Nancy Pelosi

Bota

Rusia kundërshton vizitën e Nancy Pelosit në Tajvan, mbron qëndrimin e Kinës

2 Gusht 2022, 16:42| Përditesimi: 2 Gusht 2022, 16:46

  • Share

Rusia ka paralajmëruar Shtetet e Bashkuara që kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, të mos e vizitojë Tajvanin, duke mbështetur kështu qëndrimin e Kinës.

Kjo deklaratë e Kremlinit vjen një ditë pasi Shtëpia e Bardhë mbështeti vizitën e Pelosit në Tajvan.

Sipas Rusisë, një vizitë e tillë do të rrisë tensionet mes Kinës dhe SHBA-së në një nivel të rrezikshëm.

Pelosi u largua të martën nga Malajzia dhe u nis drejt Tajvanit, duke përshkallëzuar tensionet me Pekinin, i cili pretendon se ky ishull është pjesë e territorit të tij.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, paralajmëroi se një vizitë e tillë do të jetë “jashtëzakonisht provokuese”, duke shtuar se do të “përkeqësojë situatën në rajon dhe do të nxisë tensione”.

Komentet e Peskovit tregojnë raportet e ngushta që kanë Moska dhe Pekinin. Kujtojmë se Kina ka refuzuar dhe që ta kritikojë Moskën për pushtimin e Ukrainës, dhe ka fajësuar SHBA-në dhe NATO-n për provokimin e Moskës.

Ora 17:57
Nancy Pelosi mbërrin në Tajvan, pavarësisht tensioneve me Kinën

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi mbërriti në Tajvan të martën, pavarësisht paralajmërimeve të Kinës dhe Rusisë që kjo vizitë të mos ndodhte.

BBC ka publikuar videon kur ajo zbret në aeroportin e Tajvanit, ku përshëndet delegacionin.

Kina, e cila pretendon se Tajvani është territor i saj, ishte kundër kësaj vizite. Kundër vizitës është shprehur edhe Rusia ditën e sotme, pak para se Pelosi të mbërrinte në Tajvan.

Pelosi mbërriti në Songshan të Taipeit në orën 22:44 me kohën lokale. Ajo pritet të udhëtojë me autokolonë në hotelin Grand Hyatt në Taipei, ku do të qëndrojë gjatë natës.

Jashtë hotelit po mbahet një protestë e vogël nga një grup qytetarësh pro Kinës të cilët janë kundër vizitës së saj. 

Pelosi është politikania më e lartë amerikane që ka vizituar Tajvanin që kur kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich e vizitoi këtë vend në vitin 1997.

Kina e sheh Tajvanin si provincë të shkëputur, të cilën mund ta marrë edhe me forcë nëse është e nevojshme.

Pelosi ka qenë një kritike e ashpër e Kinës gjatë më shumë se tri dekadave të saj në Kongres - dikur ka shpalosur një pankartë të sheshit Tiananmen të Pekinit, që përkujtonte të vrarët nga regjimi në një protestë pro-demokracisë, më 1989.

Ajo ka qenë, po ashtu, mbështetëse e fuqishme e protestave pro-demokracisë të vitit 2019 në Hong Kong - çfarë e ka bërë atë objektiv të kritikave nga Pekini.

Tajvani gëzon mbështetje të fortë dypartiake në Kongresin amerikan.

Kujtojmë se samiti i fundit i SHBA-ve me Kinën është zhvilluar më 16 nëntor të vitit 2021, atëherë kur ende përflitej çështja e Tajvanit dhe paralajmërohej për një luftë në Ukrainë.

Ndërsa tensionet mes Kinës dhe Tajvanit janë shtuar, Presidenti amerikan Joe Biden pritet të flasë të enjten me presidentin kinez Xi Jinping.

D.GJ/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?