SHBA - Një moment historik u regjistrua në Kupën e Botës për Klube, gjatë ndeshjes mes Paris Saint Germain dhe Atletico Madridit të zhvilluar në “Rose Bowl” të Pasadenas.
Për herë të parë në një turne zyrtar të FIFA-s, publiku në stadium dhe shikuesit në transmetim televiziv patën mundësinë të dëgjonin drejtpërdrejt nga arbitri arsyetimin për një vendim të marrë pas ndërhyrjes së VAR-it (Video Assistant Referee).
Episodi ndodhi në minutën e 57-të, kur Julian Alvarez shënoi për Atletico Madridin, duke ngushtuar përkohësisht diferencën ndaj PSG-së. Megjithatë, arbitri rumun Istvan Kovacs u thirr nga sistemi VAR për të rishikuar një faull të mëparshëm në mesfushë ndaj mesfushorit parisien Désiré Doué. Pas verifikimit në monitor, Kovacs anuloi golin dhe e komunikoi vendimin përmes mikrofonit në stadium: “Goli anulohet”.
Ky vendim u prit me entuziazëm nga tifozët francezë, por natyrisht shkaktoi pakënaqësi tek mbështetësit e Atleticos, përfshirë trajnerin Diego Simeone dhe djalin e tij, sulmuesin Giuliano Simeone.
Një tjetër situatë e ngjashme ndodhi në minutat shtesë, kur PSG fitoi një penallti pas një prekjeje me dorë nga mbrojtësi i Atleticos, Robin Le Normand. Sërish Kovacs u konsultua me VAR-in dhe më pas, duke iu drejtuar mikrofonit, deklaroi: “Krahu i hapur, është penallti”.
Kjo mënyrë e re e komunikimit rrit transparencën në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe shënon një hap të madh përpara në raportin mes teknologjisë dhe futbollit.
Komente
