Kronikë

Ulja e avionit dje në Vermosh, Policia: Avion 2-vendësh, nuk kishte as flamur dhe as dokumente të origjinës! S'gjetëm asgjë të paligjshme

5 Tetor 2021, 10:02| Përditesimi: 5 Tetor 2021, 11:29

  • Share

1633421262_1633420816avioniikelmendit4.jpg

Policia del me një njoftim zyrtar lidhur me avionin e rrëzuar dje në Vermosh.  Raportohet se në këtë avion nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi. Gjithashtu, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm. 

Sakaq, policia shqiptare po kërkon informacion nga Mali i Zi dhe Kosova për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion.

"Më datë 04.10.2021, në orën 12:30, në sallën operative të Komisariatit të Malësisë së Madhe, Shkodër, ka ardhur një telefonatë se në fshatin Velipojë, Vermosh, Njësia Administrative Kelmend, bashkia Malësia e Madhe, ishte rrezuar një avion sportiv.

Me marrjen e njoftimit, menjëherë në drejtim të adresës së dhënë u nisën shërbimet e Policisë dhe Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, për të verifikuar informacionin, si dhe u ngrit grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër. 

Nga veprimet e para hetimore dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes rezulton se në vijë ajrore  rreth 800 m nga kufiri me Malin e Zi,  është konstatuar i rrëzuar dhe i dëmtuar një avion sportiv dyvendësh, ngjyrë gri, me gjatësi 6 m, gjerësi 10.5 m (nga skaji i njërit krah te tjetri), gjatësi të krahut 4.7 m dhe gjerësi të kabinës 1.1 m., në të cilin nuk u gjendën shenja dalluese si: flamur, dokumente të origjinës apo ndonjë dokument tjetër identifikimi. 

Gjithashtu, gjatë kontrollit të imtësishëm të kryer nga grupi hetimor në brendësi të avionit nuk u gjet asnjë send i kundërligjshëm.   

Në bashkëpunim dhe me vendet fqinje, Mali i Zi dhe Kosovë, po punohet për përcaktimin e itinerarit të fluturimit që ka ndjekur ky avion, identifikimin e pilotëve dhe të personave të tjerë të përfshirë.  

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, vijon veprimet hetimore për identifikimin e automjetit që ka marrë dhe larguar pilotët nga vendngjarja, si dhe për përcaktimin e shkaqeve të rënies së avionit", njofton Policia. 


Lajmi kryesor:

Report Tv në Vermosh ku u rrëzua avioni i dyshimtë! Piloti me 2 persona dyshohet se u larguan drejt Malit të Zi! Banori: S'kishin dialekt verior! I pashë me dylbi, po transportonin diçka drejt makinës


B.K./ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?