Kronikë

I zhdukur prej 2 javësh, biznesmeni Ruzhdi Hoxha gjendet i vrarë në Qafë-Mollë! Trupi i groposur në humnerë, u nxor pas disa orësh nga RENEA! Arrestohet si i dyshuar shoku i tij, i kërkuar në Itali për drogë

6 Nëntor 2021, 12:21| Përditesimi: 6 Nëntor 2021, 19:34

  • Share

Biznesmeni i inerteve Ruzhdi Hoxha, 43-vjeçari, baba i dy fëmijëve, pronar i një biznesi inertesh në dalje të Kamzës, zhdukur prej dy javësh është vrarë. Trupi i pajetë i 43-vjeçarit u gjet në një humnerë në zonën e Qafë Mollës në Dajt i mbuluar me gurë dhe zhavorr.

Miku me të cilin ai piu kafen e fundit, Fredi Rrushi tashmë i kapur si person në kërkim për llogari të Italisë, është i dyshuari kryesor për krimin, dhe u arrestua.  Fillimisht gjatë kërkimit të policisë me qen gjurmues u zbulua një xhup me njolla gjaku dhe nisur nga kjo provë policia arriti tek trupi i viktimës.

Mbrëmjen e 24 tetorit, djali i tij denoncoi në komisariatin numër 5 largimin e të atit nga banesa. Pas denoncimit, një grup oficerësh zbuluan personat e fundit që ishin me 43 vjeçarin Hoxha.

Njëri prej tyre rezultoi bashkëmoshatari i tij, Ferdinand Rrushi. Para grupit hetimor ai tha se bashkë me një shok tjetër të tyre ndodheshin në një lokal në Kamzë duke pirë kafe. Më pas Rruzhdiu i kishte kërkuar ta çonte deri në Fushë Mëzez dhe pasi e ka lënë atje, nuk kishte pasur më asnjë kontakt me të.

Por nga verifikimi që policia bëri ndaj këtij personi rezultoi të ishte në kërkim. Gjykata e Xhenovas në Itali e kishte dënuar për trafik droge.

Zyrtarisht sipas policisë Fredi Rrushi, dy ditë pas denoncimit nga familja Hoxha,  më 26 tetor 2021 u arrestua si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të  narkotikëve. Sot ai është autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje. Dyshimet e para ndaj tij u ngritën kur policia zbuloi një parcelë kanabis në zonën e Dajtit.

Aty u kap edhe një roje i cili në dëshminë tij tha se Fredi Rrushi e kishte punësuar të ruante drogën. Nga ana tjetër ajo çfarë kishte deponuar fillimisht Rrushi nuk korrespondonte me provat e policisë. Ai tha se e kishte lënë shokun e tij në Fushë Mëzes, por në kamera ai shfaqet në drejtim të Dajtit. Ndërkohë pak ditë më parë  në komisariatin numër 4 një person denoncoi se ka gjetur në rrugë, pranë Shkollës së Bashkuar, një celular. Nga verifikimet doli se ky aparat ishte i biznesmenit Rruzhdi Hoxha.

Foto nga zona ku u gjet trupi i biznesmenit ( Ekspertët e kriminalistikës)

1636200506_1636117509fredirrushi.jpg

Fredi Rrushi,autori i dyshuar

 

Ora 01:43
U gjet i vdekur në humnerën e Qafë Mollës, Dajt/ Banori i zonës jep detaje nga vendi ku u gjet trupi i Hoxhës: Vinte erë e keqe, korbat i lëviznin rrotull e kishin ngrënë

Një banor i zonës së Dajtit i cili punonte si bari pikërisht në zonën ku u gjet trupi i pajtë i viktimës Rruzhdi Hoxha ka rrëfyer sesi e kishte dalluar trupin e zhdukur prej dy javësh. Në një dëshmi në emisionin ‘Opinion’ bariu u shpreh se era e rëndë kishte alarmuar jo vetëm atë po të gjithë banorët e zonës. Bariu e vijon rrëfimin e tij duke thënë se dyshimet e tij të para ishin për ndonjë kafshë të ngordhur ndërsa shtoi se rreth trupit të viktimës kishte një tufë korbësh që lëviznin rreth trupit të pajetë.

“Vinte erë e keqe, e ndjenim erën, më thanë dhe të tjerë, kishte edhe korba që lëviznin aty rrotull. E kishin ngrënë a ku di unë më…Era në tërhoqi, na lodhi se ecëm një çik. Thashë hajt mo se naj gjo e ngordhur por nuk më shkonte kurrë mendja tek një njeri,”- deklaroi banori i zonës.

 

Ora 18:58
FOTO/ U vra dhe u gropos në Qafë-Mollë, ja kush është biznesmeni Ruzhdi Hoxha

1636221427_viktima.jpg

Personi që shihni në foton më lart është biznesmeni Ruzhdi Hoxha, i cili u gjet i ekzekutuar dhe i groposur në Qafë-Mollë në Dajt. Hoxha ishte shpallur i zhdukur prej 2 javësh, ndërsa Policia ra në gjurmët e tij ditën e djeshme pasi u gjet xhupi i tij me njolla gjaku dhe një shenjë plumbi i hedhur mes shkurreve në Qafë Mollë. Më pas përmes nuhatjes së qenve të policisë vetëm sot është gjetur edhe trupi i pajetë. Për shkak të terrenit të vështirë, trupi i Hoxhës u nxor pas disa orësh nga forcat RENEA, ndërsa pritet t'i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore.

Ora 17:19
Pas disa orësh, nxirret nga forcat RENEA trupi i pajetë i biznesmenit Ruzhdi Hoxha

Pas disa orësh pasi u gjet i groposur në një greminë në zonën e Qafë-Mollës në Dajt, është bërë e mundur nxjerrja e trupit të Ruzhdi Hoxhës. Për shkak të terrenit të vështirë është dashur ndërhyrja e forcave RENEA.

Ora 15:44
Trupi i pajetë i biznesmenit Ruzhdi Hoxha ende në humnerën ku u gjet! Terreni i vështirë pengesë për ta zhvendosur, mbërrijnë forcat RENEA

Ndonëse kanë kaluar disa orë që kur u gjet i vrarë në Qafë-Mollë, trupi i pajetë i biznesmenit Ruzhi Hoxha vijon të jetë në zonën ku u gropos nga ekzekutorët. Terreni i vështirë dhe i thepisur po vështirëson punën e hetuesve dhe policisë. Në zonë kanë mbërritur forcat RENEA për të bërë të mundur nxjerrjen e trupit dhe më pas dërgimin në morg, ku do t'i nënshtrohet ekspertizës mjekoligjore.

Ora 15:37
“Pinte kokainë e kishte jetë të shthurur”, zbardhet dëshmia e djalit të Ruzhdi Hoxhës: Borxhet ja pagova unë! Fredi Rrushi më tha që babain do e merrte një vajzë

Djali i madh i Ruzhdi Hoxhës, Saimir Hoxha ka thënë në polici, se ai bashkë me të afërm e kanë kërkuar viktimën për 4 ditë, para se të shkonin në polici.

Në dëshminë e djalit të viktimës, trupi i të cilit u gjet sot në Qafë-Mollë, ka thënë se pasi ka pyetur gjithë miqtë dhe të njohurit e të atit, ka marrë në telefon edhe Fredi Rrushin. Ky i fundit është i dyshuari kryesor nga policia për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit.

Djali i biznesmenit , në dëshminë e tij , ka treguar edhe bisedën që ka bërë me Rrushin, ku ai i ka thënë se babanë e tij e ka lënë në mesnatë në zonën e treshit në Tiranë dhe se do të vinte ta merrte një gocë.

Sipas djali të viktimës babi i tij bënte jetë të shthurur e pinte kokainë dhe se dilte vazhdimisht darkave. Sipas tij borxhet ja kishte larë ai para disa vitesh.

Pjesë nga dëshmia e Saimir Hoxhës

Unë jam djali i madh i Ruzhdi Hoxhës , paraqitem në komisariat për të denoncuar faktimin e largimit nga banesa të babit tim pasditen e 20.10.2021.

Nga banesa babai im ka dalë me E.T i cili erdhi e mori në shtëpi me mjetin e tij por nuk e di ku do të shkonin. Pasi babi nuk po vinte në banesë e kam telefonuar dhe telefoni më dilte i fikur. Që nga data 20 tetor as unë dhe as familja ime nuk kemi asnjë lloj kontakti se ku është, ku ka shkuar apo çfarë i ka ndodhur.

Në momentin që babai është larguar nga shtëpia me E.T të cilin e njoh më parë pasi është shok dhe mik i familjes sonë pasi ne atë e njohim të gjithë.

Pasi babi nuk po vinte ne banesë dhe ne kemi humbur kontaktet me të, së bashku me E.T dhe vëllain tim e shumë të afërm, kemi kërkuar në hotele dhe vende që ai zakonisht i frekuenton, por na thanë që nuk e kishin parë. Në këto kushte jemi paraqitur në komisariatin e policisë. Ishim në merak për të pasi është e hera e parë që ndodh një gjë e tillë, se ai kur nuk vjen në shtëpi apo i del ndonjë punë, na njofton dhe na thotë se ku do të jetë.

Unë kam për të thënë që babi im ka pas bërë një jetë shumë të shthurur si person, pasi ka qenë përdorues i kokainës. Dilte çdo natë me shokët dhe ka pasur raste të vazhdueshme që kur pinte shume pije apo konsumonte lëndë narkotike, qëndronte duke fjetur nëpër hotel për dy ose 3 ditë , por të paktën na vinte në dijeni për vendndodhjen e tij.

Nisur nga fakti i fikjes së telefonit të tij si dhe mos njoftimit për vendndodhjen , dyshuam se ai mund të kishte ndonjë problem serioz . Babai im në dijeninë time nuk i ka pasur borxh njeriu, të gjitha borxhet që ka pasur më parë , ja kam paguar unë para 3 vitesh.

As konfliktet nuk ka pasur. Unë gjatë kësaj kohe kam takuar disa persona me të cilët babi im ka lidhje shoqërore, si E.B i cili më ka thënë se bashkë me E.T e kishin lënë babain me Fredi Rrushin.

Më pas unë kam marrë në telefon Fredi Rrushin dhe i kërkova takim për të pyetur se ku është babi, pasi Fredi ishte personi i fundit që e kishte takuar. Fredi më ka thënë se nuk jam në shtëpi, por kam ikur tek puna në Martanesh, dhe më ka thënë në telefon se babin tënd e kam lënë në mesnatë te treshi, dhe do të vinte ta merrte një gocë, një shoqe e tij, kaq më ka thënë./ TCH

Ora 14:27
Biznesmeni Ruzhdi Hoxha u vra ditën që u rrëmbye! Qentë e policisë zbuluan trupin pjesërisht të dekompozuar, përmes xhupit të tij me njolla gjaku

Detaje të reja dalin në pah lidhur me vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, i cili ishte rrëmbyer 2 javë më parë.  Ai është vrarë ditën që është rrëmbyer, ndërsa ishte groposur në Qafë Mollë, ku trupi është gjetur në gjendje të dekompozuar.

Ka qenë xhupi i 43-vjeçarit me shenja gjaku  dhe vrimë plumbi që është gjetur i hedhur mes shkurreve një ditë më parë dhe vetëm sot falë qenëve nuhatës policia ka mundur të zbulojë dhe trupin

Veprimet në vendin ku është gjetur trupi i pajetë nuk kanë përfunduar akoma. Kufoma nuk është nisur akoma në drejtim të Institutit të Mjekësisë Ligjore.

Ora 13:30
U vra dhe u gropos në Qafë Mollë, ja vendi ku u gjet trupi i biznesmenit Ruzhdi Hoxha (VIDEO)

Biznesmeni Ruzhdi Hoxha u gjet i vrarë me armë zjarri në zonën e Qafë Mollës në Dajt. Trupi i pajetë ishte groposur në zonë dhe mbuluar me gurë dhe gjethe për të humbur gjurmët.  

Ora 13:29
Biznesmeni Ruzhdi Hoxha gjendet i vrarë në Qafë Mollë, polica: Autor i dyshuar shoku i tij, Fredi Rrushi

1636201862_1636117509fredirrushi.jpg

Autori i dyshuar për vrasjen, Fredi Rrushi

 

Lidhur me vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha i cili u gjet i vrarë ditën e sotme në zonën e Qafë-mollës në Dajt, polica thotë se autori i dyshuar është shoku i tij Fredi Rrushi i cili ishte edhe personi i fusnit që e takoi viktimën.

"Në lidhje me zbardhjen e rrëmbimit të 43-vjeçarit Ruzhdi Hoxha dhe gjetjen e tij, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ngriti një grup të posaçëm hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Si rezultat i kërkimeve dhe punës hetimore 10 ditore të bërë nga grupi hetimor në Sektorin për Krimet e Rënda në DVP Tiranë u bë e mundur grumbulllimi i provave për autorësinë e kësaj ngjarje dhe mesditën e djeshme si rezultat i kërkimeve, shërbimet e policisë bënë të mundur që në zonën e Dajtit të gjenin një xhup ku pas verifikimeve rezultoi se i përkiste shtetasit Ruzhdi Hoxha.

Nisur nga gjithë provat e grumbulluara, paraditen e sotme, Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, Komisariati i Policisë Nr.4, Forcat Shqiponja, Fnsh dhe Instituti i qenëve të Policisë nën koordinimin e Deparatamentit të Policisë Kriminale dhe Departamentit për Sigurinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u zhvillua një operacion kërkimi masiv në të gjithë zonën e Dajtit.

Si rezulat edhe i kontrollit me qentë e gjurmës u bë e mundur që në Qafë-Mollë , mbrapa Dajtit, në një greminë, u gjet i mbuluar me zhavor e gurë trupi i pajetë i shtetasit Ruzhdi Hoxha. Trupi i pajetë do transportohet në morgun e spitalit për kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e humbjes së jetës.

Ndërkohë, po si rezultat i punës hetimore të kryer nga Strukturat Hetimore të DVP Tiranë, është bërë e mundur zbardhja e autorësisë së kësaj ngjarje, ku dyshohet se shtetasi Fredi Rrushi, i arrestuar më datë 26 tetor 2021 nga DVP Tiranë , si person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet ligjzbatuese italiane për veprën penale të trafikimit të  narkotikëve, është autor i dyshuar i kësaj ngjarjeje.

Nën drejtimin e Prokurorisë po vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjore të kësaj ngjarje dhe të  kryerjes se procedurave ligjore për ndalimin e autorit  të kësaj ngjarje", njofton policia.

//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Dyshoj: 07/11/2021 05:33

    Kshu si fliska ky çuni per babin e vet, ka mundesi te jete vete autori i vrasjes. Nuk eshte çudi te vrase edhe çuni babën.

    Përgjigju
  • Iris: 07/11/2021 01:30

    4 dite kerkuan viktimen dhe pastaj u kujtuan t'a denonconin ne polici!! Zakonisht rekomandohet qe policia te njoftohet e para brenda 24 oreve dhe njekohesisht mund te interesohesh dhe vete tek te aferm e te njohur.Tani ne kete rast kemi te bejme me vrasje te menjehereshme,por ne raste rembimesh e trafiqesh njerezore cdo minute vlen ,pervec kesaj cdo vonese ne lajmerimin e policise,eshte nje plus per kriminelet,kushdo qe te jene se u jep mundesi te zhdukin gjurmet e krimit dhe te largohen dhe vete.

    Përgjigju
    • Loni: 09/11/2021 09:45

      Duhen 48 ore qe policia te marre denoncimin e familjareve... Keshtu qe e dashur mos bikini filma fiction edhe action sepse demotjne rende njohurite mbi realen ... Uroj mos hsko I te beni denoncim para opgj(oficereve policies gjygjesore) sepse do ju kerkojne per te pire kafe ne fillim pastaj do ju qajne hallet e tyre e pastaj do ju thojne hajdeni neser... Jeta reale eshte shum larg nga fjalet ...

  • Ncxnnx: 06/11/2021 16:11

    "Hengshin kokat e njeri tjetrit"-cit.

    Përgjigju
  • Ddd: 06/11/2021 13:22

    Po salillari?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?