Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i ka bërë thirrje Kinës që të ushtrojë ndikimin e saj mbi Iranin, duke e nxitur të mos mbyllë ngushticën strategjike të Hormuzit, pas sulmeve ajrore të SHBA-së ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Deklaratat e Rubio-s u bënë gjatë një interviste në emisionin “Sunday Morning Futures with Maria Bartiromo” në Fox News dhe erdhën pasi televizioni shtetëror iranian Press TV raportoi se Parlamenti i Iranit ka miratuar një masë për të mbyllur ngushticën, përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimit global me naftë dhe gaz natyror.
“Inkurajoj qeverinë kineze në Pekin që të komunikojë me ta, sepse varen në mënyrë kritike nga ngushtica e Hormuzit për furnizimin e tyre me naftë”, tha Rubio.
“Nëse do ta ndërmerrnin një hap të tillë, do të ishte një tjetër gabim i rëndë. Do të ishte një vetëvrasje ekonomike për ta. Ne kemi ende disa opsione për ta përballuar këtë situatë, por edhe vende të tjera duhet ta marrin seriozisht. Një veprim i tillë do të dëmtonte ekonomitë e tyre më shumë sesa tonën.”
Rubio theksoi se mbyllja e ngushticës do të përbënte një përshkallëzim të madh që do të kërkonte një përgjigje të vendosur nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera aleate. Ai gjithashtu paralajmëroi Iranin të mos ndërmarrë veprime hakmarrëse, duke e cilësuar një akt të tillë si “gabimin më të madh që ata kanë bërë ndonjëherë”.
Pavarësisht tensioneve në rritje, Rubio ritheksoi se SHBA mbetet e hapur për dialog me Iranin.
Lajmi kryesor:
‘Çekani i Mesnatës’, SHBA hedh bomba 14-tonëshe në Iran! Pentagoni: Shkatërruam ambiciet bërthamore! Shpërthime të reja në Teheran, Parlamenti iranian: Të mbyllet Hormuzi (VIDEO)
H.K/ReportTv.al