Politikë

Rinumërimi 'zbraz' kutitë e kandidatëve! Përplasja për votat e pavlefshme, manuali i KQZ dhe standardi i KAS (Rreziku për Durrësin e Fierin)

25 Qershor, 15:31| Përditesimi: 25 Qershor, 16:03

  • Share

Kur janë hapur kutitë e 65% e qendrave të votimit në procesin e rinumërimit të të gjithë qarkut të Tiranës, teksa lëvizjet e votës për partitë politike kanë rezultuar minimale, ajo që po shqetëson dhe krijon përplasje është rivlerësimi i votës së kandidatëve.

Nga rinumërimi i 794 kutive prej 1207 gjithsej për t’u hapur rezultoi se 32 kandidatëve të Partisë Socialiste në listën e hapur të Tiranës i janë hequr plot 1724 vota krahasuar me numërimin e pas 11 majit, ndërsa 5 të tjerëve i janë shtuar 70 vota

Me shifra pak më vogla, por në të njëjtin trend, rezulton edhe në koalicionin opozitar, PD-ASHM. 27 kandidatëve opozitarë u janë hequr 705 vota, krahasuar me 130 vota që u janë shtuar 10 kandidatëve.

Pra me një mbledhje të thjeshtë, rezulton se vetëm për kandidatët e dy koalicionet e mëdha kanë ndryshuar me 2629 vota tabelat përmbledhëse të numërimit të 11 majit.

Kjo situatë ka sjellë pakënaqësi dhe reagime nga kandidatë të dy krahëve politikë.

Asllan Dogjani u përzu me polici nga qendra e rinumërimit në pallatin e sportit “Fahrie Hoti”, kur një votë që e kishte kryqin pak mbi kutinë, u përplas me anëtarët e KAS.

Deputeti socialist Erion Braçe, që figuron një prej kandidatëve që u janë hequr më shumë vota, edhe pse nuk rrezikon aspak mandatin, akuzoi anëtarët e KAS se duan t’i heqin ndokujt mandatin me këtë rinumërim, ndërsa disa vota për të me shenjën jashtë kutisë ose pas emrit, janë rivlerësuar si të pavlefshme.

Pakënaqësi për rinumërimin ka shfaqur edhe Ilir Alimehmeti, kandidati i PD, teksa ka publikuar një foto të një flete votimi, në të cilën shenja ka devijuar nga kutia e emrit të kandidatit tjetër demokrat Kreshnik Çollaku, ndërsa shtron pyetjen nëse është e pavlefshme, ashtu si e ka konsideruar KAS.

Më herët, kur procesi sapo kishte nisur dhe trendi i votave të pavlefshme po rritej ndjeshëm, ishte Partia Socialiste ajo që i kërkoi KAS të ndryshonte një vendimmarrje të tij dhe të quante të vota të vlefshme për kandidatët, edhe kur shenja ‘x’ apo ‘+’ është jashtë kutisë. Por KAS i qëndroi vendimit të tij, me argumentin se standardi ishte i barabartë për të gjithë.

Me qëllimin për të reduktuar votat e pavlefshme në votim, një manual i miratuar nga Komisioni Rregullator në KQZ përcaktonte të gjitha mënyrat e votimit. Ishin plot 31 të tilla, por të gjitha të përqendruara në votat e vlefshme për subjektet. Nëse do të ndiqej i njëjti standard si për subjektet politike, një shenjë e vendosur krah emrit të kandidatit, një tjetër që e rrethon emrin e tij, apo që shenja del jashtë kutisë, do të konsiderohej korrekte për ta cilësuar një votë të vlefshme. Por për anëtarin e KAS Ledio Braho manuali është thjesht një orientim dhe ata do t’i qëndrojnë vendimmarrjes, duke ia njohur palëve të drejtën e ankimit në Kolegj.

Por teksa vërtet manuali i KQZ uli ndjeshëm më 11 maj numrin e votave të pavlefshme krahasuar me ato të zgjedhjeve të 2021-shit, përplasja për votat e kandidatëve vijon, teksa pritet rinumërim edhe për 35% të kutive të Tiranës, e më pas qarku i Durrësit dhe ai i Fierit, ku i njëjti standard mund të lëvizë mandate deputetësh.

Ora 15:59
FOTO/ Standardi ndryshe i rinumërimit të votës për partinë, KAS edhe ‘bufin’ ia quan të vlefshme Ramës

Në pallatin e sportit “Farie Hoti” po rinumërohen votat për Tiranën, por ky proces ka ngjallur pakënaqësi tek kandidatët të cilëve shumë vota po iu shpallen të pavlefshme, në rastet kur zgjedhësit e kanë shënuar kryqin ose plusin krah emrit të kandidatit, apo mbi kuti.

Por, ky standard nuk ndiqet për votën për partinë, kur siç shihet edhe në këtë foto që sjell Shqiptarja.com, vota për Partinë Socialiste është quajtur e vlefshme edhe pse zgjedhësi nuk e ka shënuar shenjën e votimit brenda kutisë, por ka votuar me një mbishkrim “bufi” dhe një x.

Me numërimin e 11 majit, kjo votë ishte konsideruar e pavlefshme, por pas rinumërimit me 3 votat e anëtarëve të KAS, vota u konsiderua e vlefshme për PS.

G.M./K.T./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?