Shqipëria ishte ndër të parat vende që ofroi të presë deri në 4,000 refugjatë afganë ndërsa ka strehuar mijëra të evakuar afganë në hotele apo resorte turistike.
Ndërsa vendi i tyre ra në duart e talibanëve, shumë gra e vajza afgane u detyruan të largoheshin nga vendi i tyre, duke lënë pas gjithçka, familjet, ëndrrat dhe karrierën e ndërtuar prej shumë vitesh. Në një intervistë për emisionin ‘’Rreze Dielli’’ në Report Tv, dy vajza afgane rrëfejnë historinë e tyre prekëse që nga momentet e largimit nga Kabuli drejt Shqipërisë dhe përshtatjen me një vend që nuk e njihnin më parë.
Fatma Karimi u detyrua të largohej nga Kabuli pa familjen e saj pasi rrezikohej nga regjimi i Talibanëve, e njëjtë është edhe historia e gazetares Mina Raoufi të cilat rrëfejnë se si jeta e tyre ndryshoi brenda disa minutash, ku duhet të largoheshin duke marr me vete vetëm shpresat për një të ardhme ndryshe.
“Nuk është e thjeshtë për asnjeri që të lërë vendin e tij, shtëpinë, familjen, profesionin, pra të lërë gjithcka pxas, kështu nuk ishte e lehtë as për mua që të lija gjithçka pas dhe të vija këtu pa asgjë, sepse kur lamë Afganistanin nuk kishim asgjë me vete. Kështu ne lamë familjen, vendin tonë, profesionin gjithçka e braktisëm. Sot më kujtohet që gjatë gjithë udhëtimit kam qarë dhe mendoja çfarë do të bëja në një vend që nuk kisha asnjë ide për të. Kur ndaluam në Pakistan përpara se të vinim në Shqipëri bëra kërkime pasi më thanë që do të shkoni në Shqipëri dhe do të rrini atje për disa kohë” shprehet Fatma për momentet e para kur mori vesh që duhet të largohej.
As për Minën largimi nuk ishte më i thjeshtë:
“Ditën që lamë vendin tonë, braktisëm edhe shpresat dhe imagjinatën që kishim për të ardhmen tonë dhe punën e vështirë për të arritur aty ku ishim, ne i braktisëm të gjitha këto. Ne ikëm nga familjen tona dhe po shkonim diku ku e ardhmja nuk ishte e qartë. Ishte shumë e vështirë, në Afganistan punoja si gazetare multimediale dhe në një gazetë të përditshme, po ashtu kisha një muaj që punoja për BBC si gazetare e pavaruar, dhe isha pjesë e një organizate ndërkombëtare, unë kisha disa aktivitete që përfshinin artet e ndryshme. Ne kishim jetën tonë në Afganistan, karrierën dhe biografinë për të cilën kishim punuar shumë. E lamë vendin tonë në kulmin e karrierës dhe lamë gjithçka brenda një momenti” tha ajo.
Të detyruara të braktisin gjithçka, përfshirë këtu edhe profesionet për të cilat investuan vite të tëra studimi dhe pune të palodhur. Fatma një avokate e cila punonte për qeverinë demokratike të vendosur në Afganistan dhe Mina gazetare e pavaruar.
“Për punën dhe profesionin tim, dua të them që punoja në ministrinë e punëve publike për dy vjet, kam qenë menaxhere në një departament dhe më pas u largova për master në Indi, përmes një burse që ishte vetëm për vajzat që punonin në ministri, dhe më pas u ktheva në Afganistan vetëm për një vit,ku kam punuar me një ekip për studimet strategjike, duke moderuar eventet dhe konferancat më të rëndësishme atje. Kështu pothuajse të gjitha eventet dhe konferencat e këtij viti ishin moderuar nga unë” tha Fatma Karim me keqardhje për pamundësinë që të ushtrojë profesionin për të cilin investoi aq shumë.
Situata vazhdon të jetë e vështirë në Afganistan për të gjithë shoqërinë por sidomos për gratë, vajzat dhe fëmijët të cilët janë më të prekurit nga ligjet e vendosura nga regjimi i talebanëve. Avokatja afgane Fatma Karim, e cila prej 4 muajsh po qëndron në Shqipëri gjatë një intervistë në emisionin ‘’Rreze Dielli’’ tregoi më tepër për situatën e trishtë të familjeve të tyre dhe sidomos vajzave.
”Vërtet i lamë familjet tona në një moment vërtet të keq, por jemi në kontakt me ta çdo ditë, i telefonojmë dhe çdo ditë i pyesim për situatën në Afganistan, vecanërisht për situatën e grave sepse ato janë pjesa me e prekur nga situata atje, nga regjimi i talibanëve kështu që çdo ditë i pyesim dhe ata thonë që çdo gjë ka ndryshuar, talebanët kanë kthyer cdo gjë 20 vite pas, ata nuk kanë ndryshuar asgjë nga metodologjia e tyre, as ideologjia, as mënyra se si i trajtojnë gratë. Ata po i trajtojnë gratë si inferiore, por ne e dimë që jemi të barabarta. Ata nuk i lejojnë gratë të punojnë, të dalin jashtë, nuk mund të shkojnë në shkollë dhe të gjitha të drejtat bazike të qënies njerëzore i janë mohuar. Është e tmerrshme. Sidoqoftë në mediat ndërkombëtare po tregohen skenarë të tjerë, që talebanët kanë ndryshuar në mënyrën se si i trajtojnë gratë sikur ata po i pranojnë gratë por në realitet jo, mamaja ime, motra thonë që të gjitha të drejtat e tyre janë mohuar. Përshembull motra ime është futbolliste, ajo ishte në një skuadër ndërkombëtare, por tani nuk mund të bëj asgjë, ka 6 muaj që qëndron në shtëpi. Vetëm shkruan dhe studion aq sa mund të bëjë në shtëpi” u shpreh ajo.
Ndërsa shprehet se është me fat që ka mundësi të qëndrojë larg regjimit talebanë në këto kohë të vështira, ku vajzave i janë mohuar të gjitha të drejtat.
“Po ndjehemi me fat që jemi jashtë Afganistanit në këtë moment, pasi është kthyer në një vend shumë të pasigurt sidomos për vajzat, të cilat po rrëmbehen, po vriten, po terrorriozhen nga talibanët gjithashtu po detyrohen të martohen. Ka shumë probleme për vajzat atje në këto momente. Jem shumë me fat që jemi këtu, të paktën mund të ndihmojmë familjet tona, mund të bëjmë dicka për njerëzit tanë nga këtu. Kemi shpresa” tha ajo.
Ku eshte Amerika qe ti sistemoj gjerat apo ska kohe ? E shikoni si perfundojne aleatet e Amerikes ?
Përgjigju