Presidenti iranian Ebrahim Raisi humb jetën pas rrëzimit të helikopterit, nesër ceremonia mortore! 5 ditë zie në Iran

20 Maj, 07:03| Përditesimi: 20 Maj, 21:48

  • Share

IRAN- Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka humbur jetën bashkë me ministrin e jashtëm, Hossein Amir-Abdollahian pas rrëzimit të helikopterit. Lajmi është konfirmuar nga Irani zyrtar, përmes një postimi në platformën X të zv.presidentit iranian.

Po ashtu, jetën e humbën edhe 7 personat e tjerë që ishin në bordin e helikopterit, pasi ky i fundit u rrëzua për shkak të kushteve të këqija të motit, raportojnë mediat e huaja. Në bord ndodheshin edhe guvernatori i Azerbajxhanit Lindor, Melek Rahmati, imam i Tabrizit Mohammad Ali Al Hashem, piloti, një bashkë-pilot, kreu i ekipit të mbrojtjes dhe një nga truprojat.

Lideri i Iranit, Khamenei shpalli pesë ditë zie, ndërsa qeveria u mblodh në një mbledhje urgjente. Nesër do të zhvillohet edhe ceremonia mortore për presidentin. Në vend të tij, si president i përkohëshëm është emëruar zëvendëspresidenti i parë Mohammad Mokhber, ndërsa Ali Bagheri Kani u emërua Ministër i Jashtëm i Iranit.

Pamjet e publikuara me dron tregojnë rrënojat e helikopterit në provincën e Azerbajxhanit Lindor. Në pamje shihet ‘bishti’ i helikopterit pranë një toke të djegur në një shpat mali.

Televizioni shtetëror iranian dha lajmin zyrtar për vdekjen e presidentit Ebrahim Raisi, duke e quajtur atë "martir të shërbimit" dhe duke specifikuar se vendi dhe koha e ceremonisë mortore do të bëhet e ditur.

Raisi po shkonte për në qytetin e Tabrizit, në veriperëndim të Iranit, pasi u kthye nga një zonë kufitare Iran-Azerbajxhan, ku u takua me Presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev për të përuruar një digë në kufirin midis dy vendeve. Në qytetin e Tabrizit Raisi do të përuronte një rafineri, por helikopteri është rrëzuar dyshohet për shkak të kushteve të këqija të motit. Aksidenti ndodhi rreth orës 13:30 të 19 majit.

Ndiqni lajmet në zhvillim....

Ora 21:41
Vdekja e presidentit Raisi, Irani kërkon ndihmën e SHBA për hetimin e aksidentit ajror, Agjencia shtetërore: Problem teknik

1716183702_8d507bdac1114c5a9c2953b6531502ed.jpg
 

(Foto ku u rrezua helikopteri i presidentit iranian)

 Irani ka kërkuar ndihmën e SHBA-së për të hetuar aksidentin e ndodhur në 20 maj 2024, ku humbën jetën presidentin iranian Ebrahim Raisi. Kështu ka deklaruar Departamenti i Shtetit.

Nga ana tjetër, sipas Agjencia Shtetërore iraniane Irna, ka deklaruar se rrëzimi i helikopterit në të cilin humbi jetën presidenti iranian Raisi ndodhi për shkak të “një problemi teknik”.

Ora 11:53
Putin reagon për vdekjen e presidentit iranian Raisi: Ishte një politikan i shquar

Foto: Vladimir Putin dhe Ebrahim Raisi

Presidenti rus Vladimir Putin ka reaguar për vdekjen për presidentit iranian Ebrahim Raisi duke e konsideruar këtë të fundit si politikan të shquar, i cili gjithë jetën iu përkushtua atdheut të tij.

“Si një mik i vërtetë i Rusisë, ai dha një kontribut të paçmuar personal në zhvillimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë midis vendeve tona dhe bëri përpjekje të mëdha për t’i sjellë ato në nivelin e partneritetit strategjik”, tha Putin.

 Ndërkohë që ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov e ka përshkruar Raisin dhe ministrin e jashtëm iranian Hossein Amir-Abdollahian si miq të vërtetë dhe të besueshëm të shtetit rus.

“Roli i tyre në forcimin e bashkëpunimit me përfitim të ndërsjellë ruso-iranian dhe partneritetin e besueshëm është i paçmuar. Ne sinqerisht ngushëllojmë familjet dhe miqtë e viktimave, si dhe me të gjithë popullin mik të Iranit,” shprehet Lavrov.

Ora 11:20
PAMJE TË RËNDA/ Momenti kur nxirren trupat e viktimave nga helikopteri i rrëzuar ku humbi jetën presidenti iranian

Ky është momenti kur ekipet e Gjysmëhënës së Kuqe iraniane nxjerrin trupat e viktimave nga zona e rrëzimit të helikopterit me të cilin po udhëtonte presidenti iranian, Ebrahim Raisi.

Një zyrtar ushtarak ka thënë se identifikimi i trupave ishte i vështirë pasi disa u dogjën pasi heliktoeri u shkatërrua pas rrëzimit.

Ora 11:11
Ndërroi jetë nga aksidenti tragjik, ja kur do të mbahet ceremonia mortore e Ebrahim Raisi

Foto: Ebrahim Raisi

Ceremonia mortore presidentit iranian, Ebrahim Raisi, do të mbahet ditën e nesërme më 21 maj në qytetin e Tabriz.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia iraniane e lajmeve Mehr, citon Tass.

Ora 10:56
Vdekja e presidentit iranian, Erdogan: Do jemi në anën tuaj! Xi Jinping: Humbje e madhe për popullin

Foto: Putin, Raisi dhe Erdogan

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka shprehur ngushëllimet për vdekjen e homologut të tij iranian, Ebrahim Raisi.

 “Unë i shpreh ngushëllimet e mia më të thella popullit mik dhe vëllazëror të Iranit dhe qeverisë së tij, veçanërisht liderit të Republikës Islamike të Iranit, Ali Khamenei, familjarëve  të presidentit të nderuar dhe familjarëve të personave të tjerë të vdekur.

Si Turqi, ne do të qëndrojmë pranë fqinjit tonë Iranit, në këto kohë të vështira dhe të trishtuara, siç kemi bërë shumë herë," shkruan në mesazhin e tij në X Erdogan.

 Ndërkohë që edhe presidenti kinez Xi Jinping shprehu ngushëllime për vdekjen e Raisi-t, duke e quajtur atë "një humbje të madhe për popullin iranian".

Ora 10:52
5 ditë zie në Iran për vdekjen e presidentit! Zëvendëspresidenti emërohet në vendin e Raisit

Mohammad Mokhber

Udhëheqësi suprem i Iranit Khamenei emëroi zëvendëspresidentin e parë Mohammad Mokhber si president të përkohshëm të vendit pas rrëzimit të helikopterit që vrau presidentin Ebrahim Raisi.

Ndërkohë, Ali Bagheri Kani u emërua Ministër i Jashtëm i Iranit.

Khamenei gjithashtu shpalli pesë ditë zie në Iran pas vdekjes së presidentit, ministrit të jashtëm dhe 7 personave të tjerë që ndodheshin në bord.

Ora 10:21
Vdiq pas rrëzimit me helikopter, kush ishte presidenti iranian Ebrahim Raisi

Ditën e sotme u konfirmua se presidenti iranian, Ebrahim Raisi vdiq si pasojë e një aksidenti ajror në Iran. Por kush ishte Ebrahim Raisi?

Ebrahim Raisi lindi në 14 dhjetor të 1960 në qytetin e Mashhad. Raisi u rrit nga një familje klerike ndaj dhe vendosi të ndiqte arsimin fetar.

Ndërsa ishte student, ai mori pjesë në protesta kundër Shahut të mbështetur nga Perëndimi, i cili u rrëzua në vitin 1979 në një Revolucion Islamik të udhëhequr nga Ajatollah Ruhollah Khomeini.

Raisi u bë zëvendësprokuror në Teheran kur ishte vetëm 25 vjeç. Ai shërbeu si një nga katër gjyqtarët, në gjykatat sekrete të ngritura në 1988 që njiheshin si "Komiteti i Vdekjes".

Numri i të dënuarve me vdekje nga gjykatat nuk dihet, por thuhet se rreth 5,000 burra dhe gra u ekzekutuan.

Raisi e mohoi vazhdimisht rolin e tij në dënimet me vdekje. Por ai tha gjithashtu se ato ishin të justifikuara për shkak të një vendimi fetar, nga Ayatollah Khomeini.

Në vitin 2017, Raisi kandidoi për president dhe arriti të renditej i dyti me vetëm 38% të votave. Më 2019 Ayatollah Khamenei e emëroi atë në krye të drejtësisë dhe menjëherë Raisi zbatoi reforma që çuan në uljen e numrit të personave të dënuar me vdekje.

Ai gjithashtu vazhdoi të punojë me shërbimet e sigurisë për të goditur disidencën dhe për të ndjekur penalisht iranianët me shtetësi të dyfishtë.

Kur kandidoi në zgjedhjet presidenciale të 2021, ai deklaroi se "kishte ardhur për të bërë ndryshime në menaxhimin ekzekutiv të vendit, për të luftuar varfërinë, korrupsionin dhe diskriminimin".

Në mars 2023, qeveria e tij ra dakord për një afrim të befasishëm me rivalin e shtetit iranian, fuqinë rajonale sunite Arabinë Saudite, shtatë vjet pasi ata kishin ndërprerë marrëdhëniet diplomatike.

Por tensionet rajonale u rritën në atë tetor kur Hamasi kreu një sulm të paprecedentë ndërkufitar në Izraelin jugor dhe Izraeli u përgjigj duke nisur një fushatë ushtarake në shkallë të gjerë në Gaza.

Në të njëjtën kohë, rrjeti i grupeve të armatosura aleate dhe përfaqësuesve të Iranit që veprojnë në të gjithë Lindjen e Mesme - duke përfshirë Hezbollahun në Liban, Houthis në Jemen dhe milici të ndryshme në Irak dhe Siri - i rritën ndjeshëm sulmet e tyre kundër Izraelit në atë që ata thanë se ishte një demonstrim solidariteti me palestinezët.

Frika se përshkallëzimi do të shkaktonte një luftë rajonale u rrit në prill, pasi Irani kreu sulmin e parë të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Izraelit.

Raisi mbështeti vendimin për të lëshuar më shumë se 300 dronë dhe raketa në Izrael si një hakmarrje për një sulm vdekjeprurës ndaj konsullatës iraniane në Siri. Pothuajse të gjithë u rrëzuan nga Izraeli, aleatët perëndimorë dhe partnerët arabë.

Të dielën, gjatë inaugurimit të një dige në Iranin veriperëndimor, Raisi theksoi mbështetjen e Iranit për palestinezët, duke deklaruar se "Palestina është çështja e parë e botës muslimane".

Ai po kthehej nga vizita me Ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe disa zyrtarë të lartë, kur helikopteri i tyre bëri një ulje të detyrueshme në terrene të largëta dhe malore, njoftuan mediat shtetërore.

Mjegulla  dhe shiu i dendur penguan përpjekjet e kërkimit, por të hënën autoritetet njoftuan se Raisi dhe të gjithë të tjerët në bordin e helikopterit kishin vdekur.

Ora 09:59
Vdekja e presidentit iranian, Charles Michel: BE shpreh ngushëllimet më të sinqerta

Foto: Charles Michel

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ditën e sotme ka shprehur ngushëllimet të BE-së për vdekjen e presidentit iranian Ebrahim Raïssi dhe ministrit të tij të jashtëm Hossein Amir-Abdollahian.

“BE shpreh ngushëllimet e saj më të sinqerta për vdekjen e Presidentit Raïssi, Ministrit të Jashtëm Abdollahian, si dhe anëtarëve të tjerë të delegacionit dhe ekuipazhit të tyre në aksidentin me helikopter”, shkruan Charles Michel në llogarinë e tij në X.

Ora 09:55
Vdekja e presidentit iranian, droni turk gjeti rrënojat e helikopterit! Si e lokalizoi me teknologjinë që s’ka Irani

Foto nga pamjet me dron, pasi u identifikua vendi ku u rrëzua helikopteri i presidentit iranian

Presidenti iranian Ebrahim Raisi ka vdekur. Me të, edhe ministri i Jashtëm Hossein Amir Abdollahian dhe 7 personat e tjerë që udhëtonin me helikopterin që u rrëzua në veri të Iranit. Për lokalizmin e vendit ku kishte rënë helikopteri i presidentit iranian ndihmoi një dron turk.

Qeveria e Teheranit pranoi ofertën e Erdoganit për ndihmë dhe lejoi një dron turk të fluturonte mbi zonën ku u zhduk helikopteri i Presidentit Raisi. Droni arriti në aeroportin e Tabrizit, kryeqyteti i Azerbajxhanit dhe më pas u nis në veri. Zonat mbi të cilat ai fluturoi ishin malore dhe pothuajse plotësisht të pabanuara.

Kërkimet nisën nga zona përreth Sungun, ku ndodhen minierat e bakrit të treguara fillimisht si zona e përplasjes. Më pas droni eksploroi një territor të gjerë më në veri dhe më pas u përqendrua në një zonë në jug. Pas shumë kërkimeve, droni identifikoi një burim nxehtësie në veri të Iranit.

Ekipet e shpëtimit mbërritën në vendin e aksidentit dhe gjetën mbetjet e djegura plotësisht të helikopterit, i cili u rrëzua teksa presidenti iranian ishte nisur për në fshatin iranian Khoilar-Kalam.

Kreu i Gjysmëhënës së Kuqe lokale, Pir Hossein Koolivand, sapo u gjetën mbetjet e avionit deklaroi menjëherë: “Situata nuk është e mirë”.

Ekipet e kërkimit gjetën pjesë të helikave të helikopterit në një kodër dhe më pas u zhvendosën drejt vendit të rrëzimit, ku kabina u gjet plotësisht e djegur.

“Pa shenja jete”, ishin deklaratat e para, ndërsa 73 grupet e shpëtimit mbërritën në vendin e aksidentit edhe me qen. Pavarësisht kushteve të motit, shi dhe mjegull gjatë gjithë natës, ekipet e kërkim shpëtimit nuk e ndalën punën.

Droni i dërguar nga turqit është Bayraktar Akinci, mund të qëndrojë në ajër për njëzet e pesë orë dhe të udhëtojë mbi 7 mijë kilometra. Ai është i pajisur me një radar elektronik skanimi Aesa, pra i aftë për të ekzaminuar prezencën e rrënojave me saktësi, një teknologji që iranianët nuk e kanë.

Presidenti do të udhëtonte nga zonat kufitare verilindore në qytetin e Tabrizit në provincën e Azerbajxhanit Lindor, ku do të përuronte një rafineri. Aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:30 të 19 majit me orën lokale. Më herët gjatë ditës Raisi kishte vizituar lumin Aras në kufi me Republikën e Azerbajxhanit, për të inauguruar një digë së bashku me presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev.

Lloji i dronit Bayraktar Akinci
Ora 09:13
Vdekja e presidentit të Iranit, çfarë pritet të ndodhë me Shtetin Islamik?

1716189256_iran.jpg

Nënkryetari i Iranit, Mohammad Mokhber

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi dhe shoqëruesit e tij, përfshirë ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian, janë gjetur të vdekur në vendin ku u rrëzua një helikopter në veriperëndim të Iranit.

Po çfarë do ndodhë më tej me shtetin islamik?

Kushtetuta e Iranit ofron zgjidhje për rastet kur një president është i paaftë për të kryer detyrat e tij për shkak të sëmundjes, vdekjes ose shkarkimit nga parlamenti.

Automatikisht në këtë post ngarkohet zëvendëspresidenti, në këtë rast, Mohammad Mokhber. Ai do të drejtojë punët e vendit dhe së bashku me krerët e parlamentit dhe gjyqësorin të mbikëqyrin zgjedhjet për një president të ri maksimumi brenda 50 ditësh.

Kjo do të ndodhte vetëm me konfirmimin e liderit suprem, i cili ka fjalën e fundit në të gjitha çështjet shtetërore në Iran. Tashmë qe mediet shtetërore konfirmojnë se presidenti Ebrahim Raisi ka vdekur, Irani do të vihet në lëvizje për të mbajtur zgjedhjet.

Ora 08:30
Vdekja e presidentit, Hamasi: Irani do të jetë në gjendje të përballet me këtë provë të vështirë

1716133549_raisi.JPG

Hamasi shprehu "ngushëllime të sinqerta dhe solidaritet të thellë" për liderin suprem të Iranit Sayyed Ali Khamenei, pas vdekjes së presidentit Ebrahim Raisi, ministrit të Jashtëm Husein Amir Amirabdollahian dhe personave të tjerë që ishin në bordin e helikopterit që u rrëzua. Të gjithë liderët, pohoi lëvizja e Hamas në Telegram.

 "Ne kemi besim se Republika Islamike e Iranit do të jetë në gjendje, me dëshirën e Zotit, të kapërcejë pasojat e kësaj humbjeje të madhe. Populli mik iranian ka institucione të lashta të afta për të përballuar këtë provë të ashpër".

Ora 08:27
Vdekja e presidentit, qeveria iraniane thërret mbledhje urgjente

1716181674_ebrahimraisi.jpg

Qeveria iraniane thirri një "takim urgjent" sot pas njoftimit për vdekjen e presidentit Raisi dhe ministrit të Jashtëm. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA.

Ora 07:48
Rrëzimi i helikopterit ku udhëtonte presidenti iranian, autoritetet identifikojnë trupat e djegur

Presidenti iranian Raisi dhe ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian

Autoritetet iraniane po identifikojnë trupat e djegur të pasagjerëve që ishin në bordin e helikopterit që u rrëzua pranë Tabrizit, në provincën e Azerbajxhanit Lindor, në të cilin po udhëtonin presidenti Ebrahim Raisi dhe shoqëruesit e tij.

Midis viktimave janë truprojat e presidentit, gjenerali Mehdi Mousavi, një anëtar i bazës Ansar al-Mahdi të Gardës Revolucionare, piloti, bashkë-piloti dhe inxhinieri i fluturimit

Gjithashtu në bordin e helikopterit ishin Ministri i Jashtëm Hossein Amirabdollahian, guvernatori i provincës së Azerbajxhanit Lindor, Malek Rahmati dhe imami Mohammadali Al-Hashem.

Ora 07:27
Pamjet me dron, rrënojat e helikopterit ku udhëtonte presidenti iranian

Në këto pamje me dron të shpërndara nga media shtetërore iraniane tregojnë rrënojat e helikopterit me të cilin po udhëtonte presidenti iranian Raisi.

Siç shihet edhe në pamje, helikopteri i rrëzuar është bërë copë-copë dhe fatkeqësisht presidenti iranian, ministri i Jashtëm dhe personat e tjerë që ishin në bord humbën jetën.

Në pamje shihet ‘bishti’ i helikopterit pranë një toke të djegur ku u rrëzua helikopteri në provincën e Azerbajxhanit Lindor.

Pamjet e marra nga mediat iraniane të hënën treguan helikopterin në vendin e rrëzimit në një shpat mali. 

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Bravo: 20/05/2024 07:25

    Fitore tjeter e rendesishme izraelite

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?