Rreth 3 km rrugë që lidh rrugën e lumit të Vlorës me fshatin Mesaplik është në gjendje të amortizuar. Segmenti rrugor nuk njeh investime prej shumë vitesh ndërsa shqetësimi është përcjellë edhe nga vetë banorët për të cilët problemi i infrastrukturës mbetet shqetësimi kryesor.
E vetmja ndërhyrje disa vite më parë është ajo e hedhjes së çakullit apo mbushjes së gropave ndërkohë që për një investim që do të zgjidhte problemin e zonës nuk ka ende asnjë projekt. Për banorët infrastruktura është shqetësimi kryesor i tyre duke dëmtuar zonën dhe një fshat me rreth 300 banorë.
Veç problematikave të tjera edhe dëmtimi i rrugës dhe mungesës së investimeve në infrastrukturë ka sjellë edhe largim të banorëve nga zona të cilët shohin shumë pak mundësi për të ardhmen.
"Kemi edhe rrugën që lidhet me rrugën kryesore. Ka vite pa u bërë, shumë vite. Edhe është bërë provizore por ne skemi nevojë për provizore, duhet shtruar se ne jemi të përhershëm. Ka qenë problem se këtu ndodh që ka shumë reshje shiu. Këtu të prishet mendja, bëhet skandal, ka shumë volum dhe na ka prishur edhe tokat. I kemi bërë kushedi sa herë dhe i ka rrëmbyer përroi."-tha një banor.
Ndërkohë është zgjidhur edhe problemi i një ure të dëmtuar. Deputeti i zonës Vullnet Sinaj ka theksuar se është ndërhyrë në mënyrë provizore nga forcat e armatosura ndërsa duhet pritur ende për një investim përfundimtar.
"Me rrugët kanë probleme shumë fshatra. Kudo të shkosh. E kemi pak në traditë të kërkojmë më shumë, për momentin forcat e ushtrisë do i vijnë në ndihmë fshatit për të mbushur grobat. Zgjidhje e përkohshme, ajo e përhershme do vijë kur jo të lidhim Mesaplikun me rrugën e lumit të Vlorës, por edhe fshatra të tjera. Nuk duhet të harrojmë ku kemi kaluar për të ardhur në Mesaplik, atë rrugën e shkatërruar dhe atë investim të madh të qeverisë Rama dhe vëmëndjen e kryeministrit për këtë zonë, me banorë të jashtëzakonshëm."-tha Sinaj.
Rruga paraqitet më shumë problematike në stinën e dimrit ndërsa ende për banorët infrastruktura mbetet shqetësimi kryesor.