përfaqësuesi ligjor, Marash Logu, paraqiti një material prej qindra faqesh, ku pretendon me pamje filmike dhe dokumente shkeljet e konstatuara në qark. Logu tha se janë gjetur raste ku ka pasur votime kolektive, futje të fletëve nga jashtë, votimin nga dy herë, shkelje të komisionerëve, duke theksuar se këto shkelje çojnë te pavlefshmëria e zgjedhjeve, sepse ka edhe devijim të rezultatit në Elbasan.

Pasi u mbyll Elbasani, diskutimet kaluan tek qarku i Tiranës, ku PD kërkoi hapjen e 300 kutive të tjera për verifikim të materialeve zgjedhore, me pretendimin se ka pasur rritje të zgjedhësve që nuk kanë përdorur shenjën e gishtit për t’u identifikuar elektronikisht, por kjo kërkesë u rrëzua.

Sa i takon rinumërimit në qarkun e Fierit, PD tha se ata nuk kërkuan rinumërim për Fierin, por mbështetën subjektin e Adriatik Lapajt. Marash Logu tha se parti trafikim vote, duke kërkuar përgjegjësi penale.

Pika e fundit e rendit të ditës së diskutuar në KAS ka qenë ai për Durrësin, që gjithashtu pati debate, pasi kandidati i PD-së, Aulon Kalaja këmbënguli për rinumërimin e të gjitha kutive në qark, pasi nga procesi i pjesshëm i rinumërimit, ai pretendoi se rezultatet treguan numër të madh trafikimi të votës nga kandidatët brenda PD-së. Por pasi u tërhoq për vendim, KAS e rrëzoi edhe këtë kërkesë për të rinumëruar të gjithë qarkun e Durrësit.

Pas 11 majit, me votat e 2 anëtarëve të KAS, u rinumëruan gati 45 % e votave të 11 majit, proces që i mori KQZ-së 3 javë kohë, dhe 200 mijë euro. KQZ ka certifikuar përfundimisht rezultatet për 8 qarqet e tjera, ndërsa janë shpërndarë edhe mandatet. PD pritet të çojë në Kolegj Zgjedhor vendimin e KAS për Tiranën, Fierin, Durrësin e Elbasanit dhe vetëm pasi të shprehet Kolegji, KQZ mund të certifikojë përfundimisht rezultatin në këto 4 qarqe.

Ora 15:47
Debatet në KAS për Durrësin/ Kalaja kërkon rinumërimin e të gjithë qarkut: Më thatë se po të gjendeshin shkelje, do e bënit! Do shkoj në Kushtetuese

Pika e fundit e rendit të ditës së diskutuar në KAS ka qenë ajo për Durrësin, që gjithashtu pati debate, pasi kandidati i PD-së, Aulon Kalaja këmbënguli për rinumërimin e të gjitha kutive në qark, pasi nga procesi për mbi 150 kutitë e vendosura nga KAS treguan numër të madh trafikimi të votës nga kandidatët brenda PD-së.

Përfaqësuesi ligjor i Kalasë, u shpreh qartë në fjalën e tij:

“U pa se në kuti trendi i votave ishin nga 14-15 vota për kuti që kalonin nga një kandidat të tjetri. Në aq kuti sa hapët rezultoi se ishin të paktën 86 vota që ishin marrë në mënyrë të padrejtë nga kandidati Arjan Ndoji, ndërkohë që trendi ishte i dukshëm dhe duheshin hapur të gjitha. Shkeljet gjithashtu duhet të referohen në Prokurori”, tha ai.

Edhe Kalaja debatoi me anëtarët e KAS, duke u thënë se bënë gabim që nuk i hapën të gjitha kutitë në Durrës. Ai kërkoi gjithashtu nga KAS një vendim për legjitimimin e tij si ankimues, pasi do të ndjekë edhe rrugën e ankimimit në Gjykatën Kushtetuese.

KAS i kujtoi se kanë shqyrtuar kërkesën e subjektit me të cilin ai u përfaqësua, PLL, pasi PD nuk e përfaqësoi.

“Ju i mbyllët kutitë. Unë do ndjek edhe rrugën në Gjykatën Kushtetuese. Ju morët vendim për t’i mbyllur kutitë, duhet të zbatoni ligjin, për atë jeni aty. Rinumërimi tregoi edhe nëpërmjet videove se pati tjetërsim vote. Ka video të tjera të kutive që nuk janë vendos për t’u hapur. Në mbledhjen e fundit më thatë këtu se po të gjendeshin shkelje, do rihapeshin edhe të tjerat”, tha Kalaja mes të tjerash.

Anëtari Ledio Braho tha se rinumërimi tregoi një kampion dhe trendi nuk tregonte për ndryshim të mandateve në Durrës, por Kalaja e kundërshtoi duke thënë se me ato që u zbuluan nga rinumërimi, sikurse në Fier, mund të ndodhte që të kishte kuti në Durrës me diferenca dhe trafikim deri në 40 vota për kuti dhe që mund të shkonin në total edhe mbi 500 vota të devijuara.

Kalaja këmbënguli që Durrësi të rinumërohet i gjithë bazuar në rezultatet që dolën, përveç ndjekjes penale në Prokurori. Ai i kujtoi KAS-it se në mbledhjet e kaluara ua premtuan këtë proces nëse do të gjendeshin problematika në ato që u kryen.

Por KAS kujtoi se vendimi ishte për mosrinumërim total të Durrësit dhe rinumërimet e kryera deri tani janë nisma të dy anëtarëve. Rusmali kujtoi se KAS si institucion i ka rrëzuar të gjitha kërkesat për rinumërim të kutive në të gjitha qarqet dhe ato që u rinumëruan ishin me kërkesën e dy anëtarëve dhe se "kjo është histori e mbyllur".

KAS u shpreh se mund të merrte vendim për rinumërimin e 8 prej kutive që Kalaja kishte prova se kishte shkelje dhe devijim vote, por kandidati u shpreh:

"Po të jetë për kaq kuti, më mirë të mos merrej vendim fare nga KAS!", u shpreh ai, duke këmbëngulur tek rinumërimi i të gjithave.

KAS pasi dëgjoi palët, u tërhoq për të marrë vendim për Durrësin. Në fund anëtarët e komisioni votuan kundër kërkesës së kandidatit të PD-së për hapjen e të gjithë qarkut të Durrësit.

Ora 13:18
Aulon Kalaja protestë para KQZ-së, kërkon rinumërim të plotë për Qarkun e Durrësit

Kandidati i PD-së në Qarkun e Durrësit, Aulon Kalaja, së bashku me një grup mbështetës të tij, mbajti një protestë sot para godinës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ai kërkon rinumërim të plotë për Durrësin, pasi rinumërimi për këtë Qark u bë pjesërisht, ku rezultoi me tjetërsim votash brenda partive, por me diferenca të vogla.

Kalaja tha për mediat se nëse nuk pranohet kërkesa e tij, çështjen do e çojë në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për ta hetuar.

“Do ndjek të gjitha mjetet ligjore. Kam shkuar në KAS për legjitimitet, në Kolegj Zgjedhor. Jam në një betejë në Gjykatën Kushtetuese. Do hap çështje tjetër tani, do i drejtohem SPAK-ut dhe do jetë po SPAK-u që nk duhet ta shkelë ligjin. Prokuroria do sekuestrojë kutitë e votimit. Jam në një betejë që do ti shkoj deri në fund. Unë akoma nuk e di sa vota kam. E kam të drejtë të di sa vota kam”, tha Kalaja.

I pyetur nëse ndihet i zhgënjyer nga Partia Demokratike, Kalaja thekson se “PD duhet të kërkonte hapjen e gjithë kutive”.

Xh.D/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis aksioni për lirimin e hapësirave publike, si e vlerësoni?