Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj, njoftoi ndryshimet e pagave për të gjithë nënpunësit civil, duke i unifikuar me pagat e administratës qendrore.
Në këtë mënyrë, specialistët e Bashkisë do të trajtohen njësoj si kolegët e tyre në ministri, ndërsa shefat e sektorëve do të kenë të njëjtin trajtim financiar si në administratën qendrore.
“Ndryshon paga e specialistëve të Bashkisë dhe merr një rritje prej 100 mijë lekësh të vjetra të pagës për pozicion, duke unifikuar gjithashtu me specialistët e të njëjtës kategori në administratën qendrore. Kjo barazohet sot me këtë vendim të këshillit bashkiak. Në këtë kuadër është parë e domosdoshme që ta përfitojnë këtë shtesë edhe punonjësit administrativ të aparatit të Bashkisë që janë punonjësit e shërbimit, magazinier, pastrues dhe njerëz që bëjnë këto shërbime për qytetin tonë. Pika 8 ka të bëj prapë për një lajm të mirë, por tani për institucionet e varësisë së Bashkisë së Tiranës për miratimin e niveleve të pagës të punonjësve të Policisë Bashkiake të ndryshuar.
Ka të bëjë me ndryshimin e llogaritjes të elementit shtesë për vjetërsi në punë. Pra, duke njësuar në mënyrën e llogaritjes së këtij elementi dhe për punonjësit e tjerë të institucioneve të administratës publike qendrore dhe vendore. Gjithashtu policëve bashkiak dhe punonjësve mbështetës u jepet një shtesë për kushte pune mbi pagën bazë mujore të klasës përkatëse në masën 40 mijë lek të vjetra në muaj. Pra nga muaji tjetër policët bashkiak dhe stafet mbështetëse do të marrin një shtesë të pagës 40 mijë lek në muaj”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku Veliaj prezantoi gjithashtu një vendim që përmirëson pagat për njësitë administrative, pa dallime politike.
Ky vendim përfshin gjithashtu rritjen e shpërblimit për ndërlidhësit me komunitetin, duke garantuar një trajtim më të mirë për ata që kryejnë funksione emergjente dhe të tjera.
“Ky projekt vendim parashikon, rritjen e vlerës së pagës për pozicion sipas numrit të banorëve në njësinë administrative me një rritje mesatar nga 15 deri në 25 %. Ndryshimi e llogaritjes e elementit prapë shtesë për vjetërsinë në punë të pensionit duke e njësuar me mënyrën e llogaritjes së elementit për nënpunësit e tjerë të institucioneve të administratës publike. Pra dhe në njësitë administrative, llogaritja e vjetërsisë në punë me 2% do të jetë e njëjtë me institucionet e tjera. Për të gjithë kryepleqtë, paga mujore ose le të themi dieta mujore do të jetë 155 mijë lek të vjetra. Miratimin e shpërblimit mujor për 250 ndërlidhës me komunitetin në masën 100 mijë lek.
Kështu që edhe ndërlidhësit e komunitetit që kryejnë funksion sidomos në raste emergjencash, unë besoj që kanë një trajtim më dinjitoz me këtë rritje. Ndërkohë për institucionet e varësisë, këtu fus institucionet e varësisë që kemi gjetur në Bashkinë e Tiranës plus të rejat që janë krijuar, si Agjensia e Parqeve dhe e Rekreacionit, Kopshti Zoologjik, Tirana Parking e kështu me radhë. Edhe këto ndryshime vijnë si rrjedhojë e rritjes së pagës në administratën qendrore dhe vendore në masën 15 deri në 25 %”, deklaroi Veliaj.
Veliaj tha se edhe për edukatoret e Bashkisë së Tiranës rroga bazë propozohet të rritet nga 55,000 lekë të rinj aktualisht në 58,000 lekë të rinj, duke reflektuar një përmirësim të rëndësishëm për këta profesionistë të rëndësishëm të qytetit.
Për punonjësit mbështetës dhe specialiteteve të ndryshme, si pastruesit, hidraulikët dhe elektricistët, do të ketë gjithashtu një shtesë mujore prej 4,000 lekësh të rinj, që përfitojnë mbi 5,000 punonjës të Bashkisë.
Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj bëri me dije lajmin e transformimit në hapësira dinjitoze, të dy hapësirave sportive në kryeqytet. Veliaj tha se bëhet fjalë për stadiumin “Selman Stërmasi” dhe Pallatin e Sportit “Asllan Rusi”.
“Duam të ecim me projektin e 100 fushave sportive dhe kemi planifikuar që, dy investimet e radhës të jenë stadiumi “Selman Stërmasi” dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi”. Kemi një mundësi për të thënë se përtej bindjeve politike, të bëjmë edhe dy hapësira të reja model, ku ke qejf të shkosh, siç është bërë Arena Kombëtare. Unë jam me parimin se njeriu kur punon për qytetin, duhet të ketë qef të shkojë te stadiumi sepse thotë: Unë ngrita kartonin jeshil për këto investime”, tha Veliaj.
Mandej, Veliaj shtoi se Arena Kombëtare është një histori e jashtëzakonshme suksesi, si arkitekturë, si biznes dhe si ekonomi, ndërsa tha se Bashkia Tiranë ka për qëllim të bëjë të njëjtën gjë edhe te stadiumi “Selman Stërmasi” dhe Pallati i Sportit “Asllan Rusi”.
“Ne do ta fillojmë një proces bashkëpunimi me projektin e rijetëzimit të stadiumit “Selman Stermasi” për të pasur një hapësirë ekonomike të ngjashme me atë që kemi te Arena Kombëtare dhe pastaj, me t’u përgatitur do të vazhdojmë dhe me pallatin e sporteve “Asllan Rusi”. Një pallat sportesh që nisi si hangar është totalisht i amortizuar, ndaj kemi një shans për të pasur dhe aty një investim serioz. Ashtu siç kemi pasur ndeshje ndërkombëtare te Arena Kombëtare, finalja e UEFA Conference League që do ishte e pamundur me stadiumin e vjetër që kishim”, u shpreh Veliaj.
Lajmi kryesor:
Mbjellja e pemëve, Veliaj: Pavarësisht bindjeve politike, t’i lëmë qytetit një pajë të jashtëzakonshme! Rritje pagash për punonjësit e bashkisë dhe edukatoret
S.B//ReportTv.al