Ekonomi

Rritja e çmimit të karburanteve, Konfindustria: Më të lartat në Europë, nëse qeveria s'merr masa, pasojat e pallogaritshme për vendin

3 Tetor 2021, 12:12| Përditesimi: 3 Tetor 2021, 16:09

  • Share

Rritja e çmimit të karburanteve sidomos gjatë muajit shtator, ka bërë që Konfindustria të kërkojë ndërhyrjen e menjëhershme të qeverisë për të zbutur pasojat e rritjes së pakontrolluar të çmimit të karburanteve, në të kundërt pasojat negative për vendin do të jenë të pallogaritshme.

Duke i konsideruar çmimet e karburanteve si më të shtrenjta në Europë, Konfindustria shprehet se ka përgatitur një pakete propozimesh për institucionet për të  zbutur pasojat e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare të karburanteve në vendin tonë.

"Konfindustria i kërkon vendimmarrjes politike shqiptare përfshi opozitën, Kuvendit të Shqipërisë dhe qeverisë, të marrin sa më shpejt masat e nevojshme për të zbutur pasojat e rritjes së pakontrolluar të çmimit të karburanteve. Rritja e çmimeve të karburanteve rrezikon të marri përmasat e një krize të vërtetë energjetike në vitin 2021-2022 me pasoja të pallogaritshme negative për vendin. Konfindustria ka përgatitur paketën e plotë të propozimeve të saj institucionale, fiskale dhe ekonomike  lidhur me ndërhyrjet e domosdoshme, që duhen bërë në tregun e karburanteve për të  zbutur pasojat e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.  Konfindustria do të paraqesë institucionalisht para vendimarrjes politike, të shumicës dhe pakicës në Kuvendin e Shqipërisë, paketën e kërkesave për përmirësimin e ndërtimit dhe funksionimit të sotëm të tregut të karburanteve. Në mungesë të marrjes së veprimeve të shpejta dhe profesionale nga institucionet shtetërore biznesi, qytetarët dhe ekonomia kombëtare do të përballet me kosto shtesë nga rritja e çmimeve të importuara nga tregjet ndërkombëtare",thuhet në njoftimin e Konfindustrisë

Konfindustria ka shprehu shqetësimin ku thekson se nga mungesë të plotë të përgjegjësisë së institucioneve shtetërore lidhur me rritjen e fortë të çmimeve të karburanteve dhe pasojave shkatërruese të tyre që lënë për biznesin, qytetarët dhe ekonominë kombëtare.

"Tregu i karburanteve në Shqipëri karakterizohet nga grupimet kartel dhe oligopol, që fillojnë nga shërbimet portuale, tregtia me shumicë dhe pakicë. Biznesi, qytetarët dhe buxheti i shtetit shqiptar, përveç rritjes së fortë të çmimit të publikuar përballen më kosto shtesë të fshehura mjaft të larta si pasojë e cilësisë së dobët të karburanteve, evazionit fiskal dhe kostove të pranisë së koncesioneve dhe PPP në sistem. Pasojave të rënda në mjedis dhe shëndetin e popullsisë. Ministria përkatëse, agjencitë qeveritare të kontrollit të cilësisë dhe rregullatorët e sotëm të tregut, kanë dështuar krejtësisht në zbatimin e detyrave ligjore përkundrejt tregut të karburanteve.  Çmimet e karburanteve në tregun shqiptar gjatë sezonit veror dhe në vazhdim në muajin shtator 2021 janë rritur në vlera, që shkojnë mbi 60% per gazin e lëngshëm dhe më shumë se 10% për naftën dhe benzinën. Çmimet e karburanteve në Shqipëri janë ndër më të lartat në gjithë Europën, përfshi edhe vendet shumë më të pasura të kontinentit. Tregu i karburanteve është më i madhi në vend mbi 10% të PPB dhe me ndikim të drejtpërdrejtë në gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, industrive, biznesit, prodhimit vendor dhe qytetarëve shqiptarë" thuhet në njoftim.

Nga një vëzhgim i Report Tv një ditë më parë u vu re se krahasuar me vitin e kaluar kur çmimet pësuan rënie për shkak të mungesës së konsumit, shtrenjtimi për naftën është me 15 deri në 25 lekë për litër. Edhe pse vëmendja kryesisht përqendrohet tek çmimi i naftës dhe i benzinës, shtrenjtim të ndjeshëm ka pësuar edhe gazi. Nëse gazi deri në fillim të këtij viti ishte deri në 50-60 lekë për litër, sot arrin në 90 lekë, duke pësuar një shtrenjtim me 30-40 lekë. Shkak për këtë rritje sipas ekspertëve është bërë rritja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?