Kryeministri Edi Rama tha për gazetarin e Report Tv, Arbi Fortuzi se rritja e pagave të administratës do të detyrojë bizneset private që të rrisin pagat. I pyetur se si do të rriten pagat në sektorin privat, Rama tha se qeveria nuk ka asgjë tjetër në dorë përveç rritjes së pagës minimale. Kreu i qeverisë tha se do të vijojnë takimet me bizneset për t’i nxitur për rritjen e pagave.
“Është një proces i ndërthurur sepse rritja e pagave në sektorin publik rrit patjetër dhe aftësinë e sektorit publik për të thithur burime njerëzore më të kualifikuara dhe nga kjo sektori privat do jetë i detyruar të rrisë pagat, gjë që po ndodh sot. Sot pagat në sektorin privat po rriten me shpejtësi. Ne po vazhdojmë të nxisim duke shtyrë nga poshtë sepse i vetmi element që ne kemi në dorë është paga minimale të cilën e arritëm jashtë edhe parashikimit elektoral, jo vetëm tonit, por edhe të gjitha partive politike, madje dhe të atyre partive që e dinë që nuk do vijnë kurrë në pushtet dhe premtojnë gjëra për të cilën asnjëherë nuk do japin llogari.
Faktikisht sot jemi në një situatë kur kemi filluar dhe një proces komunikimi me sipërmarrjen private për të sensibilizuar sipërmarrësit lidhur me domosdoshmërinë e mbrojtjes së kapitalit njerëzor në kushtet kur është bërë kjo botë gjithmonë e më e egër për të marrë krah pune, të kualifikuar ose jo dhe në këtë luftë të egër janë përfshirë të gjithë vendet e zhvilluara. Ne jemi optimistë dhe shikojmë shenja shumë pozitive nga sipërmarrja private. Natyrisht, ne do të marrim të tjera, jemi duke i konceptuar dhe natyrisht, për ne kjo nuk është thjesht çështje rritje pagash, është dhe çështje mbrojtje e punonjësve dhe punëtorëve në kompani të ndryshme nga shfrytëzimi. Ka pasur një periudhë kohe kur kjo ka qenë pjesë e natyrshme e një zhvillimi të caktuar. Të mos harrojmë që e kemi filluar këtë punë me të ardhura për frymë 3200 - 3300 euro dhe sot jemi mbi 6000 euro të ardhura për frymë, pavarësisht se të gjitha bien, të gjitha rrënohen dhe na i marrin ne nëpër arbitrazhe, por faktikisht, ne sot i kemi dyfishuar të ardhurat për frymë dhe dyfishimi i të ardhurave për frymë është rezultat i gjithë këtyre politikave, gjithë këtyre reformave, por është njëkohësisht edhe një mundësi për të kuptuar se nuk vazhdohet më!
Një grua, një vajzë e re që para 30 vjetësh, përpara 25 vjetësh shkonte dhe punësohej në një fason, sot është në fazën që do dalë në pension. Me kë do zëvendësohet? Një vajzë e re që është sot në moshën që kjo grua ishte atëherë nuk shkon të punojë aty për atë pagë; jo vetëm për atë pagë, por edhe për atë lloj pune. Kështu që, këtu sipërmarrja duhet të vihet në alarm dhe të kuptojë se duhet të ndryshojë qasjen; duhet të ndryshojë qasjen, duhet të rrisë produktivitetin, duhet të rrisë eficencën e të tjera. Të gjitha këto janë sfida të një kohe të re sepse Shqipëria ka hyrë në një fazë të re, është në një kohë të re ekonomike dhe sociale, duan apo nuk duan ata që nuk duan dhe kurrë nuk do duan dhe kurrë mos daçin dhe sot, unë jam shumë i kënaqur që ia kemi dalë t’i çojmë pagat për shqiptarët në një nivel që është një nivel në mesataren e lartë të rajonit tonë dhe sigurisht që nuk jemi të vetëkënaqur, por jemi thjesht të kënaqur”- tha ai.
Lajmi kryesor:
Rama: Gati projektligji, brenda një viti paga mesatare 900 euro! Rritje nga ky muaj për pedagogët, mësuesit, zjarrfikësit, infermierët e policinë
SI.E./ReportTv.al