Vdiq pas rrëzimit me helikopter, kush ishte presidenti iranian Ebrahim Raisi

20 Maj, 10:21| Përditesimi: 20 Maj, 10:28

  • Share

Ditën e sotme u konfirmua se presidenti iranian, Ebrahim Raisi vdiq si pasojë e një aksidenti ajror në Iran. Por kush ishte Ebrahim Raisi?

Ebrahim Raisi lindi në 14 dhjetor të 1960 në qytetin e Mashhad. Raisi u rrit nga një familje klerike ndaj dhe vendosi të ndiqte arsimin fetar.

Ndërsa ishte student, ai mori pjesë në protesta kundër Shahut të mbështetur nga Perëndimi, i cili u rrëzua në vitin 1979 në një Revolucion Islamik të udhëhequr nga Ajatollah Ruhollah Khomeini.

Raisi u bë zëvendësprokuror në Teheran kur ishte vetëm 25 vjeç. Ai shërbeu si një nga katër gjyqtarët, në gjykatat sekrete të ngritura në 1988 që njiheshin si "Komiteti i Vdekjes".

Numri i të dënuarve me vdekje nga gjykatat nuk dihet, por thuhet se rreth 5,000 burra dhe gra u ekzekutuan.

Raisi e mohoi vazhdimisht rolin e tij në dënimet me vdekje. Por ai tha gjithashtu se ato ishin të justifikuara për shkak të një vendimi fetar, nga Ayatollah Khomeini.

Në vitin 2017, Raisi kandidoi për president dhe arriti të renditej i dyti me vetëm 38% të votave. Më 2019 Ayatollah Khamenei e emëroi atë në krye të drejtësisë dhe menjëherë Raisi zbatoi reforma që çuan në uljen e numrit të personave të dënuar me vdekje.

Ai gjithashtu vazhdoi të punojë me shërbimet e sigurisë për të goditur disidencën dhe për të ndjekur penalisht iranianët me shtetësi të dyfishtë.

Kur kandidoi në zgjedhjet presidenciale të 2021, ai deklaroi se "kishte ardhur për të bërë ndryshime në menaxhimin ekzekutiv të vendit, për të luftuar varfërinë, korrupsionin dhe diskriminimin".

Në mars 2023, qeveria e tij ra dakord për një afrim të befasishëm me rivalin e shtetit iranian, fuqinë rajonale sunite Arabinë Saudite, shtatë vjet pasi ata kishin ndërprerë marrëdhëniet diplomatike.

Por tensionet rajonale u rritën në atë tetor kur Hamasi kreu një sulm të paprecedentë ndërkufitar në Izraelin jugor dhe Izraeli u përgjigj duke nisur një fushatë ushtarake në shkallë të gjerë në Gaza.

Në të njëjtën kohë, rrjeti i grupeve të armatosura aleate dhe përfaqësuesve të Iranit që veprojnë në të gjithë Lindjen e Mesme - duke përfshirë Hezbollahun në Liban, Houthis në Jemen dhe milici të ndryshme në Irak dhe Siri - i rritën ndjeshëm sulmet e tyre kundër Izraelit në atë që ata thanë se ishte një demonstrim solidariteti me palestinezët.

Frika se përshkallëzimi do të shkaktonte një luftë rajonale u rrit në prill, pasi Irani kreu sulmin e parë të drejtpërdrejtë ushtarak ndaj Izraelit.

Raisi mbështeti vendimin për të lëshuar më shumë se 300 dronë dhe raketa në Izrael si një hakmarrje për një sulm vdekjeprurës ndaj konsullatës iraniane në Siri. Pothuajse të gjithë u rrëzuan nga Izraeli, aleatët perëndimorë dhe partnerët arabë.

Të dielën, gjatë inaugurimit të një dige në Iranin veriperëndimor, Raisi theksoi mbështetjen e Iranit për palestinezët, duke deklaruar se "Palestina është çështja e parë e botës muslimane".

Ai po kthehej nga vizita me Ministrin e Jashtëm Hossein Amir-Abdollahian dhe disa zyrtarë të lartë, kur helikopteri i tyre bëri një ulje të detyrueshme në terrene të largëta dhe malore, njoftuan mediat shtetërore.

Mjegulla  dhe shiu i dendur penguan përpjekjet e kërkimit, por të hënën autoritetet njoftuan se Raisi dhe të gjithë të tjerët në bordin e helikopterit kishin vdekur.


Lajmi kryesor:

Presidenti iranian Ebrahim Raisi humb jetën pas rrëzimit të helikopterit, nesër ceremonia mortore! 5 ditë zie në Iran


Xh.K/ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?