Roli i zinkut në vjeshtë kundër të ftohurës dhe virozave, ushqimet ku ta gjeni

25 Shtator, 09:13| Përditesimi: 25 Shtator, 09:16

  • Share

Zinku është një mineral për të cilin kohët e fundit është folur shumë. Rëndësia e rolit të zinkut në shëndet është e lartë, veçanërisht sa i përket mundësisë që ky mineral të shkurtojë kohëzgjatjen e të ftohurës dhe sëmundjeve.

Çfarë është zinku?

Zinku është një mineral thelbësor për shëndetin e njeriut. Pas hekurit, zinku është metali i dytë më i bollshëm në trup.

Ky mineral është shumë i rëndësishëm për sistemin imunitar, formimin e rruazave të bardha të gjakut, pjellorinë, ndarjen e qelizave dhe enzimat. Ushqimet më të pasura me zink janë mishi pa dhjamë dhe frutat e detit.

Mungesa dhe dozat e shumta të zinkut janë problematike për shëndetin. Sasitë e mëdha të këtij minerali mund të pengojnë përthithjen e hekurit dhe bakrit.

A ndihmon zinku kundër të ftohurës

Një analizë e kohëve të fundit e disa studimeve shkencore mbi rolin e zinkut tregoi se ky mineral shkurton kohëzgjatjen e gripit me një ditë. Kjo ndodh nëse zinku merret brenda 24 orësh nga shenjat dhe simptomat e të ftohurës.

E ftohura shkaktohet nga një virus që lulëzon dhe shumohet në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Zinku parandalon shumimin e virusit dhe strehimin e tij në membranat e fytit dhe hundëve.

Zinku është shumë efikas nëse merret në formën e shurupit apo kapsulave që shkrihen në gojë. Kësisoj, lëngu qëndron në zonën e fytit dhe lufton virozat me më efikasitet.

Pavarësisht rolit të zinkut, shkencëtarët nuk kanë paracaktuar një dozë të mirëfilltë efikase të zinkut kundër të ftohurës.

Ushqimet e pasura me zink

Zinkun mund ta gjeni tek drithërat, mishi i viçit, mëlçia e viçit, mishi i gjelit, vezët, bajamet, djathi, fasulet, farat e kungullit, farat e susamit, bizelet, spinaqi dhe kërpudhat.

Po ashtu, tek shega, avokado dhe frutat e pyllit.

Simptomat e mungesës së zinkut

Nëse organizmi ka mungesë të këtij minerali thelbësor atëherë do të përballeni me simptomat e mëposhtme:

-Pika të bardha në thonj

-Psoriazë, ekzemë dhe akne

-Puçra dhe herpes të herëpashershëm

-Ftohje të përsëritur

-Zbokth

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?