SARANDË – 3 vëllezër dhe 2 djemtë e njërit prej tyre rrëmbyen për 3 orë një person të identifikuar si Gentian Omeri, 39 vjeç të cilin e mbajtën me forcë në automjetin e tyre, e plagosën rëndë dhe e lanë pa ndjenja në rrugë me dhëmbë dhe gishtërinj të thyer.
4 prej autorëve janë arrestuar ndërsa njëri është shpallur në kërkim. Pjeter Ndoj, 30 vjeç, Astrit Ndoj, 44 vjeç dhe djemtë e këtij të fundit, Aleksander Ndoj dhe Anton Ndoj, të dy 21 vjeç janë arrestuar nga policia. Në kërkim është shpallur vëllai i Pjetrit dhe Astritit, Alfred Ndoj, 39 vjeç.
5 personat, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë përplasur me dashje automjetin që drejtonte Omeri, të cilin e kanë plagosur duke e goditur me sende të forta, e më pas e kanë futur në automjetin e tyre, duke e mbajtur aty me forcë, dhe më pas e kanë lënë pa ndjenja, në rrugë.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë, rreth orës 01:00, kur Omeri njoftoi policinë se po e ndiqnin disa persona me makinë dhe i rrezikohej jeta prej tyre. Forcat blu kanë reaguar me shpejtësi, duke shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar në rrugën e fshatit Xarrë, Gentian Omerin, të plagosur rëndë fizikisht, i cili është dërguar menjëherë në spitalin e Sarandës, ku ndodhet aktualisht, nën kujdesin e mjekëve.
3 orë më vonë u bë lokalizimi në fshatin Shëndelli dhe prangosja e 4 autorëve të dyshuar. Operacioni u zhvillua nga Forca Operacionale e DVP Vlorë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë dhe FNSH, nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 automjete që përdoreshin nga të arrestuarit dhe 7 aparate celulare. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprat penale “Plagosja e rendë me dashje”, "Heqja e paligjshme e lirisë" dhe “Shkatërrimi i pronës”, të kryera në bashkëpunim.
Gentian omer çami. Me ca e krruajte te pasmen qe te erdhi kjo
Përgjigju